Anëtari i Kryesisë së PD-së, Grigels Muçollari ka qenë sot në Porto Romano për të parë nga afër situatën ku ruhen 102 kontejnerët me mbetje të dyshuara toksike. Ai shprehet se vendi ku ndodhen mbetjet është i rrethuar me mure të larta dhe nuk dihet se çfarë ndodh pas tyre.

“Jemi këtu në Porto Romano në Durrës, në distancën që të lejon policia, ku janë vendosur 102 kontejnerët me mbetjet e rrezikshme të dyshuara si toksike. Prej disa ditësh, këto lëndë, që përshkuan botën por u kthyen të konsideruara si trafik ilegal, janë mbyllur pas këtij muri dhe e kontrolluar nga policia. Qytetarët, nuk dinë se çfarë po ndodh. Qeveria prej fillimit nuk ka bërë detyrën, nuk ka bërë transparencë. Edhe pse ajo është totalisht përgjegjëse për këtë situatë”, tha Muçollari.

Ai shtoi se “Ministrja e Mjedisit na tregon çdo ditë sa i mirë është byreku që bëhet në Gjirokastër, por nuk bën detyrën për të cilën paguhet, për të cilën ka përgjegjësi ligjore dhe morale”.

“Nga erdhen këto mbetje, kush i gjeneroi, sa janë të tilla në Shqipëri? Sa të rrezikuar jemi, sa është prekur ekosistemi ynë nga lëndët e rrezikshme? E vërteta duhet të dalë. Vetëm e vërteta do të na ndihmojë që ta trajtojmë si duhet këtë fenomen, dhe ta parandalojmë që të mos ndodhë më. Edhe prokuroria e Durrësit, ka detyrimin të sqarojë qytetarët se deri ku ka shkuar me këto hetime. Edhe pse kushdo e di mirë, se ajo nuk do të nxjerrë dot përgjegjësitë qeveritare për këtë skandal”, deklaroi ai.

Sipas demokratit, e gjitha sa po ndodh deri tani, nuk i shërben transparencës, hapjes, por e kundërta, kjo histori ka tendencën të mbyllet. “Pasi, nuk po zbatohen kriteret ndërkombëtare në këtë rast, që janë marrja e mostrave në 3 kontejnerë me vulë të pademtuar në sytë e të gjithëve, dhe dërgimi i tyre për analizë në 3 laboratore të ndryshme të çertifikuara, mundësisht në vendet e BE. Nëse kjo do t’u lihet në dorë autoriteteve tona, kuptohet se përfundimet dhe konkluzionet do të lexohen nga dikush, po do të jenë të shkruara në tavolinën e Edi Ramës. Edi Rama kërkon të shpëtojë nga kjo përgjegjësi, nga ky siklet i rëndë i përfshirjes në trafik illegal të mbetjeve të rrezikshme. Ndërsa ne, qytetarët e vendit, duam të dimë të vërtetën për mjedisin, për shëndetin për ekonsistemin tonë. Cila është më e rëndësishme?”, tha Muçollari.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb