Vota, dita e zgjedhjeve që në Europën ku duam të shkojmë është një ditë e gëzueshme, një festë e demokracisë ku i gjithë pushteti ndodhet në duart e qytetarit, e ku atë ditë ai mandaton atë që dëshiron ta qeverisë, ja delegon sovranitetin e tij me vullnet të plotë, është këtu tek ne për fat të keq prej vitesh tashmë, krejt e kundërta e kësaj tabloje. Është burim tensioni, është dita ku lind një konflikt politik që thellohet më tej deri në radikalizim.

Duhej të ishte një festë, por që shndërrohet në dyshim, mosbesim, kontestim, dhe në mungesë legjitimiteti për atë që vijon të mbajë karrigen pasi ka përdorur gjithçka që nuk lejohet, çdo gjë që ndalohet. Kjo e ka dëmtuar rëndë vendin tonë jo vetëm në imazh, duke qënë se jemi nga të paktët në Europë që nuk bëjmë ende zgjedhje të lira e të ndershme edhe pse po shkojmë drejt vitit 2025.

Mungesa e legjitimitetit e një shumice që vjen dhe vijon me dhunim të vullnetit të lirë të qytetarëve, nuk ka asnjë shans të korigjohet rrugës. Përkundrazi ajo thellohet, dhe prodhon edhe më tepër ndasi, cënon kohezionin social dhe prej saj buron arbitraritet, keqqeverisje, korrupsion, dhe favorizim i atyre segmenteve që ndihmuan në ruajtjen me çdo kusht të pushtetit. Në rastin tonë, edhe më keq. Autoritetet franceze e belge, na sollën një dosje tronditëse, ku pamë se ata që ndihmuan Edi Ramën në këto 3 mandate që të mbante karrigen, partnerët e tij elektoralë në disa zona të vendit, ishin krerët e grupeve të strukturuara kriminale të përfshirë në aktet më të rënda që njeh Kodi Penal.

Në kushtet që jemi sot, një gjë dihet mirë. Nëse do të lejohet, Edi Rama do të bëjë sërish të njëjtën gjë me zgjedhjet e ardhshme, ashtu si edhe në 2017, ashtu si dhe në 2021.

Me shtrydhjen e administratës dhe shfrytëzimin e çdo aseti publik, me blerje të votës në një operacion inxhinierik gjakftohtë, dhe me shantazh e me trysni aty ku nuk ia del me mjetet e joshjes. Për këtë nuk ka asnjë dyshim.

Kjo ia heq kuptimin që në krye të herës politikës, garës, konkurrencës, platformave, alternativës. Sepse kjo asgjëson thelbin e zgjedhjeve, që është mundësia që sovrani, populli të gjykojë i lirë e në fshehtësi, për qeverinë, dhe për Opozitën. Kjo perspektivë vetëm do ta thellonte krizën në vend, që është ndërkohë në kulm. Rikthimi i votës së lirë, rikthimi i besimit tek dita e zgjedhjeve janë tulla e parë që mund të vihet për të dalë nga ky udhëkryq.

Për momentin dy janë pengesat kryesore. Edi Rama që është një përsëritës në krimet masive elektorale, dhe cenimi i thellë i barazisë në garë, duke mbajtur liderin e Opozitës në arrest politik, pa asnjë provë, dëshmi, dokument, dhe pa akuzë qoftë edhe formalisht.

Kushdo që mendon se tërheqja e Ramës para zgjedhjeve dhe hapja e rrugës së një qeverie teknike është sakrilegj, është një sakrificë e madhe, është një utopi, thjesht beson se pushteti dhe privilegjet e këtij njeriu, qenkan më të rëndësishme se Shqipëria, se fatet e vendit.

Dalja nga kriza është një nevojë që kapërcen çdo dëshirë, e çdo lakmi të një individi, e një grushti rreth tij. Kemi vendin fqinj, Maqedoninë e Veriut, që e ka sanksionuar këtë në ligje, dhe vetëm pak javë më parë pamë se u realizua me qeverinë teknike atje, një proces i rregullt zgjedhor, që u njoh nga palët. Ç’ka garanton legjitimitet për fituesin, dhe stabilitet në shoqëri.

Nga ana tjetër, lirimi i Sali Berishës është përtej të qënit dëshirë demokratësh. Është premisa e padiskutueshme për të siguruar barazinë bazike në garë. Është po ashtu, korigjimi i një akti thellësisht të padrejtë që ndodh në zemër të Europës, në një vend anëtar të NATO e aspirant për t’u anëtarësuar në BE.

Asgjë e tepërt në këto dy kërkesa të Opozitës dhe të kohës. Çdo gjë e tepërt, në moskonsiderimin e tyre.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb