Asnjë i dyshuar për vrasjen mafioze të avokatit në qendër të Elbasanit. Ravik Gurra, prej 10 vitesh avokat, u qëllua me dy plumba në kokë, ndërsa ishte ulur për të konsumuar kafe në një lokal bashkë me një përfaqësues të Avokatit të Popullit.

Për ekzekutimin e 50-vjeçarit, autori i maskuar me një kapele ka përdorur një pistoletë me silenciator. Nga rindërtimi i ngjarjes, autori i është afruar qetësisht Gurrës dhe më pas e ka qëlluar pas koke dhe më pas është larguar me shpejtësi. Për të mos krijuar dyshime, autori, në momentin që është drejtuar për te tavolina ku qëndronte Gurra, e ka përshëndetur me dorë.

Kamerat e sigurisë kanë arritur të kapin autorin, por Policia dhe Prokuroria deri tani nuk kanë qenë në gjendje të bëjnë identifikimin e tij. Ravik Gurra, babai i dy fëmijëve, prej vitesh bënte një jetë mes Shqipërisë dhe Britanisë së Madhe, ku jetonte bashkë me familjen që prej vitit 1998. Dy çështjet më të rëndësishme që 50-vjeçari ka mbrojtur në vendin tonë lidhen me fisin Çapja në Elbasan si dhe Emiljano Shullazin në Tiranë. Përveç Shqipërisë, Gurra ushtronte profesionin e avokatit dhe në Angli, ku kishte themeluar zyrën e quajtur “Gurra & D”, ku kryesisht merrej me çështje të emigrantë shqiptarë në vendin ishullor.

HETIMET
Hetimet për zbardhjen e vrasjes së Ravik Gurrës i kanë kaluar Prokurorisë për Krimet e Rënda në Tiranë, pasi bëhet fjalë për ekzekutim të funksionarëve publikë. Grupi hetimor që po punon për zbardhjen e vrasjes mafioze, ende nuk ka një të dyshuar konkret, ndërkohë që për t’u marrë në pyetje janë shoqëruar shumë persona. Ngjarja ndodhi në qendër të qytetit, ku ndodhen dhe shumë institucione publike. Gjithçka ka qenë shumë e shpejtë sa dhe miqtë e tij dhe dëshmitarë në ambientet e jashtme të lokalit kanë menduar se avokatit i kanë rënë të fiktë kur e panë të shtrirë në tokë.

Por shumë shpejt është kuptuar nga gjaku që ai është vrarë. Akti ka qenë shumë i shpejtë dhe i mirorganizuar sa dëshmitarët nuk kanë mundur të bëjnë një identikit të autorit, i cili, duke përfituar nga errësira, është larguar me ecje të shpejtë. Dyshohet se një mjet tip “Benz” e ka pritur atentatorin jo shumë larg vendit të ngjarjes. Më pas, autorët kanë djegur makinën në afërsi të fshatit Karakullak, pranë rrethrrotullimit të Bradasheshit për të zhdukur çdo gjurmë. Autori është fiksuar nga kamerat e sigurisë, por deri tani nuk është bërë i mundur identifikimi i tij për shkak se në kokë ai mbante një kapele, gjë e cila bën që të mos i shquhet fytyra. Hetuesit kanë sekuestruar dhe kamerat e sigurisë përgjatë itinerarit që autorët kanë përdorur për t’u larguar në mënyrë që të arrijnë në identifikimin e autorit dhe bashkëpunëtorëve të tij. Ka dyshime të forta se autori është paguar, ndërsa konsiderohet vrasje për shkak të detyrës.

VIKTIMA
Ravik Gurra ishte i diplomuar për Drejtësi në Universitetin e Tiranës. Në vitin 1998, 50-vjeçari emigroi në Britaninë e Madhe ku u zhvendos bashkë me familjen. Në Angli, Gurra mësohet se ka punuar si përkthyes në Gjykata, Ministrinë e Emigracionit dhe Polici. Gurra, gjithashtu, ka studiuar për Avokati dhe në Britani, ku edhe kishte hapur një studio ligjore.

Kolegë të Gurrës në Shqipëri shprehen të befasuar për ngjarjen pasi vetë 50- vjeçari nuk u kishte shprehur atyre asnjë shqetësim. Ndërsa banorët e Elbasanit që kishin njohje me avokatin shprehen të indinjuar për ngjarjen. “Turp ku jetojmë, turp çfarë njerëzish po edukojmë, po vritemi në mes të rrugës dhe asnjë nuk na mbron”. Këto janë disa nga komentet e opinionit elbasanas në këtë ditë të vrasjes së avokatit. Ndërkohë që nga mbrëmja e së premtes e në vijim, qyteti është blinduar nga Policia dhe forca të RENEA-s, të cilët kanë ushtruar kontrolle në banesa në akse të ndryshme dhe në lagje të qytetit./Panorama

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb