Një ngjarje e rëndë ka ndodhur të dielën në qytetin e Gjakovës në Kosovë.
Një fëmijë 3 vjeç ka ndërruar jetë në Spitalin Rajonal të Gjakovës, shkruajnë mediat e Kosovës. Lajmin për Telegrafin e kanë konfirmuar nga Policia e Gjakovës.
Drejtori i Policisë së Kosovës për rajonin e Gjakovës, Lumni Graishta tha për Telegrafin se fëmija ka ndërruar jetë si pasojë e lëndimit nga rënia e dyerve të oborrit.
“Rasti ka ndodhur dje në Rahovec. Fëmija i moshës 3 vjeçar ka qenë duke luajtur në oborr ku disa dyer që kanë qenë jashtë përdorimit janë rrëzuar dhe i kanë rënë atij. I njëjti me urgjencë është sjellur në Spitalin e Gjakovës ku edhe ka ndërruar jetë”, tha Graishta.
Ai shtoi se rasti është kualifikuar si “shkaktim i rrezikut të përgjithshëm”.
Telegrafi ka kontaktuar edhe me Prokurorinë për të marrë më shumë informacione lidhur me këtë ngjarje, por deri më tani nuk ka marrë përgjigje.