Sot në emisionin “Me Zemër të Hapur” ka rrëfyer historinë e tij të trishtë Dritan Vrapi, babai i 5 fëmijëve. Dritani kërkoi të përballej me ish-bashkëshorten, e cila ka braktisur tre fëmijët e saj prej nëntë vitesh dhe nuk ka paguar kurrë detyrimin ushqimor për ta, por ajo nuk pranoi të fliste. Dritani u martua 12 vite më parë me ish-gruan, pasi u njoh me të nga një mik i përbashkët.

Çifti në atë kohë vendosi të lidhte jetën së bashku pas një periudhe 6-mujore. Në jetë erdhën tre fëmijë ,dy vajza dhe një djalë. Dritani për të mbajtur familjen emigroi në Greqi. Por, kur ai rikthehej në Shqipëri, shpesh herë kuptonte se bashkëshortja sillej çuditshëm.

Derisa mori vesh nga fëmijët e tij se ajo bisedonte me të tjerë në rrjetet sociale. Pas debatesh të shpeshta, erdhi dhe divorci. Gjykata i la në ngarkim babait dy fëmijë, ndërsa nënës fëmijën e vogël. Dritani thotë se ajo nuk e mori në ngarkim as fëmijën e tretë, duke i braktisur të tre. Në të tilla rrethana, babai i rriti i vetëm fëmijët, si dhe krijoi një tjetër familje, duke u rimartuar. Nga martesa e dytë, ai ka dhe dy fëmijë të tjerë. Sot, ky baba hero kërkoi të përballet me ish-bashkëshorten, në mënyrë që të merrte një prokurë prej saj, që të lëvizte i lirë me fëmijët.


“Ajo mori të mirët, mua më la të këqinjtë, pasi njëri fëmijë ishte i sëmurë. Goca që kam sot ishte e sëmurë, ka qenë e sëmurë, me grykët, me veshët. Ajo nuk e pranoi këtë. Në komunikimin me të pasi iku i thashë se bëri mirë që i ra telefonit, por fëmijët tani janë rritur. I thashë që nuk ka pengesë për të takuar fëmijët. Kërkoj një prokurë prej saj, që të jem i lirë me fëmijët e mi”, tregoi Dritani.


Bashkëshortja e re e Dritanit, Ana, tregoi marrëdhënien me fëmijët e braktisur nga nëna e tyre, duke thënë se kanë thirrur “nënë” që në momentin e parë që e kanë parë.


“Dy fëmijët e mëdhenj nuk pyesnin kurrë për nënë e tyre, se e mbanin mend, ata ishin të lumtur, mua më kanë thirrur ‘nënë’ që në çastin e parë. Pak muaj më parë, nëna e tyre më shkroi mua. Në fillim folëm normalisht, pastaj po më jepte urdhra dhe e bllokova. Fëmijëve iu kam dhënë urdhër që të flasin me nënën e tyre”, tha Ana.

Të gjitha pretendimet u rrëzuan nga motra e ish-bashkëshortes së Dritanit, e cila tha se motra e saj ishte torturuar prej tij, duke u detyruar të braktisë fëmijët.

“Babai im nuk është në gjendje të flasë. Ai që është aty nuk po thotë asgjë të vërtetë. Ai e ka torturuar motrën time. Nëna e tij ka marrë sëpatën me e pre si kafshë. Dritani motrën time nuk e ka lënë me marrë frymë, erdhi te prindërit e mi dhe i kërkoi motrës sime dorën dhe prindërit ia dhanë. Ai e di çfarë ka bërë në motrën time. Dritani të thotë të vërtetën se ka ikur në Greqi dhe motrën time e ka lënë si qyqe aty, ia kanë nxjerrë në telefon duke i thënë çdo gjë. Dritani gjeti tjetrën, torturoi motrën time. Motra ime u detyrua të brakisë fëmijët, u keqtrajtua në mënyrë barbare. Ne kemi pasur komunikim me fëmijët, por kur ata nuk duan nënë e tyre s’kemi pse flasim me ta. Nuk dua t’ia di fare çfarë bën Dritani, por të thotë të vërtetën sa e ka torturuar motrën”, deklaroi motra e ish-bashkëshortes.

Por, kështu nuk mendon as vajza e madhe e Dritanit, e cila tha në një lidhje telefonike në emisionin “Me Zemër të Hapur” se nëna e saj e dhunonte, së bashku me motrën e vëllain. Ndonëse e vogël në kohën kur prindërit e saj janë divorcuar, Ema u shpreh se nënës së saj i ikte truri dhe vinte dorë, ndaj dhe ajo me dy fëmijët e tjerë zgjodhën vetë të rrinin me të atin.

“Me sa mbaj mend unë, edhe mami nuk ka qenë, s’di si ta shpjegoj’, ka pasur probleme mendore. Edhe te ne ka zgjatur duart, nuk na ka trajtuar shumë si fëmijë, ndaj dhe ne u ftohëm. Donim gjithmonë që babai të na mbante më afër, ndaj dhe nuk deshëm të shkonim te mami, pas divorcit. Ndoshta i ikte truri dhe vinte duart. Ndoshta kam qenë dhe e vogël e nuk kam ndikuar mirë, por nëse do na donte, do të ishte bërë e gjallë këto vite”, tha vajza.

(BalkanWeb)