Edhe pse kundërshtarë në ring, Deontay Wilder dhe Luis Ortiz krijuan një lidhje të fortë në duelin e tyre të parë në mars të vitit 2018. Asokohe kampioni i WBC-së e mbrojti titullin e tij, mirëpo ia ka mundësuar kubanezit një shans të dytë.

Dy boksierët do të ndeshen sërish të shtunën mbrëma (mëngjesin e të dielës me kohën tonë) në MGM Grand Garden Arena të Las Vegasit, ndërsa sërish është në garë titulli i kampionit të botës në kategorinë e peshave të rënda.

Dy boksierët ndajnë një të përbashkët të dhimbshme që është më e madhe se boksi dhe njëherësh është arsyeja kryesore për të cilën luftojnë. Vajzat e yjeve të boksit në kategorinë e peshave të rënda, kanë lindur me aftësi të veçanta dhe kanë nevojë për kujdes të veçantë mjekësor.

Ortiz e dërgoi vajzën e tij Lismercedes nga Kuba drejt SHBA-ve kur ajo ishte katërvjeçare, në mënyrë që të kërkonte mjekim për një gjendje të rrallë të lëkurës të quajtur epidermolysis bullosa, në të cilën lëkura apo fshikëzat dëmtohen në prekjen më të vogël. Forma më serioze e sëmundjes është vdekjeprurëse.

Nga ana tjetër, vajza e madhe e Wilder, Naieya, ka lindur në vitin 2005 me spina bifida, një defekt në lindje që ndodh kur shtylla dhe palca kurrizore nuk formohen siç duhet (ekziston një mbyllje jo e plotë e shtyllës vertebrale dhe membranave rreth palcës kurrizore). Pikërisht, vajza ishte arsyeja pse Deontay filloi të merrej me boks, në mënyrë që t’ia siguronte kujdesin e duhur shëndetësor./Telegrafi

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb