Gjithsej 138 grupe ndërkombëtare për të drejtat e njeriut sot kërkuan që qeveria e Emirateve të Bashkuara Arabe (EBA) të lirojë menjëherë aktivistin Ahmed Mansoor.

Organizatat Human Rights Watch, Amnesty International, Qendra e Gjirit për të Drejtat e Njeriut dhe dhjetëra grupe të tjera i dërguan letër të hapur presidentit të EBA-së, Khalifa bin Zayed Al Nahyan duke kërkuar që mbrojtësi i të drejtave të njeriut Mansoor “i burgosur padrejtësisht” të lirohet menjëherë.

“Derisa EBA promovon veten si një shtet tolerant dhe respektues të të drejtave, Ahmed Mansoor, njeriu që u përpoq për aq shumë njerëz të burgosur padrejtësisht para tij, qëndron për të shënuar ditëlindjen e tij të 50-të në izolim në kushte të mjerueshme”, tha Sarah Leah Whitson, drejtori i Human Rights Watch për Lindjen e Mesme, në letrën e postuar në faqen e tyre të internetit.

“Në të gjithë botën, organizatat dhe individët po bashkojnë forcat për t’i bërë thirrje EBA-së që të mos e lejojnë Mansoor-in të kalojë një ditëlindje të tretë në burg”.

Nënshkruesit e letrës shprehën shqetësimin e tyre të madh për shëndetin e Mansoor-it, të cilin EBA e ka mbajtur në izolim për një periudhë të gjatë.

Në mars të vitit 2017, autoritetet e EBA-së arrestuan Mansoor-in dhe që atëherë ai nuk ka asnjë qasje tek avokati, duke e vizituar në mënyrë të kufizuar vetëm familja e tij.

Mansoor u dënua me 10 vjet burg pas një gjykimi të mbyllur në maj të vitit 2018, ku u akuzua për fyerje ndaj “statusit dhe prestigjit të EBA-së dhe simboleve të tij”, përfshirë drejtuesit e saj, bazuar në thirrjet e tij paqësore për reforma.//AA

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb