Nga: FISNIK SINA*
Kohët e fundit, sidomos pas botimit të librit “Kadareja i denoncuar” të D. Kaloçit, ka një vëmendje të shtuar të mediave si zëdhënëse të opinionit publik ndaj shkrimtarëve dhe artistëve të periudhës së diktaturës, bashkëkohës të Kadaresë. Kureshtja është e kuptueshme. Janë dokumente të përpiluara në organet e punëve të brendshme, raporte për biseda në rrethe të ngushta, por edhe intime, që pikë pas pike rrekeshin të mbushnin kupën e helmët jo vetëm për Kadarenë, që ishte shënjestra e akuzave për vepra desidente e revizioniste, por edhe për njeri-tjetrin. Forca kryesore lëvizëse në fjalorin e “vijës së Partisë” ishte smira. Por aty, për ata që kanë jetuar afër në ato rrethe, gjenden edhe sinjalet e vetëvrasjes së poetit Viktor Qurku në detin e tij të jugut, të vetëvrasjes së prozatorit Faik Ballanca, një talent nga më premtuesit. Por, ka edhe një fakt tjetër që më duket se meriton vëmendje. Nuk ishin pak edhe veprat që pasi botoheshin, i nënshtroheshin një censure, që pavarësisht se si ia kishin hedhur censurës së shtëpisë botuese dhe kishin dalë në libraritë e vendit duheshin asgjësuar si të gabuara dhe të dëmshme. Çdo vit, pas Plenumit të IV të 1973-it, në bibliotekat e vendit dhe në organet letrare shkonte një listë me titujt e veprave që duheshin hequr nga qarkullimi. Përse? Përgjigja gjendet shpesh në shtypin e kohës si në rastin e më poshtëm.

Duke kërkuar në shtypin e viteve 1973-‘75, që pa nguruar mund të quhen si vitet më të egra e më të errëta të spastrimeve “me goditje të përqendruar” për të huazuar një gjysmë slogan të tejpërdorur asaj kohe, vëren se për të arritur kuotat për njeriun e thjeshtë, për masat popullore, siç quheshin, partia nuk kursehej të kërkonte mpleksje të veprimtarive komplotiste edhe aty ku s’ta pret mendja. Kjo taktikë e mbante me frymën pezull gjithë nomenklaturën dhe nëpunësit e tjerë afër saj, me frikën se e keqja, ndëshkimi, dënimi mund të të bjerë mbi krye kur të duash, si ato rrebeshet e shirave të verës. Mprehja e vigjilencës, paraqitja si besnik i palëkundur i vijës nuk të siguronin asnjë lloj garancie dhe sigurie po të kishe hyrë në listën e atyre që duhet “ta hanin”, do ta haje pa një pa dy. Në këtë optikë, kjo kohë mbetet një minierë me shumë galeri të hapura, dikur të rrezikshme, por tani në kohën e fjalës së lirë plot mineral për të nxjerrë.

Në numrin e 19 shkurtit 1975, të gazetës “Drita” gjendet një kritikë pa firmë, me titull “Nuk ka për të ndodhur kështu”. Artikujt e gjatë pa firmë si ky do të thoshin se qëndrimi ndaj veprës është redaksional, dmth zyrtar dhe s’kishte më vend për polemikë, apo subjektivizëm të ndonjë autori. Kritika i adresohej novelës “Ditë dhe net që mund të vijnë”, botuar në revistën “Nëntori” nr. 3, 1974, pra ishte një kritikë e vonuar një vit, gjë që nuk ndodhte me veprat e gabuara, që duheshin hequr nga qarkullimi për t’u strukur në fondin e rezervuar të bibliotekave. Përse kishte ndodhur kjo heshtje njëvjeçare e kritikës? Biseduam me Teodor Laçon, autorin e novelës, meqë rasti ishte intrigues për të vërejtur mpleksjen absurde të artit dhe letërsisë me dukuri krejt të largëta me të.
E pyetëm autorin: Si ndodhi që të tërhoqi një subjekt i tillë imagjinar, ngjarjet e të cilit zhvilloheshin në të ardhmen?
T.L: Letërsia fantastike ishte sprova ime e parë, që më tërhiqte prej kohësh. Në verën e vitit 1973, pas Plenumit IV të K.Q të PPSH, që godiste “liberalët” Fadil Paçrami dhe Todi Lubonja dhe një dyzinë shkrimtarë, piktorë, regjisorë, që u akuzuan se ishin nën ndikimin e tyre, në drejtimin e organeve letrare “Drita” e sidomos në revistën “Nëntori”, që ishte cilësuar si më e verbër kundër shfaqjeve të huaja, u bënë ndryshime të shpejta. Në revistën “Nëntori” u emërua Anastas Kondo, babaxhani, siç e quanim ne të tre shokët e tij: unë, Vath Korreshi dhe Faik Ballanca si më i vogli nga ne në moshë. Ishim shokë intimë, gjë e rallë në mjediset e shkrimtarëve.
Ngjitja e Cacit në udhëheqjen e Lidhjes nuk na habiti; ai kishte biografinë më të qëruar nga ne, djalë punëtori, martuar me të afërmen e një kuadri të lartë partie. Me seriozitetin e tij në shprehjen e fytyrës, që nuk e ndihmonte dot të fshihte naivitetin, na thotë se duhej të gërmonim në dorëshkrimet tona më të mira, natyrisht, edhe më të partishme dhe t’i çonim në revistën “Nëntori”, që kryeredaktori i ri të ndjehej menjëherë. Unë nuk kisha asnjë gjë në rezervat e mia, aq më tepër që vëllimi me tregime “Ajri i ftohtë i mesnatës” ishte kritikuar në mbledhjet e fundit dhe në shtyp për “mungesë dhe errësim të realitetit”. Atëherë më ra ndër mend një stërvitje e madhe ushtarake e vitit 1967 në Korçë, që u quajt “loja e Bodesë”. Në ato shpërngulje të pakuptimtë nëpër dëborën e trashë të maleve, reparti i kimisë, ku bëja zborin, u ndodh në një livadh afër fshatit Strelcë të Gorës. Aty na shpjeguan disi se stërvitja imitonte një sulm të armikut superior në mjete dhe taktika jonë ishte të tërhiqemi thellë maleve, duke lëshuar qytetin dhe atje pasi të rigrupoheshim, të hidheshim në mënyrë totale e të çlironim vendin. Kjo u quajt “teoria e rrëshqitjes” dhe asnjëherë nuk e kemi kuptuar se çfarë kurthi ngrinte për armikun, por kjo s’kishte rëndësi dhe meqë çdo stërvitje ushtarake parashikon një situatë hipotetike, mua m’u duk se pikërisht, subjekti i vendosur në një të ardhme jo të largët ishte zgjidhja artistike e novelës. Ajo u botua në nr. 3 të vitit 1974 dhe për një vit nuk zgjoi as lavdërime, as kritika. Por kur goditja në ushtri përfshiu edhe P. Dumen, H. Çakon, R. Parllakun e të tjerë dy autorë ushtarakë, që cepkasnin gjësendi në letërsi, u kujtuan se para do kohe ishte botuar një novelë sipas ideve të tezës së rrëshqitjes dhe që paska kaluar pa vëmendjen e kritikës, por që e kishte hak t’i riktheheshin edhe asaj si pararendëse e tezave të puçistëve, ashtu edhe autorit të tyre. Kjo kërkesë u sorollat nëpër zyra nja dy tre muaj. Arsyeja ishte se përkoi me konkursin letrar të 30-vjetorit të çlirimit të vendit. Juria e romanit kishte vendosur të më jepte çmimin e parë për romanin “Përballimi”. Çmimi i parë dhe “i influencuar nga puçistët” nuk mund të qëndronin pranë e pranë. Shpallja e fituesit të romanit u shty për tre muaj. Ndërkohë, prej meje kërkohej të tregoja se si, pse dhe kush më nxiste të shkruaja një novelë të tillë, që i bënte jehonë një teze armiqësore për mbrojtjen. Sekretari i partisë së Lidhjes, që më pyeste “miqësisht” sikur unë isha një viktimë e padijes, donte të dinte sidomos nëse kisha ndonjë lidhje fisnore, miqësi me gjeneralin Vaskë Gjino, njëri nga oficerët madhorë të goditur me puçistët. V. Gjino ishte bashkëfshatar imi, por për fat nuk kisha me të asnjë lidhje, sado të largët, farefisnore dhe për miqësi as që bëhej fjalë, se ai nuk shoqërohej asnjëherë me moshën tonë. Kështu, kritika u botua dhe kjo ishte porositur të ishte sa më dërmuese, duke ia besuar një dore të fortë, që thuhej se ishte Razi Brahimi.
Pyetje: Të kthehemi te novela. Në një paragraf të gjatë në të thuhet se është e shtrembër dhe çorientuese në disa drejtime me rëndësi. Si e gjykoni këtë akuzë pas kaq vitesh? Pse duhej vënë tehu i kritikës, aq më tepër pas një viti, në një këndvështrim të tillë, të kërkuar qëllimisht, ku ngjarje si ato të novelës ishin përjetuar nga shumë njerëz nëpër stërvitjet ushtarake, që për ironi quheshin “lojë”?
T.L.: Në kohën kur u botua novela, shumë vërejtje më dukeshin absurde, aq sa pata kurajë të bëja një përgjigje argumentuese, që nuk m’u botua, madje “miqësisht” më thanë lëre me kaq. Ushtarakët që u bënë nxitësit e saj po prisnin me gojë hapur të përgjigjesha. Duke e parë sot, vërej që në kritikë përmendet disa herë që në novelë mungonte Partia dhe roli i saj. Kjo ishte një nga gjynahet dhe unë në konceptimin për besnikëri ndaj së vërtetës e kisha lënë disi në harresë.
E ardhmja projektohet në përfytyrimin e njeriut me ngjyrat më të bukura, më të ndezura se sa e sotmja. Novela nuk merrej me këtë, që ta them pa doreza, nuk kisha pasur ndonjë qëllim kundërvënie sado të dobët. Isha përmbajtur tek ai realitet siç e perceptoja unë dhe besoj dhe te tjerët. “Këtej mendojmë se ka rrjedhur edhe një e metë tjetër ideo-politike dhe me rëndësi: Udhëheqja e luftës është parë si çështje “shtabesh” e gjeneralësh dhe jo si një veprimtari e gjallë e popullit të udhëhequr nga Partia. Ky është një shtrembërim i ideve tona për luftën popullore, sepse jo vetëm ndan ushtrinë nga populli, duke mos njohur vlerën historike të popullit ushtar, por arrin deri në nënvleftësimin e rolit udhëheqës të Partisë, që të mos themi arrihet deri në injorimin e këtij roli.
Pyetje: A nuk është kjo një akuzë për një qëndrim jo thjesht të gabuar, por edhe armiqësor?
T.D.: Interpretimi subjektiv aty të çon por, sigurisht, nëse do të ishin aq të drejtpërdrejta idetë e nënvizuara në kritikë, ajo as që do të ishte botuar. Në të vërtetë, duke e parë nga largësia e viteve, duhet të pranoj se në këtë subjekt unë i kam hyrë detit më këmbë, siç thonë, dhe novela do të ishte në procesin letrar të kohës kur u botua, por edhe të krijimtarisë sime, jo pa ndonjë lajthitje ideologjike, jo për naivitetin e saj në përfytyrimin artistik të situatës. Si e tillë, mund të anashkalohej madje, edhe këto 20 vitet e fundit, unë nuk pata asnjë shtytje për ta paraqitur si vepër desidente, meqë ajo u varros nga kritika vetëm një vit pas botimit. Qëllimi i kritikës ka qenë tjetër. Duke kërkuar nëpër botimet e përparshme shembuj që u shërbenin tezave të Plenumit IV, të plenumit më të zi për letërsinë e artin është kërkuar këtu theksimi i rolit udhëheqës të partisë si një kategori e paprekshme në teorinë e realizmit socialist.
Pyetje: Ç’ndodhi mbas kësaj kritike?
T.D.: Pas saj duhet shtuar edhe një kritikë tjetër në shtyp për vëllimin me tregime “Ajri i ftohtë i mesnatës” me titull “Mungesë realiteti në një libër me tregime”, botuar në gazetën “Përpara” të Korçës. Autori u bë edhe më i padëshirueshëm për të qenë në Tiranë, për më tepër në sektorin e letërsisë së Lidhjes së Shkrimtarëve, ku ishte sjellë para 5 vjetësh dhe në një mbledhje të ashpër të kolektivit u transferua në Fier për të punuar si mësues i lëndëve profesionale në shkollën bujqësore të Libofshës. Në Fier më pritën më mirë seç pandehja dhe sekretari për propagandën, Pipi Mitrojorgji, i qarkulluar edhe ai, më propozoi të punoja si libretist në teatrin “Bylis”.
Në atë vit, që mund të quhet edhe viti përmbyllës i dënimeve të mëdha të viteve 1973-‘75, ndëshkime që fillonin nga kritika kalimtare për ndonjë poezi që i binte në dorë vetë diktatorit, por që autorët nuk detyroheshin të ngarkonin mushkat, jashtë Tiranës, tek qarkullimi në bazë për të vijuar deri tek internimet e burgosjet. Në Fier u mblodh një dorë kryesisht me talent e përvojë në fushën e artit si piktori Vilson Kilica, muzikanti Zhani Ciko, arkeologët Neritan Ceka e Myzafer Korkurti, gazetari Paskal Milo, historiani Myslim Islami, aktorët Fatos Sela, Ilir Bezhani, humoristët Pëllumb Kulla dhe Leka Bungo, që imponoheshin në shkallë kombëtare me veprat e tyre dhe njëherazi vinin në një pamje pozitive vetë Pipi Mitrojorgjin që i kishte tërhequr. Aty ishte edhe regjisori i njohur Kujtim Spahivogli në një status të çuditshëm: punëtor në bonifikim, por i përcjellë pa asnjë dokument shoqërues. Si njeri pa djallëzi, siç qe, edhe ai nuk ishte i përjashtuar nga ndonjë kafe në Turizëm me ne dhe nga ndjekja e shfaqjeve të teatrit dhe estradës. Kështu, pas “Ditë dhe net që mund të vijnë”, për mua erdhën shtatë vite larg Tiranës, larg familjes që me kryeneçësi nuk pranova ta tërheq aty. Ky është një nga qarkullimet më të gjata në bazë, më thuhej.
(er.nu/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: