Viti 2024 po mbyllet me dy arritje të rëndësishme për sektorin financiar në Shqipëri: Pranimi në zonën e vetme të pagesave në Euro (SEPA) dhe zbatimi i Ligjit “Për shërbimin e pagesave”, i cili ka hyrë në fuqi në 2021, i mbështetur mbi parimet e Direktivës së Dytë të Bashkimit Europian për pagesat, PSD 2.
Përsa i përket këtij të fundit, Banka e Shqipërisë sapo ka licensuar EasyPay si operatorin e parë në Shqipëri, që do të implementojë pagesat në lidhje me Bankingun e Hapur dhe sipas tyre. Ky është një hap i rëndësishëm që forcon pozitat e kompanisë EasyPay si lider i inovacionit dhe i teknologjisë financiare, duke e vendosur kështu atë në krye të sektorit të fintech në rajon.
Çfarë është Bankingu i Hapur?
Bankingu i Hapur është një proces që lejon përdoruesit e institucioneve financiare të ndajnë të dhënat e tyre financiare (me pëlqimin e tyre të qartë dhe të informuar) me ofrues të tjerë të shërbimeve financiare, si banka të tjera, fintech-e dhe ofrues të shërbimeve të pagesave, në një mjedis të sigurt dhe të kontrolluar.
Për konsumatorët, banking-u i hapur ofron pagesa të sigurta dhe në kohë reale, duke reduktuar kostot dhe shmangur tarifat e kartave që arrijnë deri në 3% të vlerës së transaksionit. Ndërsa, për tregtarët, redukton tarifat e përpunimit të pagesave deri në 50%, përshpejton përfundimin e transaksioneve nga disa ditë në sekonda dhe ul ndjeshëm kostot nga kthimet dhe mashtrimet, duke kursyer miliarda çdo vit për bizneset.
EasyPay: Një pionier në sektorin fintech në Shqipëri dhe Ballkan
Me mbi 14 vjet eksperiencë në sektorin e pagesave në Shqipëri, EasyPay ka qenë një ndër promovuesit dhe lobuesit e parë në treg për zhvillimin e teknologjive që transformojnë sektorin e financave dhe ka luajtur një rol mjaft aktiv në edukimin dhe përfshirjen financiare nga njëri skaj i Shqipërisë në tjetrin.
Të qenurit nga institucionet e parë që siguron licencën për implementimin e Bankingut të Hapur, jo vetëm në Shqipëri, por edhe në Ballkanin perëndimor, është rezultat i një pune të vazhdueshme dhe të palodhur për të siguruar shërbime të avancuara dhe të sigurta për klientët, duke krijuar gjithashtu mundësi bashkëpunimi me institucionet më të mëdha financiare bankare në vend dhe ofrues të tjerë shërbimesh financiare.
EasyPay është angazhuar maksimalisht duke e udhëhequr procesin e implementimit të Bankingut të Hapur në Shqipëri që në krye të herës. Gjatë kësaj kohe ka dhënë kontribut të veçantë duke qënë institucioni i parë i cili ka aplikuar për licence, dhe gjithashtu ka udhëhequr procesin paraprak të diskutimeve dhe integrimeve të sistemeve të saj financiare me Bankat. Gjatë gjithë vitit 2024 ka punuar në mënyrë intensive me Bankat, si dhe autoritet rregullatorë si Banka e Shqipërise dhe AKCESK, duke kryer testimet e nevojshme.
Ky hap i rëndësishëm, jo vetëm që forcon pozitat e EasyPay në treg, por gjithashtu shërben si një gur i rëndësishëm në themelin e zhvillimit të ekosistemit fintech në Shqipëri dhe në Ballkan.
Sfidat e të Ardhmes
Marrja e licencës si aktori i parë që do të implementojë Bankingun e Hapur në Shqipëri, është një tregues suksesi për EasyPay dhe një dëshmi e angazhimit të kompanisë për të avancuar dhe përmirësuar shërbimet financiare në Shqipëri dhe Ballkan, si dhe një fillim i ri për një të ardhme po aq të angazhuar sa edhe sfiduese për sektorin e pagesave.
EasyPay do të vazhdojë të jetë një aktor kyç në ofrimin e shërbimeve të avancuara që do të ndihmojnë konsumatorët të marrin më shumë kontroll mbi financat e tyre, në promovimin e inovacionit dhe transparencës në sektorin e financave, duke u përpjekur që gjithmonë të ofrojë produkte dhe shërbime të sigurta, të avancuara dhe që plotësojnë kërkesat e një tregu gjithnjë e më të kërkuar dhe të sofistikuar.