MILOT

Kryedemokrati Lulzim Basha tha nga Miloti se opozita shqiptare nuk do të lejojë që me 30 qershor të zhvillohen zgjedhje, pasi sipas tij, me Edi Ramën kryeministër nuk mund të ketë garë të ndershme. Ai theksoi se në vend nuk ka opozitë tjetër, por opozita e vërtetë është  PD-ja me aleatët e saj.

Kryetari i Partisë Demokratike e cilësoi kryeministrin Rama si kujdestarin e krimit elektoral dhe për këtë, shtoi ai, opozita do të luftojë sy për sy dhe dhëmbë për dhëmbë për të larguar një orë e më parë dorën e krimit nga zgjedhjet në Shqipëri.

Teksa protesta zgjati rreth 60 minuta, Lulzim Basha tha në mbyllje të saj se tubimi i sotëm ishte vetëm fillimi i mosbindjes civile. Ai shtoi se Rama është garanti i krimit në pushtet, ndërsa si zgjidhje të krizës, lideri demokrat sheh largimin e tij nga posti i kryeministrit.

“Së pari të shpreh mirënjohjen time të thellë për pjesëmarrjen masive dhe monumentale këtë të enjte këtu në Milot dhe të falënderoj në emrin tuaj dhe shqiptarëve të ndershëm të gjithë protestuesit e tjerë në Elbasan, Tiranë, Durrës, Fier, që nisin sot aktin e mosbindjes civile si shembulli i pathyeshmërisë së popullit shqiptar për ta çuar deri në fund betejën që kemi nisur dhe për ta kurorëzuar atë me fitore.

Edhe vendi ynë është në udhëkryq. Ketu ka sjellë njeriu me i paaftë, më i dështuar dhe më i kriminalizuar që njeh pluralizmi. Brenda 6 vitesh shkatërroi drejtësinë dhe ekonominë, solli krimin në sofër dhe vuri oligarkët në krye të pasurisë së shqiptarëve dhe vrau shpresën dhe 500 mijë shqiptarë e braktisën vendin. Pa zgjedhje të lira nuk mund të këtë dalje nga varfëria. Vendimet e padrejta, vendimet kriminale si ai i taksës Rama, që ka bërë karburantin e shqiptarëve më të shtrenjtin në Europë, ndërkohë sot shqiptarët janë populli më i varfër në Europë.

Themeli i kësaj të keqe është rënia e demokracisë, është rënia e votës. Pa vota të lira nuk i jep qeveria llogari popullit, por krimit. Pa zgjedhje të lira nuk hapen dyert e Europës. PD dhe opozita e bashkuar është sot koalicioni më i madh numerik, moral. Edi Rama e lidhi fatin me hajdutët. Edi Rama është shërbëtor i ortakëve të tij në krim. Këtë betejë do ta fitojmë për demokracinë. Në 30 qershor nuk ka për të patur zgjedhje në Shqipëri. Dhe këtë e di Bufi dhe vëllai i Bufit o Edi Rama. Nuk ka zgjedhje. Opozita nuk klonohet dhe as nuk krijohet nga mercenarët  që i shërbejnë  pushtetit. Ka vetëm një opozitë, ajo jemi ne. Nuk ka zgjedhje me 30 qershor, sepse ne jemi të vendosur të mos lejojmë krimin elektoral.

Ndaj jemi sot këtu për të dëshmuar se do t’i shkojmë betejës deri në fund. Do të këtë zgjedhje të lira dhe të ndershme. Zgjedhje farse nuk do të ketë më. Në burg do të shkojë Dako, Gjiknuri dhe të gjithë bashkëpunëtorët politikë të Edi Ramës, të cilët janë kapur duke trafikuar zgjedhjet e shqiptarëve.  Mos të lejojmë më krimin elektoral, por të luftojmë sy për sy dhe dhëmbë për dhëmbë për liri dhe demokraci. Vetëm kështu mund të kthejmë  stabilitetin.

Zgjedhjet e lira të ndershme janë të mundura kur kujdestari nuk do të jetë  më kryeministri. Zgjedhjet me Edi Ramën nuk janë zgjedhje, por krim. Largimi i tij është kusht i panegociueshëm i PD, opozitës dhe i të gjithë popullit të bashkuar për demokraci. Le ta dinë shumë mirë, sepse kjo e sotmja është fillimi i mosbindjes civile”-tha Basha.

(n.m/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: