Një 82-vjeçar është gjetur i masakruar me thikë në banesën e tij në lagjen 16 të qytetit të Durrësit. Gazetarja Klodjana Haxhiaj raporton se viktima është identifikuar me emrin Paulin Gina dhe jetonte i vetëm në banesë.
Fillimisht kanë qenë vajzat e tij që jetojnë jashtë vendit, që e kanë telefonuar, por nuk merrnin përgjigje nga ai. Ato kanë njoftuar disa të afërm që të shkojnë dhe të interesohen. Këta të fundit kanë hapur derën me forcë me ndihmën e zjarrfikësve dhe kanë parë që ai ishte goditur me thikë në trup dhe fytyrë.
Mësohet se po hetohet edhe pista e një vetëvrasje.
Forca të shumta policie po kryejnë kontrolle në zonë, ndërkohë që po sekuestrohen edhe kamerat e sigurisë që ndodhen në zonë për të hedhur dritë rreth ngjarjes.
Reagon Policia
Durrës/Informacion paraprak
Rreth orës 18:50, në lagjen nr. 16, Durrës, është gjetur në banesën e tij pa shenja jete shtetasi P. G., 82 vjeç.
Në vendngjarje shkoi grupi hetimor dhe eksperti mjeko ligjor.
Pas këqyrjes paraprake të trupit të 82-vjeçarit dhe nga hetimet paraprake dyshohet se 82-vjeçari është goditur me mjet prerës (thikë) dhe për pasojë ka humbur jetën.
Grupi hetimor nën drejtimin e Prokurorisë po punon për sqarimin e rrethanave, identifikimin dhe arrestimin e autorit/ve.
(BalkanWeb)