“Nëse nuk pranon të lidhesh me mua, do të të vras”. Një 25-vjeçar në Tiranë ka pasur këtë reagim, pasi i është refuzuar propozimi për lidhje dashurie nga një vajzë, që e kishte njohur në rrjetet sociale.

Ai ka këmbëngulur në plotësimin e dëshirës së tij, duke i vështirësuar jetën shoqes së tij. Gjatë tre muajve me radhë, Kelment A. ka vijuar ta ndjekë shoqen këmba-këmbës, ta takojë pa dëshirën e saj dhe nuk ka ngurruar ta kërcënojë me jetë, nëse nuk pranonte lidhjen. Për shkak të frikës dhe ankthit, e reja M. E. ka kallëzuar 25-­vjeçarin. Pak ditë më parë, Kelment A. u shpall fajtor nga Gjykata e Tiranës dhe u dënua me 6 muaj heqje lirie. Gjatë gjykimit ai pranoi akuzën dhe shfaqi pendesë, shkruan Panorama.

Referuar vendimit të Gjykatës, gati një vit më parë, shtetasja M. E. ka krijuar njohje me të pandehurin Kelment A. përmes rrjeteve sociale. Njohja virtuale është konkretizuar disa kohë më pas, kur ata janë takuar me njëri-tjetrin. Në bisedat mes tyre, i pandehuri Allmuca i ka kërkuar shoqes së tij që të krijonin një lidhje më të ngushtë shpirtërore me njëri­tjetrin.

Kërkesa e 25-­vjeçarit ka hasur në kundërshtinë e vajzës. Edhe pse ajo nuk ka pranuar, i riu nuk ka hequr dorë nga kërkesa e tij. Sipas Gjykatës, i ndodhur para refuzimit të mikeshës së tij për një raport të ngushtë, i pandehuri ka këmbëngulur, duke i krijuar asaj shqetësime në vijim. Ai nuk ka ngurruar edhe ta kërcënojë atë me jetë, nëse nuk pranonte të lidhej me të.

“Shtetasi Kelment A., pasi takohej pa dëshirën e saj me shtetasen M. E., e kërcënonte këtë të fundit duke i thënë se në rast se ajo nuk pranonte lidhjen ndërmjet tyre, ai do ta vriste. Në disa raste të tjera, shtetasi Kelment A. e ndiqte nga pas shtetasen M. E. në lëvizjet që ajo kryente”, thuhej në vendim. Ngacmimet e shpeshta, si me fjalë, ashtu edhe me veprime, nga ana e të pandehurit Kelment janë bërë shkak që kallëzuesja M. E. të ndryshojë kushtet e jetës së saj, duke mos kryer aktivitetet normale ditore. Sipas Gjykatës, ajo ka kufizuar daljet e saj nga banesa, me përjashtim të rasteve kur shkonte për të ndjekur studimet.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: