VLORE – Kur ka kaluar gati një javë nga masakra në Palasë, Himarë, autori i saj ka folur vetëm dy fjalë. “E vrava se më mërziti”, i tha Jorgo Zani inspektorit të antikrimit që tentoi ta merrte në pyetje. Më pas ka heshtur dhe askush nuk e ka dëgjuar të thotë diçka rreth krimit makabër. 31-vjeçari është vendosur i vetëm në një qeli të paraburgimit të Vlorës.

Nuk ka asnjë deklaratë të firmosur prej tij, pasi hetuesit nuk kanë mundur t’i marrin asnjë rrëfim, përveçse: “E vrava se më mërziti”. Burime të policisë tregojnë se atij nuk i është vendosur asnjë mjekim. Por megjithatë gjatë gjithë kohës qëndron i heshtur dhe nuk ka treguar asnjë shenjë agresiviteti.

Pritet mbledhja e një komisioni ku do jenë edhe mjekë psikiatër, për të caktuar se ku do të vendoset në të ardhmen. Zani është diagnostikuar me çrregullime të personalitetit.

Ai ka qenë një herë i shtruar në spitalin psikiatrik të Vlorës, sikurse edhe në Greqi është trajtuar me antipsikotik. Momentin kur ai ka kryer krimin, nuk ka patur asnjë dëshmitar. Ai u kap nga policia pasi i kishte prerë kokën 12-vjeçarit Andrea Zani, djalit të kushërirës së tij që jeton në Greqi.

Për shkak të përmasave tronditëse të ngjarjes, policia ende nuk ka shpjeguar mekanizmin e vrasjes, që besohet se është bërë me hanxhar. Minoreni, mëngjesin e së enjtes doli nga shtëpia e gjyshes, ku kishte shkuar me pushime, kurse Jorgo Zani i kishte zënë pritë në një rrugicë lagjeje. Skenat e mëvonshme kanë qenë horror dhe kanibaliste. /ABC/
(er.nu/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb