Një grua shtron çdo ditë një tavolinë për dy vetë, ndonëse përballë saj nuk është askush. Një çast, porta troket dhe matanë dëgjohet një zë i largët, i largët 30 vjet.
Gori është kthyer dhe vajza e kahershme tashmë grua, rreket të jetojë me të, gjithë ç’i ka munguar në vitet e pritjes së gjatë, në vitet e mallit, në vitet e ikjes, në vitet e mungesës.
Ai është herë i afërt, e herë i largët, sa pothuaj duket se ka ardhur nga bota tjetër, nga ajo e të vdekurve, si për të mbajtur një premtim të dhënë në kohët e rinisë, kur të dy u takuan në një kinema të hapur. Vajza dhe djali, tani janë një burrë e një grua, me flokë të thinjur, që ecin e lodhen (ai madje mban shkop) që janë tepër vonë, për të jetuar në pak ditë, ato që duheshin jetuar në tridhjetë vjet. Bazuar në romanin e Besnik Mustafajt, “Vera pa kthim”, Besnik Bisha ka shkruar një skenar dhe ka realizuar një film tashmë nën titullin “Inane”- e pamend. Me interpretimin e Neritan Licajt dhe Anila Bishës, Gori(në rini nga Sokol Guga) dhe Sana (në rini nga Rea Bisha), sjellin në ekranin e madh, historinë e e mundshme por të pajetuar të një çifti. Ajo çka si shikues merr mesazh në fund të filmit, është se, jeta shkon, ikën, vrapon ndërsa ne, fiksohemi në një çast të vetëm, pa e lënë veten tonë të jetojmë. Në këtë vrapim të pamend, dashuritë e mëdha, a humbjet e mëdha, pavarësisht tronditjes, nuk duhet ta ndalin jetën, sepse nuk ka më mundësi kthimi mbrapsht. Dhe për sa kohë, nuk na jepet një mundësi e dytë, duhet gjithnjë të mbërthehemi pas jetës, në të vetmen herë që mundemi t’i shijojmë ditët dhe detin.
Filmi ka skenografinë e Ilir Martiniyt, drejtorë fotografie Sebastiano Celeste e Leonardo Qendro (ndarë nga jeta në maj të 2018-ës), kompozimin e Marco Verba, fitues i Golden Globe dhe kostumografi të Blegina Bezo, ndërsa montazhi është bërë nga Erika Manoni.
Në një bisedë pas premierës me gazetarët, vetë Bisha, rrëfeu gjuhën e tij e këndin e tij të shikimit, si më poshtë.
Përse “Vera pa kthim” bëhet “Inane”?
Filmi është bërë një variant i tillë që të shfaqet edhe në Shqipëri edhe në kinema të huaja. Vera pa kthim, që për ne tingëllon shumë pozitivisht, por për mendimin tim jashtë, në konkurset ndërkombëtare, i jep një natyrë pak romantike filmit, gjë që unë nuk e doja, doja që filmi të ishte më goditës. “Inane”, që do të thotë e pamend është një frazë e thënë nga personazhi kryesor, Gori, që thotë nëse ju kujtohet “e pamend, perëndia do të çuditet me bëmat tona”. Kjo është arsyeja pse është ky titull. Veprimet e Sanës, për mua janë të pamendta, sepse njeriu nuk mund të presë gjithë jetën, për një ditë.
– Janë 30 vite pritjeje, është vetmia që e shoqëron Sanën edhe kur vjen Gori. Hera-herës, duke sikur situatat ndodhin e hera herës, skenat i përkasin ëndrrave…
Filmi është një ëndërr i gjithi. Është një retrospektivë, një ëndërr, një pritje duke menduar që do të vijë një ditë, dhe kur të vijë, do të vijë ato që kishin mbetur, aty te premtimi i dhënë dikur. Filmi është një ëndërr, dhe këtu është edhe loja, ku nuk kuptohet nëse është ëndërr apo realitet, meqë edhe Sana nuk e kupton nëse jeton në ëndërr apo në realitet. Është kjo arsyeja që kam përdorur këtë gjuhë filmi. Gjithsesi njeriu ka moshë, ka orë biologjike, femra ka orën e vet, ndjenja e mëmësisë bën të veten dhe këto unë jam munduar t’i jap.
– A mundet që një femër të presë 30 vite?
Ne e shohim si një veprim të drejtë dhe e vlerësojmë shumë pritjen sidomos te femra, që ka pritur gjatë që burri të kthehet nga emigracioni, në një kohë, që jeta vazhdon dhe vetë kjo femër humbet moshën biologjike, humbet mundësinë për të ripërtërirë. Unë këtë kam dashur të them që pritja e pakuptimtë, është e pamend.
– Dhe dashuria mbaron?
Unë nuk dua të gjykoj negativisht ato që e bëjnë, por gjithçka, çdo pritje ka një kufi. Nuk duhet t’i kalojë masat njerëzore, çdo gjë e ka një kufi.
– Ndaj i keni lënë personazhet mes ëndrrës dhe zhgjëndrrës që të secili të gjejë se cilën do të jetojë?
Normal, ndaj e kam bërë që ajo jeton ëndrrën dhe nuk jeton jetën. Ajo përgatitet për të jetuar një ëndërr, shtron një tavolinë, pret dikë që nuk i vjen që nuk i vjen kurrë, për të bërë ritin e pritjes. Zgjohet nga jeta normale, bën jetën normale, bën dush.
– Ku janë bërë xhirimet dhe në ç’vite vendosen ngjarjet?
Ngjarjet janë vendosur në vitet 1970 dhe gjuha e filmit është një gjuhë e kinemasë së viteve 1970. Xhirimet janë bërë në Korçë, Durrës, Tiranë.
– Në vitet 1970 Gori kthehet, por a u mor ai nga regjimi, nga emigracioni, nga se?
Nuk ka lidhje me regjimet, ka lidhje shpirtërore. Nuk ka probleme regjimesh, dikature, apo demokracie. S’ka lidhje, s’ka përqasje politike. Kjo është dramë njerëzore, jashtë çdo lloj ndikimi politik.