Një ngjarje e pazakontë është regjistruar në fshatin Dragostunjë të bashkisë së Librazhdit këtë javë. Persona ende të paidentifikuar kanë vjedhur paratë që ndodheshin në kasafortën e xhamisë së fshatit Dragostunjë.
Vjedhja është konstatuar mesditën e të martës nga besmitarët të cilën kishin shkuar për t’u falur në këtë objekt kulti. Ata janë trishtuar jashtëzakonisht shumë kur kanë konstatur që njëra nga dritaret e xhamisë ishte dëmtuar dhe kanë dyshuar që kjo ishte vepër e keqbërësve.
Pasi janë futur brenda xhamisë kanë konstatuar se kasaforta që ndodhej aty ishte hapur me levë dhe ishin grabitur paratë që ndodheshin aty. Imami i xhamisë së Dragostunjës ka konfirmuar ngjarjen e cila është një nga më të rëndat e ndodhura aty.
Që nga koha e rihapjes së institucioneve të kultit në Rrethin e Librazhdit pas vitit 1990 sipas besimtarëve myslimanë dhe jo vetëm, nuk është rregjistruar ndonjë rast i vjedhjes së arkës apo i thyerjes së kasafortës në xhamitë e kësaj zone. Në xhaminë e Dragostunjës për çdo vit besimtarët kontribuojnë në vlera të konsiderueshme në arkën e këtij objekti kulti.
Vitin e kaluar konfirmohet se besimtarët kontribuan me 3.4 mln lekë dhe gjatë muajve të parë të këtij viti shuma e parave të dhuruara nga besimtarët me rastin e Fiter Bajramit ka qenë e konsiderueshme.
Kjo mesa duket ka nxitur vjedhësit të futen aty gjatë paradites së të martës duke thyer një nga dritaret e xhamisë.
Paraprakisht dyshohet që vjedhja është kryer nga disa persona dhe ka qenë e mirëorganizuar. Besimtarët dhe i gjithë komuniteti i Dragostunjës kërkojnë që policia të zbardhë sa më shpejt ngjarjen dhe të identifikohen autorët e vjedhjes së parave nga kasaforta e xhamisë dhe ata që e kanë kryer këtë akt të shëmtuar të dënohen maksimalisht nga ligji.
Arka ose kasaforta e xhamive hapet gjatë vitit vetëm një herë dhe kjo zakonisht ndodh në javën e fundit të muajit dhjetor dhe me këto para ndihmohen familjet e varfëra.
(BalkanWeb)