Nisur nga ngjarja e fundit ku gjatë një proteste para Parlamentit, mbeti e plagosur nga një kapsollë efektivja Ina Nuka, Policia e Shtetit ka ndërmarrë një plan masash për parandalimin dhe sekuestrimin e kapsollave dhe lëndëve piroteknike me rrezikshmëri për jetën e qytetarëve.



Policia prej disa ditësh vijon zbatimin e detyrave të përcaktuara në Planin e Masave për kontrollin e tregjeve dhe bizneseve që kryejnë aktivitet në tregtimin e lëndëve piroteknike dhe fishekzjarrëve.
“Në këtë kuadër, bazuar dhe në Ligjin Nr.9126, datë 29.07.2003 “Për përdorimin civil të lëndëve plasëse, lëndëve piroteknike e fishekzjarrëve në Republikën e Shqipërisë” si dhe Urdhrit të MB nr. 229, datë 08.05.2015 “Për miratimin e rregullores për mënyrën, kushtet dhe kriteret e magazinimit dhe përdorimit të lëndëve piroteknike e fishekzjarrëve”, gjatë ditëve të fundit në të gjithë vendin nga strukturat e policisë është ushtruar kontroll në subjekte (dyqane dhe tregje), “Për mënyrën kushtet dhe kriteret e magazinimit e përdorimit të lëndëve pritoteknike e fishekzjarrëve”. Janë kontrolluar 1136 subjekte (dyqane të ndryshme, markete apo supermarkete) si dhe tregje të shumicës.


Si rezultat i kontrolleve janë sekuestruar 643 kapsolla, si dhe 487 fishekzjarrë që dyshohet se kanë në përbërje lëndë shpërthyese me rrezikshmëri për jetën. Janë dërguar materialet për vlerësim në Prokurori për 3 subjekte ku janë gjetur dhe sekuestruar kapsolla. Kontrollet janë përqendruar edhe në verifikimin e plotësimit të masave shtesë të sigurisë, si kamera dhe fikse zjarri.

Policia e Shtetit iu bën thirrje të gjitha bizneseve që të mos tregtojnë kapsolla apo lëndë piroteknike si dhe të plotësojnë kushtet dhe kriteret për magazinimin dhe tregtimin e lëndëve piroteknike dhe fishekzjarrëve, konform ligjit. Policia e Shtetit iu bën thirrje prindërve që mos të lejojnë fëmijët të përdorin të tilla mjete shpërthyese pasi janë rrezik potencial për jetën e tyre dhe të të tjerëve, si dhe fton qytetarët për të denoncuar çdo rast të tregtimit të lëndëve të mësipërme në numrin pa pagesë 112 apo në aplikacionin “Komisariati Dixhital””, thuhet në njoftimin e policisë.
(ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb