TIRANE- Momenti i betimit të Ahmet Zogut si mbret i shqiptarëve, ka patur edhe elemente të rëndësishme kombëtare. Studiuesi Erald Kapri përnmes një postimi në rrjetin social të “Facebook-ut” thotë se Zogu u betua si Mbret i shqiptarëve duke mbajtur pranë përkrenaren e Skënderbeut.

“Shtypi britanik i kohës jep një detaj tepër interesant. Ai u kërkoi autoriteteve austriake të sillnin Përkrenaren e Skënderbeut në Shqipëri me rastin e kurorëzimit të tij”, shkruan Kapri.

POSTIMI I PLOTE
Ahmet Zogu u shpall Mbret i Shqiptarëve me 2 Shtator 1928 nën titullin Zogu i I-rë. Kjo ngjarje që shënon 90-vjetorin e rishpalljes së Monarkisë Shqiptare u la pothuaj në heshtje nga autoritetet shqiptare, ndonëse përbën një nga ngjarjet më të rëndësishme në shtetformimin e shqiptarëve.

Tepër interesante mbeten prapaskenat e Zogut për t’u shpallur Mbret. Fillimisht tentoi të marrë titullin Skënderbeu i III-të por hoqi dorë.


Shtypi britanik i kohës jep një detaj tepër interesant. Ai u kërkoi autoriteteve austriake të sillnin Përkrenaren e Skënderbeut në Shqipëri me rastin e kurorëzimit të tij. Austriakët refuzuan të nxjerrin nga muzeu përkrenaren e heroit të shqiptarëve, por i dërguan një kopje Mbretit të Shqiptarëve.

Nuk dihet ç’ndodhi me atë kopje sepse ajo nuk u ekspozua. Për të, ndoshta, lajmi do të ishte kurorëzimi me Përkrenaren e Skënderbeut por lajm botëror u kthye betimi i tij i veçantë me dorën mbi Kuran dhe Bibël.

Më poshtë disa foto interesante; ardhja e Ahmet Zogut në Asamblenë Kushtetuese për të bërë betimin, ulja e flamurit të Republikës Shqiptare për të ngritur atë të Mbretërisë si dhe fotoja e Përkrenares publikuar në shtypin britanik.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb