Fiks Fare denoncoi mbrëmjen e së enjtes veprimet e policisë së Tiranës, e cila për 8 orë me radhë ka terrorizuar një 72-vjeçar dhe familjen e tij, pasi dyshonte se ai ishte manjak seksual.

Në fillim të muajit korrik 2019, një ngjarje e rëndë ndodhi në lagjen Don Bosko në Tiranë. Një i moshuar ngacmoi seksualisht dy vajza të mitura, teksa ato po luanin poshtë pallatit ku banonte.

Me të drejtë, policia veproi shpejtë. Por, në vend që të shoqëronte, ndalonte apo arrestonte autorin, pasi për këtë ngjarje kishte edhe filmime, ndaloi një person tjetër.

Një 72-vjeçar, me banim në Durrës, kishte ardhur në Tiranë për të takuar vajzën e tij, e cila sapo kishte lindur. Vajza i kishte kërkuar të atit të blinte një bukë, në furrën e lagjes. Por, kur pa se i ati nuk erdhi në kohë, e alarmuar njoftoi të gjithë familjarët.

Për rreth 4-5 orë, e gjithë familja nuk kishte asnjë informacion se çfarë kishte ndodhur me 72-vjeçarin. Por, tmerri sa vinte dhe shtohej, pasi pas kësaj kohe, fugonë të policisë shkuan në banesat e tyre në Tiranë dhe Durrës, duke bërë kontroll. Në këtë moment mësuan për fatin e kryefamiljarit.

Denoncimi i 72-vjeçarit të sëmurë

Të gjithë ngjarjen e tregoi për Fiks Fare, vetë protagonisti, Jani Qose, 72-vjeç. Ai thotë se kur po blinte bukë e ndalon dikush dhe i tregon një video në telefonit.

“Më thotë ti je këtu? Je ti më tha dhe askush tjetër, do rrish këtu deri sa të vijë patrulla e policisë” thotë Jani, duke shtuar se banon në Durrës dhe këtë person nuk e njihte.

“Unë s’mora asnjë gjë vesh nga videoja, se ça kishte ndodhur. Kur erdhi patrulla e policisë, ishin dy vajza të vogla dhe e pyetën: ky është? Ato thanë jo. Megjithatë, patrulla më shoqëroi në komisariat” thotë i moshuari.

Në komisariat e morën në pyetje dhe i kërkuan që të firmosë një deklaratë ku pranonte se kishte bërë akte të trupshme me të mitura.

“Kjo deklaratë ishte që unë isha autori i vërtetë. Unë nuk pranova, i thash që s’jam unë. Ata vetëm më filmonim mua, më fotografuan. Atje se kam parë më unë atë filmim” thotë ai.

Ndërkohë, Fiks Fare, kontrolloi në mediat sociale dhe në fillim të muajit korrik 2019 u transmetua një video ku një i moshuar i afrohet dy vajzave të vogla që luanin dhe nxjerr organin gjenital. Pamjet janë filmuar nga kamera te sigurisë së pallatit.

I dyshuari i parë, z.Jani thotë se i kanë kontrolluar dy banesa, në Tiranë dhe Durrës.

“Më morën dhe mua dhe u nisëm në Durrës. Gjatë bisedave, OPGJ kontaktonte me qendrën dhe gjetën që autori i vërtetë kishte një valvul, aparat dëgjimi dhe thanë nuk është ky. Vazhdonin bisedat telefonike dhe më pas u kthyem sërish në Durrës. Njëri s’ishte i bindur. Bën kontroll në shtëpi. U kthyem pasdite në orën 5 a 6. S’e di nëse është bërë kontrolli i banesës me urdhër prokurori. Ata kontrolluan edhe shtëpinë e vajzës në Don Bokso. E kontrolluan kur ajo është me një fëmijë 3 javësh” thotë Jani.

Më tej shton se atë ditë nuk ka qenë mirë nga gjendja shëndetësore.

“Kam pasur probleme me frymëmarrjen. Kam shkuar në polici orën 11.30 paradite në polici dhe kam dalë në 19.30. Ata vetëm bënë një krahasim mes meje dhe personit në video. Ai kishte një valvul, unë s’kisha. Unë kam vetulla të bardha, ai të zeza. Unë kërkoj që ai që më akuzoi të më thoshte ‘më fal’. Familjarët janë alarmuar, s’dinin ku kisha përfunduar, pasi isha me bukë në dorë. Mu shqetësua gruaja dhe fëmijët” përfundon Jani.

Ballafaqimi në Polici

I dyshuari dhe vajza e tij shkojnë në Komisariatin e Policisë Nr.3 në Tiranë, ku takojnë Oficerin e Policisë Gjyqësore që ka pasur çështjen në fjalë. Vajza i thotë shefit se s’kanë qenë mirë, ndërsa shefi i përgjigjet se “të ka ardhur babai në shtëpi, s’ke pse ankohesh”.

OPGJ këmbëngul se personi ka qenë i shoqëruar, nuk është ndaluar, si person i dyshuar. Por, këtë shpjegim ai ia thotë me zë të lartë.

“Babain tënd e ka sjellë një qytetar” i thotë, ndërsa vajza i kërkon se kush është denoncuesi. Ndërkohë, vajza i kërkon shpjegime përse ka bërë kontroll banese dhe nëse ka pasur apo jo urdhër prokurori. OPGJ i përgjigjet se “janë në kushtet e flagrancës”, ndërsa vajza i kundërpërgjgijet se babai i saj nuk është kapur në flagrancë. “Kush je ti që më kërkon llogari, kush je ti?” i thotë OPGJ, ndërsa i kërkon që të dalë jashtë nga zura. Vajza i thotë se ka shkuar për të bërë kallëzim për dëshmi të rremë ndaj qytetarëve që kanë bërë kallëzim për babain e saj.

Sërish, vajza i kujton kontrollet në banesë se me çfarë urdhri janë bërë, ndërsa OPGJ i përgjigjet se “do kontrolloj 300 shtëpi, shko ankoju”.

Vajza i kërkon OPGJ-së shpeshherë që të bëj denoncim për personat që i bënë “ndalimin” babait të saj, ndërsa OPGJ i thotë se “s’kam nerva të dëgjoj ty. A je mirë moj krejt”.

Ndërkohë, në bisedë e sipër, vajza i thotë se në letra OPGJ e ka shkruar se Jani Qose ka qenë i dënuar më parë. “Ku është i dënuar?” i thotë, ndërsa OPGJ i përgjigjet “hë mo, i pa, i pa. Kam bërë lapsus”.

Biseda mes vajzës së të dyshuarit dhe OPGJ, në Komisariatin e Policisë Nr.3, Tiranë

Vajza e të dyshuarit – Unë kam ardhur të bëj kallëzim për personin që ka kallëzuar babain tim dhe për personin dëshmitar, që ju më thatë se është një grua dëshmitare te lokali.

Oficeri i policisë – Do të sqaroj, atëherë. Ta kanë arrestuar babin?

Vajza e të dyshuarit – Në birucë ka qenë babi.

Oficeri i policisë – Të lutem, do të më dëgjosh mua apo jo.

Vajza e të dyshuarit – Po?

Oficeri i policisë – Ta kam arrestu babën?

Vajza e të dyshuarit – Po, mo ma ke arrestu!

Oficeri i policisë – Nuk është i ndaluar, është i shoqëruar, është si person i dyshuar.

Vajza e të dyshuarit – Babai im është mbajtur në birucë. Hë?

Oficeri i policisë – Çdo shtetas… Shumë mirë, në rregull! Atëherë, çdo shtetas që është i dyshuar, për një vepër penale rri në ambientet e komisariatit, stacionit të policisë, postës…

Vajza e të dyshuarit – Shumë mirë, në rregull.

Oficeri i policisë – Kjo është procedurë, nuk e bëj unë.

Vajza e të dyshuarit – E ndalove…

Oficeri i policisë – Është shoqërim, nuk është ndalim.

Vajza e të dyshuarit – Mirë pra, mos bërrtit. E para mos bërrit.

Oficeri i policisë – Po më çudit ore!

Vajza e të dyshuarit – Ti ke për detyrë të më sqarosh për çfarë është mbajtur babi im 8 orë, 10 orë.

Oficeri i policisë – babai jot ka qenë si person i dyshuar dhe është shoqëruar në komisariatin e policisë si i dyshuar për kryerjen e një vepre të turpshme.

Vajza e të dyshuarit – Si erdhi babi im këtu?

Oficeri i policisë – Atëherë, babin tënd nuk e kam sjellë unë këtu.

Vajza e të dyshuarit – Kush e solli?

Oficeri i policisë – E ka sjellë një qytetar që ka dyshu…

Vajza e të dyshuarit – Kush është ky qytetare?

Oficeri i policisë – Kush je ti që ma kërkon këtë? Në cilësinë e kujt ma kërkon këtë?

Vajza e të dyshuarit – Në cilësinë e të dëmtuarit.

Oficeri i policisë – Ça dëmtimesh?

Vajza e të dyshuarit – Sepse babi im ishte i sëmurë, babi im ka ikur në spital, babi im është mbajtur deri në 8 të darkës. Për çfarë është mbajtur atëherë? Si erdhe ti më more kontroll shtëpinë, me çfarë mandati?

Oficeri i policisë – Ça mandati?

Vajza e të dyshuarit – Po.

Oficeri i policisë – Janë kushtet e flagrancës.

Vajza e të dyshuarit – S’u kap në flagrancë ky!

Oficeri i policisë – Të lutem.

Vajza e të dyshuarit – Nuk u kap në flagrancë.

Oficeri i policisë – Të lutem, e mirë. Ok.

Vajza e të dyshuarit – Unë këtu kam ardhur të denoncoj personat…

Oficeri i policisë – Nuk i denoncon dot këtu te unë.

Vajza e të dyshuarit – Atëherë, ti më the që kam dëshmitarë. Ti më erdhe në shtëpi, më kontrollove shtëpinë me makinë policie. Ti ke shkuar te shtëpia në Durrës. Ti ke bërë dy kontrolle banesash. Si s’kishte fare të drejtë të vije te unë.

Oficeri i policisë – Do shkosh të ankohesh…

Vajza e të dyshuarit – Më dëgjo se ke…

Oficeri i policisë – Jo, s’të dëgjoj unë ty (ngre zërin).

Vajza e të dyshuarit – Po atë qytetarin që erdhi dhe denoncoi, pse e dëgjove ti?

Oficeri i policisë – Patjetër mo, po mo.

Vajza e të dyshuarit – Edhe unë kam ardhur të denoncoj.

Oficeri i policisë – E kupton se çfarë po thotë?

Vajza e të dyshuarit – Pse ta mbash tjetrin kot në burg nuk është vepër penale.

Oficeri i policisë – Pse, kush ta ka mbajtur?!

Vajza e të dyshuarit – Me të njëjta fakte e nxore. Pse e nxore?

Oficeri i policisë – Te lutem nuk kam kohë. O zonjëëë!

Vajza e të dyshuarit – Kohë do kesh se s’bën.

Oficeri i policisë – O zonjë, o zonjëëë. S’kam kohë për ty. Si të jap llogari ty (vazhdon të ngrejë zërin).

Vajza e të dyshuarit – Unë kam ardhur…

Oficeri i policisë – Kush je ti që më kërkon llogari. Ça je ti moj!

Vajza e të dyshuarit – Unë po të them, kam ardhur të bën denoncim dy dëshmitarët e rremë, dëshmi e rreme.

Oficeri i policisë – Për ça e rreme moj!! Ti je juriste dhe i di mirë kushtet e shoqërimit.

Vajza e të dyshuarit – Lërë more ça jam unë, s’jam juriste fare.

Oficeri i policisë – E mirë pra, me dalë jashtë.

Vajza e të dyshuarit – Të dalë jashtë unë?

Oficeri i policisë – Po.

Vajza e të dyshuarit – S’më nxjerr dot jashtë, unë jam qytetare, unë kam ardhur të bëj kallëzim, njëri është kallzimtar, njëri është dëshmitar. Tashti kjo është një dëshmi e rreme. Unë kam ardhur të bëj kallëzim të rremë. Ti ke për detyre të më mbash mua deklaratën si ia ke mbajtur atij qytetari, të ma mbash dhe mua.

Oficeri i policisë – S’ka mundësi!

Vajza e të dyshuarit – Ti ke kontrolluar dy banesa.

Oficeri i policisë – Oooo, do kontrolloj 300 banesa.

Vajza e të dyshuarit – Jo, jo s’ke të drejtë…

Oficeri i policisë – Kush të tha ty moj.

Vajza e të dyshuarit – Vetëm banesën time, me urdhër, me urdhër.

Oficeri i policisë – Shko ankoju, shko ankoju.

Vajza e të dyshuarit – Ti e mban babanë tim dhe s’më thua as pse është mbajt dhe as kush e ka bërë dhe nuk më merr përsipër…

Oficeri i policisë – A ka mundësi se s’kam nerva me të dëgju ty.

Vajza e të dyshuarit – Dhe ti s’më tregon mua se kush ka bërë kallëzim të rremë.

Oficeri i policisë – Je mirë moj dreq, si të jap emrin e personit ore, ka qenë person i dyshuar baba jot ore.

Vajza e të dyshuarit – Ça je ti doktor që studion mëndjen time, jam apo s’jam mirë.

Oficeri i policisë – Po me këtë zanat me ta thënë të drejtën, jam dhe psikolog, jam dhe…

Vajza e të dyshuarit – Me këtë zanat jeni mësuar që merreni vetëm me kriminela dhe kujtoni se keni gjithmonë të drejtë.

Oficeri i policisë – Kush të ka sjellë këtu?

I dyshuari – Policia, me denoncimin që bëri një X person.

Oficeri i policisë – Një X person.

I dyshuari – Unë atë dua.

Oficeri i policisë – Kët emër mund ta kërkoni në prokurori.

Vajza e të dyshuarit – E ke çuar në prokurori çështjen?

Oficeri i policisë – Po ça je tu thënë more?!

Vajza e të dyshuarit – E ke çuar, apo s’e çuar?

Oficeri i policisë – Si nuk e çoj.

Vajza e të dyshuarit – Nuk e ke çuar, se unë pyetja dhe nuk është. Se duhet ta çosh në prokurori.

Oficeri i policisë – Patjetër pra, patjetër. Ligji ma jep të drejtën për ta çuar brenda 5 ditësh.

I dyshuari – I ka kaluar prokurorisë materiali?

Oficeri i policisë – Jo, i kam unë materialet. (Më parë tha se i ka çuar!!!)

Vajza e të dyshuarit – Të kaloj unë gjithë ditën në stres, të më prishet gjaku mua, ky të jetë i sëmurë. Është gjë normale?

Oficeri i policisë – Po ik ankohu po të them edhe njëherë.

Vajza e të dyshuarit – Ja ti e ke bërë këtë (babanë e saj) lagja 2, nr.2, me gjendje gjyqësore i dënuar. Ku është i dënuar babi im? Shife (dokumentin) i dënuar më parë. Ku është babi im i dënuar?

Oficeri i policisë – Hec, i padënuar. Hë më mirë, hë mo.

Vajza e të dyshuarit – Jo s’është mirë.

Oficeri i policisë – E kam shkruar.

Vajza e të dyshuarit – Se ti po e çon në prokurori.

Oficeri i policisë – I pa, pa (bërrtet). I pa dënuari.

Vajza e të dyshuarit – Jo është i dënuar më parë (sipas dokumentit).

Oficeri i policisë – I pa, paaaa

Vajza e të dyshuarit – Do e çosh në prokurori ti këtë! Ka qenë i dënuar ky?! I ke bërë verifkimet?

Oficeri i policisë – Të lutem.

Vajza e të dyshuarit – Jo pse, pse e ke shkuar?

Oficeri i policisë – E kam shkruar, ka qenë lapsus. Oo sa shkollë ke ti mo?

Vajza e të dyshuarit – Unë s’kam shkollë fare.

Oficeri i policisë – S’ke shkollë, s’ke shkollë fare! E mirë, hajt vazhdo.

Vajza e të dyshuarit – Merresh me shkollën time ti, po ti shiko sa shkollë ke vetë se s’dike me shkrujt. Ti më the që kam dëshmitarë, tani thua nuk është marrë për bazë. Tani, a është marrë apo s’është marrë për bazë?

Oficeri i policisë – E kupton që je shumë acaruese.

Vajza e të dyshuarit – Mësohu njëherë si të sillesh me qytetarët, pastaj…

Oficeri i policisë – Mirë, mirë./TCH

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb