Ajo është një këngëtare e talentuar me një karrierë të gjatë artistike. Pavarësisht arritjeve të shumta, Mihrije Braha thotë se do e kujtojë këtë vit me shumë dhimbje. Në Shtator këngëtarja e njohur humbi nënën dhe me hidhërimin që ende nuk ka kaluar, në programin e “Rudina” ajo ndau kujtimet e ditëve të fundit me të shtrenjtën e saj. Veç momenteve me të, ajo kujton edhe amanetin e së ëmës.

Rudina Magjistari: Ajo e ndjente që ishte drejt fundit?

Mihrije Braha: Po e ndjente dhe fliste bile. Në njërën prej ditëve më tha që të ecnim pak, dolëm tek ballkoni. Kur dolëm tek dera e dhomës dhe në tha “kur të vdes unë, këtu ke për të vendosur një karrige dhe kur të vijnë gratë këtu kanë për t’u ulur për të shprehur ngushëllime”, m’u duk sikur më ra një bombë në kokë. E di që i kam thënë që ka kohë për atë pjesë, por në momentin që ajo dha frymën e fundit gjënë e parë që kam bërë, kam shkuar kam marrë një karrige dhe e kam vendosur aty. Aty ku më ka thënë, aty e kam vendosur karrigen. Ka qenë shumë e vështirë, ka pasur netë të tëra pa gjumë kur ajo, fliste me nënën e vet. Thërriste vëllezërit e vet që i kanë vdekur kohë më parë. Ka pasur momente që mua më jepte ndjesinë sikur po e përkëdhelte dikë, sikur po e ledhatonte dikë dhe për shumë netë kam fjetur me nënën. Unë e kam marrë në gji nënën, sikur nëna më ka marrë në gji mua kur kam qenë e vogël. E kujtoj herë pas here frymëmarrjen e saj tek gjoksi im. Atë muaj që unë kam qëndruar pranë saj nuk ka çmim që mundte ta paguajë, për vlerën e madhe.

 

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: