Aksioni i Kostandin Kaçifas nuk ka qenë i panjohur për autoritetet greke. Madje ata kishin dijeni për përkatësinë e tij politike, ekstremizmin, por jo llojin dhe përmasat e aksionit të tij. Në momentin që ai ka hyrë në veprim në tokën shqiptare, paralelisht me njoftimet nga terreni, policia shqiptare ka marrë edhe kërkesën e homologëve grekë  që të bllokojnë  futjen e tij në territorin grek. Nuk është hera e parë që policia shqiptare paguan kostot e vonesave të palës greke.

Gjithsesi pas kësaj policia shqiptare nuk ka pasur nevojë për shtytje pasi Kaçifas ka derdhur plumba mbi ata dhe gjurmët e tyre janë mbi automjete apo në pozicionet e trupave RENEA. Gjithë sa thuhet më vonë për rrugët që mund të ndiqnin trupat shqiptare për neutralizimin e agresorit, janë hamendësime profanësh. RENEA është një trupë e parametrave perëndimor e trajnuar nga specialistë perëndimorë dhe zbaton standardet e tyre.

Ajo që ka qenë një operacion i thjeshtë policor, po rrezikon të shndërrohet në një tallava tipike ballkanike. Gjithçka do ishte mbyllur në kuadrin e një operacioni neutralizimi të elementit kriminal sikur bjerrakohësit e rrjetit mos fillonin të shtënat nga frëngjitë e rrjeteve sociale dhe pastaj e gjitha të kalërohej nga portalet për të përfunduar në gojën e politikanëve të dorës së dytë që duan të rrisin kredibilitetin.

Gjatë këtyre momenteve nuk kanë munguar nxitjet e idiotëve të rrjetit, të cilët nuk shquhen për diversitet. Nga pala shqiptare kryesonte një farë Arben Llalla. Ky kishte marrë një foto trupash komando të s’dihet kujt shteti dhe e paraqiste si mbështetëse të Kostandinit që prisnin në kufirin greko-shqiptar që ta tërhiqnin. Askush nuk  mori se nga e kishte burimin ky mitoman dhe ku i kishte gjetur pamjet e kufirit grek në Elbasanin ku banon. Gjithë portalet botonin këtë foto dhe krijonin psikozën sikur Greqia ishte rreshtuar për luftë.  Nuk mungonin as debilët nga krahu tjetër të cilët premtonin marrjen e gjakut apo përdorimin e aviacionit për të bombarduar Shqipërinë. Ekstremet e budallallëkut bashkohen. Dhe pas kësaj nuk munguan as politikanët e dorës së dytë dhe të tretë që kanë shkuar në vendngjarje që të gjejnë një kauzë.

Aktualisht marrëdhëniet mes dy vendeve nuk janë në fazën rozë, por as nuk duhen lejuar të përfundojnë në banalitete. Vetë Tsiprasi nuk është shprehur mbi ngjarjen. Rama mund ta kursente komentin në ‘Facebook’. E mira është që edhe politikanët e skalionit të dytë të gjejnë kauza të tjera. Sa ndodhi në Bularat ishte një operacion i thjeshtë policor i menaxhuar me sukses nga policia shqiptare. Të gjithë fitojnë nga bashkëpunimi në fushën e krimit dhe marrëdhëniet mes dy popujve humbasin nga përdorimi i krimit për qëllime politike. Kostandin Kaçifas për njëqind arsye që mund të jenë shëndetësore apo sociale, kishte zgjedhur ta shprehte frustrimin e tij në një mënyrë që e pagoi shtrenjtë. Për fat numri i viktimave u mbyll tek ai. Dhe aty duhet të mbyllet edhe kjo histori.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb