Një 15-vjeçar është vrarë me thikë në qytetin e Shkodrës mbrëmjen e sotme pas një konflikti me një person tjetër.
Raportohet se gjatë një konflikti për motive të dobëta, një shtetas ende i paidentifikuar ka goditur thikë 15-vjeçarin E. Gj. i cili si pasojë e plagëve të marra ka ndërruar jetë në Spitalin Rajonal Shkodër.
Sakaq, shërbimet e Policisë kanë shkuar menjëherë në vendngjarje ku po punojnë për identifikimin dhe kapjen e autorit.
Njoftimi i policisë:
Shkodër/Informacion paraprak
Rreth orës 19:30, në zonën e Fermentimit, në lagjen “Skenderbeg”, dyshohet se gjatë një konflikti për motive të dobëta, një shtetas ende i paidentifikuar ka dëmtuar me mjet prerës (thikë), një të mitur 15-vjeç, i cili si pasojë e plagëve të marra ka ndërruar jetë në Spitalin Rajonal Shkodër.
Shërbimet e Policisë kanë shkuar menjëherë në vendngjarje ku po punojnë për identifikimin dhe kapjen e autorit.
Ndërkohë, vijon puna e grupit hetimor, për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes.