Psikoterapisti Elton Kazanxhi vjen në një rrëfim ekskluziv në studion e emisionit “Fol me psikologen” të autores Ervisa Lula. Duke u bazuar në 13 vitet e eksperiencës në klinikën e tij në shtetin italian, ai jep dhe shpjegon teknika konkrete se si duhet vepruar në rastet e problemeve të ndryshme si ataku i panikut, kur pushtohemi nga ankthi, kur kafshojmë thonjtë, kur jemi të varur nga duhani apo drogërat, kur duam të heqim dorë nga abuzimi me alkoolin, kur hamë në mënyrë të pakontrolluar etj.

Ai ka sjellë në shqip edhe librin e tij të parë të titulluar “Kurthet e mendjes dhe si të dalim prej tyre”. Kazanxhi shpjegon rastet konkrete të 2 pacientëve të tij. Rasti i parë është Simone i cili punon si menaxher i një kompanie të madhe në Itali dhe që vuan nga ataku i panikut. Ai sapo hipën në avion ka ndjesinë se po i merret fryma, zemra po i del vendit nga rrahjet e forta dhe të shpejta, i duket sikur do vdesë në atë moment, ndërkohë që e gjithë kjo është një frikë joreale.

Ndërsa rasti i dytë është Filipo i cili përjeton emocione të forta dhe kafshon dorën sa herë që del në ekran një politikan pasi ka dëshirë të hakmerret. Nga kafshimet e forta të dorës ai kishte shkaktuar një problem serioz në lëkurë dhe nuk arrinte dot ta kontrollonte sjelljen e tij. E ftuar në studio ka qenë dhe psikologia klinike Lediona Braho e cila ka folur për burgjet apo skenarët mendorë të cilët të gjithë njerëzit pa përjashtim i krijojnë në situata të ndryshme.

Ato janë si zgjidhje të tentuara ndaj problemeve. Në libër janë shpjeguar 7 kurthe mendore duke filluar nga vetëmashtrimi, mashtrimi i pritshmërive, miti i arsyetimit perfekt, mashtrimi emocional, mbivlerësimi i njerëzve që duam si shembull mund të japim prindërit për fëmijët.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb