Ndërsa në vendin tonë janë tashmë 10 raste të konfirmuara me koronavirus, një nga rastet më të rënda është ai i regjistruar në spitalin e Durrësit, që tregon për një skenar njësoj si në Itali, ku një paciente e vetme mund të ketë infektuar 30 mjekë dhe infermierë por edhe pacientë të tjerë.

Gazetarja Klodiana Haxhiaj ka siguruar për “BalkanWeb” dëshmi të mjekëve dhe infermierëve, por edhe të gjitha detajet për rastin e së moshuarës 75-vjeçare që është tashmë në gjendje të rëndë.

Sipas gazetares sonë, e moshuara u paraqit në spitalin e Durrësit më datë 3 mars dhe u shtrua në patologji për probleme të rënda me frymëmarrjen. Gruaja kishte ardhur nga Bolonja, një nga zonat e prekura në Itali, ka zbritur në aeroportin e Rinasit dhe më pas ka udhëtuar drejt Durrësit, por një fakt të tillë nuk ua kishte treguar mjekëve.

Pas 3 ditësh pasi ishte kthyer nga Italia ajo është ndjerë keq dhe ka shkuar në spital me këmbët e saj. 75-vjeçarja ka marrë mjekim për pneumoni, ndërsa pas shtatë ditësh gjendja e saj u përkeqësua. Gjatë kësaj kohe siç mëson “BalkanWeb” asaj i kanë shërbyer plot 30 mjekë dhe infermierë.

Kur gjendja u përkeqësua i kanë marrë një tampon për koronavirusin dhe vetëm dje ISHP-ja ka nxjerrë rezultatin pozitiv për të.

Burime nga spitali thanë se gruaja u izolua në reanimacion dhe ndodhet në gjendje terminale.

Pas daljes së rezultateve mjekë dhe infermierë në këtë spital janë alarmuar. “E kuruam, i bëmë gjilpëra, kemi pasur kontakt me të”,- thonë ata.

Ndërkohë që në dhomë me të kanë hyrë edhe shumë familjarë të pacientëve të tjerë. Familja e një pacienti tjetër ka shkuar vetë ne karantinën e Infektivit për të bërë analizat, të shqetësuar. “I kemi shërbyer asaj tamam si gjyshes sonë, ndjehemi të frikësuar”,- thonë ata.

“BalkanWeb” mëson gjithashtu se i gjithë stafi që i ka shërbyer të moshuarës i është nënshtruar analizave përkatëse, rezultatet e të cilave pritet të dalin sot.

Në një situatë të tillë ku numri i të infektuarve mund të jetë i lartë nga Spitali i Durrësit nuk ka asnjë reagim.

(m.a/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb