Nga: BEN ANDONI*
Tranzicioni ynë krejt specifi k, që nuk po njeh fund, me siguri do përbëjë një mësim për shkollat politike të së ardhmes, sesi nuk duhet bërë politikë. Si në pak vende, demokracinë vazhdojnë e bëjnë ish-ët apo pinjollët e atyre që mbajtën diktaturën, kurse ndershmërinë e shpallin më së shumti kolaboracionistët apo lukunia e kinseve, që u trimëruan prej pa-ndëshkimit të hapjes së dosjeve.
Kjo të bën të gjykosh se hapja e dosjeve dhe sidomos gjetja e të zhdukurve është një mision krejt i largët edhe për ekipin aktual qeverisës. Me pak fjalë, dështimi i dy kampeve politike dhe demagogjia lodhëse e tyre me gjasa do përcillet edhe në këtë legjislaturë, dominuar nga të majtët. Prova më e qartë është sintaksa që po përdorin ndaj njëri-tjetrit dhe shikimi demagogjik i të shkuarës. Por të mos largohemi kaq shumë: Edhe pse është fare e lehtë teknikisht, ende nuk ‘dihet’ fati i të mbeturave mortore të Remzi Hoxhës, vrarë mu në kohën tonë. Të mendosh se njerëzit që e dinë dhe lidhen me fatin e tij janë të gjallë dhe SHISH-i i akuzuar direkt, s’jep një përgjigje, atëherë kjo e forcon argumentin tonë. Sikur të mos mjaftojë, kemi një president të anatemuar nga shumica, por edhe gati të boshtë për ide, e një personazh që nuk ka asnjë prioritet në presidencën e vet, qoftë edhe për dosjet. Një vëzhgim i qetë të bën të kuptosh se kinse neglizhenca e tregon realisht frikën për dosjet dhe gjetjen e të zhdukurve.

Dhe, me gjithë fjalën e mrekullueshme të kryeministrit, të lexuar me vështirësi nga ministri i tij i Punës në Konferencën e dështuar të Donatorëve në dhjetor për mbledhjen e fondeve për të zhdukurit, s’po duket më asnjë shenjë vullneti, që u duk se mbizotëroi publikun pak javë të 2015 prej autoriteteve. Habitesh sesi në gazetat, tani opozitare, ke përditë fakte interesante të persekutimit (paradoksalisht referuar edhe nga njerëz të Ministrisë së Brendshme së kohës Berisha) dhe nuk ka pasur adresim real dhe konkret të përgjegjësve.

Si duhej!
Po si mund të bëhej diçka? Mbase është fare e thjeshtë! Nëse shteti shqiptar do e dëshironte realisht zbardhjen e procesit së të zhdukurve, për të cilin është angazhuar e që iu ka dhënë pafajësinë që prej shtatorit të 1991-shit, atëherë duhet të ndërmerrte vetë hapa të vullnetit të mirë në këtë drejtim. Që do të thotë ta financonte vetë fillimin e procesit së të zhdukurve dhe pastaj t’ua kërkonte fondet shtesë donatorëve ndërkombëtare, faktorit të përgjumur vendës dhe diasporës shqiptare.

Po kur kjo mungon, si mund të lëvizë i gjithë mekanizmi! Për hir të së vërtetës, procesi ka nisur disi dhe në Komitetin e të Përndjekurve është ngritur një zyrë. Bilal Kola, kreu i të përndjekurve, ka marrë përgjegjësitë dhe vazhdimisht apelon. Kurse pak muaj më parë, në një konferencë për të zhdukurit edhe me pjesëmarrjen e ICMP-së (Komisionit Ndërkombëtar për Personat e Zhdukur), u shtruan shumë gjëra për procesin, krahas patetizmit të zakonshëm të pjesëmarrësve, që rendën kush e kush të bënte më të persekutuarin. U lajmërua krijimi i zyrës përkatëse, që do merret enkas për gjetjen e të zhdukurve të komunizmit, ngritur me urdhër të kryeministrit Edi Rama, kurse zv\ministrja Genta Sula mori përsipër dhe është investuar me të gjithë staturën e vet në këtë proces, që përfaqësuesi i ICMP-së, Hollyday ua shpjegoi më qartë të pranishmeve: se nuk ka më nevojë për fjalë, por vullnet dhe punë.

Realiteti
Por nga e thëna në të bërë ka shumë punë. Së pari, ka një kaos numrash. Deri tani, merret se shuma e të zhdukurve në komunizëm është 6000 persona! Konfirmohen edhe vendet kryesore të ekzekutimit, por edhe sesi viktimat e ndryshme të persekutimit politik nga ekzekutimet me ose pa gjyq, shtuar me të vdekurit në kampe dhe burgje janë groposur në varre kolektive apo janë të varrosur pa shenja (?) në kufi, gjatë tentativave të dështuara për arratisje. Problemi është edhe teknik, se shumë prej tyre janë varrosur në rrëpira, ose brigje shumë të ekspozuar ndaj problemeve gjeomorfologjikë dhe atmosferikë, që e bën nisjen e shpejtë të procesit sa më të nevojshëm. Ende sot, njerëz të ndryshëm pretendojnë se Ministria e Brendshme e kohës kishte evidenca të qarta dhe dokumentim për çdo vdekje, ndërkohë të përndjekurit thonë se jo! Kjo luftë verbale i shtohet problemit real, që mbetet ai financiar. Pas database që duhet të krijohet me familjarët për t’i identifikuar më vonë me ADN-në e tyre, për çdo viktimë kostoja e gjetjes kërkon 1500 USD. Shteti e llogarit faturën globalisht dhe kjo është frikuese në morinë e problemeve ekonomike. Ndërkohë që shteti shqiptar mund të bënte shenjën e një vullneti të mirë, nëse me shpenzimet e veta do të mbulonte një pjesë të punës, p.sh. le të nisej (ashtu si është sugjeruar) me identifikimin e 13 kufomave, që ruhen në morg, e që u gjendën në afërsi të Dajtit, që me gjithë zhurmën politike që u bë deri më tash, nuk janë identifikuar sot e kësaj dite.

Procesi duket shumë i avashtë dhe duke parë detyrimet e Shqipërisë për Reformën në Drejtësi, përfshirjen në luftën kundër terrorizmit, përgatitjet e opozitës për protesta dhe kaosin politik, që do kulmojë me zgjedhjet e 2017-ës ka pak gjasa të ketë angazhim. Dhe këtë e kuptoi çdo njeri që mori pjesë në konferencën e mbledhur në dhjetor, kurse qeveria shqiptare me gjithë angazhimin e zv\ministres Sula, duket thjesht “e larë” me promovimin e Ligjit “Për të drejtën e informimit për dokumentet e ish­Sigurimit të Shtetit të Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë” në fuqi qysh gati një vit më parë.

Pak njohuri dhe çfarë parashikohet?
Ligji u miratua në seancën plenare në datën 30 prill 2015. Presidenti e dekretoi ligjin dhe pas botimit në Fletoren Zyrtare, llogaritej votimi i shpejtë nga parlamenti i pesëshes drejtuese të njësisë, që njihet si Autoriteti për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit. Kësaj njësie 2 anëtarë i propozohen nga parlamenti, 1 prej tyre nga qeveria, 1 prej tyre nga të përndjekurit politikë dhe 1 nga shoqëria civile, kuptohet nga OJF, që lidhen me fushën e të drejtave të njeriut. Menjëherë kjo njësi do bënte rregulloren e Autoritetit dhe nga data e certifikimit, kishte mundësi reale të ngrinte strukturën. Shpresohej se stafi do bëhej shpejt, pasi këtë e obligonte Kodi i Punës. Dhe pas kësaj, jo më larg se afati i 3 muajve, të gjitha autoritetet vendimmarrëse në Shqipëri dhe institucionet përkatëse, nisur nga Ministria e Brendshme, Drejtoria e Informimit Kombëtar, arkivat dhe të gjitha entet që disponojnë dokumentacione që kishin lidhje me dosje të ish-Sigurimit të Shtetit, do ishin të detyruara ligjërisht t’ia përcillnin këto dokumente Autoritetit.

Në muajt shtator dhe tetor të vitit të shkuar, lajmet për gjetjen e të zhdukurve në komunizëm dhe Autoritetin për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit dhe ngritja e arkivës së përgjithshme zinin shpesh vend në edicionet mediatike. Sot ka një heshtje, sepse moria e lajmeve për Reformën në Drejtësi, korrupsionin, Byronë e Hetimit dhe kongresin e PS-së mbushin çdo gjë. Kurse ata presin, siç kanë pritur në problemin e tyre kaluar në kalenda. Por, edhe se nën-dhé është më e lehtë të kesh durim dhe shpresën se Zoti vërtetë u flet shqiptarëve të jenë të paktën të ndershëm me veten.
(er.nu/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: