NGA PANO HALLKO*
Ata të njëqindtë, nuk u nisën nga një qytet, e as kaluan të njëjtën rrugë. Ata u nisën nga Dukagjini, nga Kosova, nga Tirana, nga Dibra e nga Vlora, nga të gjitha trojet kombëtare. Doemos, edhe pushteti vendor, me kryetarin e Bashkisë së Mirditës, zotin Ndrec Deda. Mes tyre kishte poetë, piktorë, gazetarë, shkrimtarë, këngëtarë, por edhe njerëz që merren me biznes, e që kanë interesa intelektuale.

Shkruesi i këtyre radhëve, ishte vetëm njëri nga ata njëqind vetë, që morën rrugën herët në mëngjes para disa ditësh, drejt fshatit Shebe në Mirditë.

Njëri nga intelektualët e këtij vendi e ndër të paktët poetë të tij, ndër ata që sot numërohen me gishtat e njërës dorë, zoti Agim Doçi, në emër të rikthimit te rrënjët, iu drejtua vetëm disa prej miqve e shokëve të tij të shumtë, në të gjitha trojet kombëtare, “për të pirë një kafe” në kullën e të parëve të vet.

…Sapo kalon Kthellën e Epërme (emrin e së cilës vetë vendasit që e kanë emërtuar Kthellë, e shqiptojnë Thkellë!!!), në krah të djathtë të rrugës gjarpëron një rrugë e pashtruar, brinjave e kodrinave. Rrugë që përshkon rreth tre kilometra e të çon në…Shebe.

Që të jemi të saktë me emërvendin (e jo “toponim”, siç jemi mësuar të themi), rruga të çon në kullën që mban nr. 1 në “bajrakët” e Mirditës, prej 187 vitesh!! Në kullën e Mark Doçit, thënë në variantin mirditor, – në kullën e Mëhill Pjetër Nue Mark Doçit.

Nga lartësia në të cilën ndodhet, nga pozicioni impozant në të gjithë atë luginë që quhet Shebe, nga çdo kënd që ta shikosh, kulla ngjan me një vapor të bardhë, gjithnjë në lundrim. Në vartësi të pozicionit nga e shikon, me gjithë themelet e forta dhe muret e trasha që ka, ngjan, pse jo, me një shpend të stërmadh, që fluturon mbi gjithë luginën…

Kullë me karakoll e me frëngji, ndër të veçantët ekzemplarë në llojin e tyre, të cilat janë ndërtuar jo vetëm për të jetuar brenda tyre, por edhe për t’u mbrojtur nga çdo lloj rreziku që mund të vinte nga jashtë saj.

KËRKOJMË DEGËT DHE…
Në njëzetepesë vite të tranzicionit (se demokracia kushedi kur vjen) ne shqiptarët nuk lamë gjë pa “shkruar” e “hulumtuar”. Thjesht, e pa bërë llogari të gjata, pasur parasysh se sa janë botuar si: “kujtime”, “shënime”, pa lëre “historira”, del se në këtë botën tonë shqiptare këto vite, gjërat më të lira paskan qenë letra dhe boja e shkrimit!

Për kë nuk shkruam, e çfarë nuk shkruam! Pa lëre, po iu futëm edhe biografive të të mëdhenjve të kësaj bote, e gjysmën e tyre i kemi nxjerrë shqiptarë, më së paku “nga nëna”. Filluam me Ana Bolenën, me Bonapartin, me Xhorxh Bushin (nga Bolena e Vlorës ky, “patrioti” i Anës!!!), e këto ditë po i qasemi edhe vetë Xhorxh Uashingtonit (ende nuk po ia gjejmë tamam fshatin në Kosovë). Ndërsa për Klintonin thuhet se “rrënjët” i ka ose nga Skrapari, ose nga Tropoja. Si ta vendosim, kuptohet, “me konsensus”…

Nga ana tjetër, iu përveshëm siç dimë ne, “allashqiptarçe”, vetë Gjergj Kastriotit-Skënderbeut, atij që na dha identitet kombëtar, e nuk i lamë gjë pa thënë, madje arritëm deri aty, saqë duke zbatuar urdhrat e serbëve, me paratë e tyre e për llogari të tyre, derdhëm në beton një monstër të vërtetë nën emrin e tij!

Deri edhe themeluesin e shtetit të ri shqiptar, vetë babait të shtetit që kemi, Ismail Qemalit, iu përveshëm pasi “zbuluam” ca “tendera” që ai paska bërë ata katërmbëdhjetë muaj që ishte kryeministër! Diktatorin një herë e varrosëm me kujë të stërzgjatur kombëtare, e pastaj e groposëm me neveri politike, e ende nuk kemi vendosur se ku do të “flenë” eshtrat e tij, nëse vërtet ka pasur eshtra brenda arka që transportuan natën “demokratët e etur për liri”.

Këtë ata s’mund ta dinë, e kurrë s’kanë për ta mësuar. Mjafton që ata, pak të menderosur, por shumë “krenarë”, bënë detyrën si “demokratë”!
Ende s’i kemi larë hesapet me 75 për qind të vetes sonë: Si në tymnajë, por thënë nga buzë të përgjegjshme(ec e gjeje sa të (pa)përgjegjshme janë), qarkullon për disa muaj rresht, “ideja” mjerane e makabre njëherazi, që thotë: “T’i shkulim varrezat e Dëshmorëve të Kombit prej aty ku janë, e t’i sistemojmë diku tjetër!!!”

Ndoshta kanë “të drejtë”, pasi atje në Altarin e Kombit, në kodrinën më të bukur të këtij vendi, mund të shkojë edhe me 10.000 euro metri katror i hoteleve, moteleve, kazinove, a gjithfarëlloj bordellosh që mendja e sëmurë e “menaxherëve” të këtij vendi mund të pjellë!

Nga ana tjetër, ne përsëri nuk ndenjëm rehat. “I ngritëm nga balta dhe i rivramë të rënët”, siç u rekomandonte Kadareja armiqve të popullit dikur në diktaturë. Por prodhuam(apo fabrikuam?) edhe “heronjtë tanë”! Gjithë bashkëpunëtorët e fashizmit e të nazizmit, i shpallëm “pishtarë të demokracisë”, krerët e tyre i shpallëm “Nderi i Kombit”, e më së paku u dhamë dekoratën “Mirënjohje e Kombit”.

Kuptohet që në këto rreshta nuk bëjnë pjesë ata që me të vërtetë kanë qenë opozitë e përjetshme e regjimit, kundërshtarë me bindje ideologjike të tij, njerëz të ndriçuar e të arsimuar, që dinin se ç’kërkonin e se ku do shkonin. Por këta të ndriturit, janë kaq pak në radhët e atyre të dekoruarve, saqë nuk duken, thuajse fare!

…HARROJMË RRËNJËT!
Teksa shikon atë kullë, përveç pyetjeve që vijnë natyrshëm, si: – Nga e kanë sjellë gurin e bardhë asokohe këtu, e me se është transportuar (thuhet se gurët kanë ardhur nga Muhurri i Dibrës); një pyetje është ajo që të torturon t’i japësh shpjegim: -Lindën fëmijët aty, në atë kullë. Në kohën që kanë lindur ata, Sheba ishte… ana e botës, e kulla doemos, skaji i anës së botës. Çfarë kodi, mund të motivonte, mund të shtynte djem të rritur aty, në ato faqe malesh, të shkojnë të mësojnë në universitete me zë të Europës, madje edhe të shkëlqejnë si pak të tjerë? Në fakt kjo pyetje, por jo me këtë intensitet, më pati preokupuar para shumë vitesh, kur njoha nga afër Agim Doçin…

Të shkëlqeje asokohe në Europë, nuk mjaftonte vetëm dëshira e zjarrtë për të mësuar. Supozojmë, që ajo ishte e dhënë njëherë e përgjithnjë, te bijtë e asaj dere, e gjithkund në ato dyer. Sepse vendet e vështira nxjerrin njerëz të mirë e të etur për arsim. Por edhe kjo, më vete nuk mjafton.

Sekreti është tek ajo “paketa elektronike”, te “çipi”, është te kodi gjenetik, i cili siç thonë mjekët më optimistë, për ndryshimin e tij duhen nja gjashtë mijë vite të mira! Përndryshe nuk ka sesi të shpjegohet që bijtë e kësaj kulle, në pesë breza, të kenë shkëlqyer në shumë drejtime njëherazi.

Sado paradoksale që të tingëllojë sot, fakti është se qysh në vitin 1821, në atë Sheben e largët, u hap një shkollë. Askush nuk mund të flasë sot me kompetencë se çfarë lëndësh bënin në atë shkollë, çfarë gjuhe e me çfarë alfabeti. Por ajo që dihet me siguri, është se shkolla u hap e funksionoi, madje dihet emri i mësuesit të parë të saj.

Mësuesi i parë i shkollës së Shebes, ishte shkodrani Cin Shiroka, babai i rilindësit tonë të mirënjohur Filip Shiroka. Vetëm ky fakt, pra që shkolla u hap qysh atëherë në atë anë të botës që quhet Shebe, thotë shumëçka.

Na thotë se atje, në atë luginë, ku jeta ndër shekuj pati luajtur me të gjitha trillet e saj, kishte hyrë rrezja e dritës së kulturës e qytetërimit, pavarësisht se sa pajtohej kjo fjala e fundit me ambientin në kushtet e 200 viteve më parë.

Ashtu siç dihet e saktë, se 8 vite pas hapjes së shkollës, pra në vitin 1829, u ngrit kulla e familjes Doçi, ajo kullë që është edhe sot.

E kulla, lindte djem e rriste burra, si shumë nga kullat e këtij vendi. Ishte një mision i shenjtë, edhe pse i pashpallur ky, që ajo kullë të lindte e të rriste sa më shumë djem. Sepse në dialektin e asaj krahine, emri Doçi, nuk ka lidhje me kuptimet parake që krahina të tjera i japin kësaj fjale. Në atë dialekt, emri Doçi, do të thotë jetim. Pra ndër breza, të shumtët e asaj dere, ishin rritur jetimë, pasi baballarët e tyre ua pati vrarë plumbi i pushtuesit të radhës…

Mirditorët, ashtu si edhe vlonjatët, skraparllinjtë, kolonjarët, tropojanët, e vazhdo me radhë, pra si të gjithë shqiptarët, grinden dhe hanë njëri-tjetrin, për… radhën e kryesimit; pra për faktin se cila është Dera e parë, apo Kulla e parë. Në fakt kulla e familjes Doçi, mban numrin 1 në Mirditë. Kur pyet mirditorë të mençur, ata nuk hezitojnë të të përgjigjen: “Është kjo kullë numri 1, sepse kurrë ndër shekuj nuk ka ngrënë bukën e të huajit, kurrë nuk jetuan me rrogat e pushtuesve, e kurrë nuk u vunë në shërbim të tyre. Po kështu mban numrin 1, sepse kurrë nuk shfrytëzoi djersën dhe gjënë e të tjerëve, por jetoi me djersën e vet”…

Bindës shpjegimi, sidomos për ata që njohin historinë e Mirditës, të paktën në 150 vitet e fundit.

KARFICA E JOZEFIT DHE…
Më datë 17 shtator të vitit 1926, ambasadori jugosllav i akredituar në Tiranë, i vendosi Ahmet Zogut në gjoks, dekoratën e lartë “Ylli i Karagjeorgjeviçit” i Klasit të Parë.
Akorduar kjo dekoratë, për kryeministrin e asaj kohe, për “Shërbime të shquara në marrëdhëniet Jugosllavi-Shqipëri”.

Për të thënë të vërtetën, shumë pak e kanë vlerësuar gjorgjeviçët Zogun, e shumë cingunë janë treguar me të, në krahasim me shërbesat që ai u bëri atyre, e me pjesët e trojeve kombëtare që ai u dhuroi atyre, në…shkëmbim të qëndrimit të tij në pushtet!

E sjell këtë fakt, për të kujtuar diçka tjetër, faktin që Austria ato vite dekoronte Pjetër Doçin – birin e asaj kulle, me “Karficën e Artë” të Franc Jozefit!

Motivacioni? “Për shërbime të shquara në dobi të kombit shqyptar”. Me këtë motivacion Austria ka dekoruar me “Karficën e Artë” të Franc Jozefit, Luigj Gurakuqin (që Zogu e vrau), Fishtën, Mjedën, Konicën, dom Noc Nikaj etj. shqiptarë të shquar, të cilët Zogu i përndoqi e i përçudnoi.

Është në kriterin e analizës që secili shqiptar posedon, të vlerësojë e të krahasojë gjërat… Pjetri pati luftuar kundër turqve e serbëve. Ishte ai që çoi i pari flamurin shqiptar në Mirditë. Prandaj populli, tha dy vargje, që u skalitën në histori: “…Kush e pru flamur`n i pari/ Pjetër Noj, Pjetër Shqyptari!”… Ishte komandant i qarkut të Lezhës, kur Zogu vrau dy amerikanët në fillimvitet ’20 të shekullit të kaluar. I vrau, pasi donte që burimet e naftës t’ia jepte Italisë ashtu siç kishte firmosur, e jo të futej Amerika. Kur shkuan ta arrestonin se gjoja nuk paskej marrë masa për ruajtjen e tyre, ai u përgjigj: Shkoni e arrestoni ministrin e Brendshëm, se i vrau ai. Unë nuk mund t’i ruaj dot njerëzit nga ministri i Brendshëm!” Për këtë të vërtetë që tha, ai u dënua me burgim të përjetshëm!
“Drejtësia” zogolliane!!!

Historia, për fat të keq tonin, përsëritet, edhe në kahen e kundërt. Para shumë vitesh, njëri nga ministrat e shumtë që uzurpuan “udhëheqjen politike” të Forcave të Armatosura pas viteve ’90, i akordoi medaljen “Për shërbime të shquara” ish-atasheut ushtarak të Greqisë në Tiranë.

Vetë atasheu u çudit. Koloneli (tashmë mund të jetë edhe gjeneral), përveç interesimit të vazhdueshëm për punën e varrezave të paqena të ushtrisë greke në disa rrethe të Shqipërisë, – e bravo i qoftë, se punën e shtetit të tij bëri, – nuk e di se çfarë pati bërë për atë palo shtetin tonë – ministri i të cilit e dekoronte…

…GUR KILOMETRIK I HISTORISË!
Nuk ishte numri i bijve që nxori, ai që i dha renditjen: kulla numër 1. Ishte ajo çka ata u bënë, e çka bënë në jetën e tyre, në shërbim të kombit. Ata e kthyen me jetët dhe veprat e tyre atë kullë, në një gur kilometrik të historisë sonë kombëtare. Le të vijojmë duke paraqitur esencialisht rrugët e tyre në jetë. Për Pjetrin, folëm më lart.

Mark Doçi, përfundoi me rezultate të shkëlqyera Akademinë Ushtarake në Modena të Italisë në vitin 1931. Me pushtimin e vendit, Italia fashiste mobilizoi 90 oficerë madhorë që kishin mbaruar studimet jashtë shtetit. I duheshin ushtrisë italiane, siç kishte bërë marrëveshjen Zogu, që ushtria shqiptare (aq sa ishte), të rreshtohej në radhët e ushtrisë italiane!!!

Mark Doçi, në mënyrë demonstrative, nuk pranoi të puthte flamurin italian, siç bënë të tjerët. “Unë puth vetëm flamurin tim kombëtar, zotërinj!” – u tha ai. Kuptohet, qysh atë ditë, ishte jashtë strukturave të ushtrisë. Por ai u fut në ushtrinë e tij, në ushtrinë partizane nacionalçlirimtare. Ishte qarkkomandat i Gjakovës, e në Luftën Nacionalçlirimtare, ishte shef operativ i divizionit të pestë. Pas Çlirimit, i pari komandant i shkollës ushtarake “Skënderbej”.

Gjin Doçi, i dyti vëlla pas Markut, i shkolluar në Grazz të Austrisë, me rezultate të shkëlqyera. Dallgët e jetës nëpër të cilat kaloi, e sollën që ky të ishte banori i përjetshëm i asaj kulle, e për këtë arsye, thirrej nga nipat e mbesat “axha Babë”. Shenjë treguese e kulturës së tij, përveç mënyrës arkonde të jetesës, edhe emrat e fëmijëve të tij në Mirditën e asaj kohe: David, Silva, Xhuljeta…

…Në pallatet e Shallvareve, jeton për fat të mirë të tij dhe tonin, një akademik: Pal Doçi. Pali ishte partizan në Brigadën e Parë Sulmuese. Pas Çlirimit, ai mbaroi shkëlqyeshëm në Rusi shkollën e lartë të oficerëve “Frunxe” dhe akademinë ushtarake më të madhe të të gjitha kohërave, “Voroshillov”.

Është në vitet e pleqërisë së thellë sot, e ndër rrethet intelektuale të kohës, për shkak të moshës – 96 vjeç, pak njerëz e njohin. Pal Doçi, në vitin 1956, në Kongresin e Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë, përballë Ramiz Alisë, kërkoi shpjegime për çfarë arsyeje nuk mësoheshin në shkolla Fishta, Koliqi e Prenushi. Kuptohet, ai do të dilte në rezervë me ligjin e “9000”-it…

Njerëzit e sotëm, gjoja si “rastësisht”, e në mënyrë “të pafajshme” bëjnë pyetjen e djallëzuar: Po mirë, katër vëllezër, bënë burgje e internime, të cilat të mbledhura në total, japin mbi 150 vite së bashku. Po vëllai i pestë, Mëhill Doçi, përse ishte kuadër i lartë drejtues i shtetit?

Mëhill Doçi mbaroi shkollën e mesme të agronomisë të Harry Fullcit në Golem të Kavajës. Aty, ai ra në kontakt me idetë komuniste, i përqafoi ato, e me një dinjitet të pashoq luftoi për to, deri në vdekje. Kjo pyetja “e pafajshme”, ngjan me atë pyetjen që u bë në Shkodër, në mbledhjen e kuadrove të atij rrethi, ditën kur kryeministri më jetëgjatë dhe më i suksesshëm i këtij vendi, Mehmet Shehu, kishte shkuar të prezantonte Mëhill Doçin si kryetar i Komitetit Ekzekutiv.

Dikush që e dinte se vëllezërit e Mëhill Doçit ishin nëpër burgje e internime, pyeti kryeministrin: “Ç’mund të na thoni për familjen e shokut Mëhill?!” Mehmet Shehu iu përgjigj: “Nëse Shqipëria do të kishte njëzet e gjashtë burra si Mëhill Doçi (pra nga një në çdo rreth), do të ecte njëzet e gjashtë vjet përpara”…

Pra, bijtë e kësaj kulle, i kryen më së miri detyrat ndaj atdheut. I shërbyen atij, me mendje e me pushkë, kurdo e kudo që e lypi nevoja. Askush nuk mund të thotë se duhej të bënin edhe diçka tjetër. Madje u sulmuan, u dënuan, u internuan, vetëm për shkak të bindjeve që patën, për faktin se besonin që atdheu i tyre (pra i yni) do të mund të ecte edhe më përpara, në një rrugë tjetër.

Nuk ishte numri i bijve që nxori ai që i dha renditjen: kulla numër 1. Ishte ajo çka ata u bënë e çka bënë në jetët e tyre, në shërbim të kombit. Ata e kthyen me jetët dhe veprat e tyre atë kullë, në një gur kilometrik të historisë sonë kombëtare.

Prandaj të gjithë personat që ishin atë ditë te Kulla e Shebes, kulla e familjes Doçi, ndiheshin njëherazi, edhe të nderuar, edhe krenarë.
Zoti Pëllumb Boshi, aty nga fundi i vizitës tha:
– Ne nuk erdhëm thjesht dhe vetëm për të nderuar Agim Doçin. Ne sot erdhëm, të marrim nder nga kjo kullë!…

(m.k/GazetaShqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb