TIRANË

Ka qenë një nga njerëzit e LSI-së që ka ngjitur shkallët e karrierës falë mbështetjes nga partia por me sa duket pushteti është më i ëmbël se çdo moral tjetër.

Një tjetër kandidat në pritje i LSI për të marrë mandatin e deputetit ka dorëzuar pranë KQZ formularin e dekriminalizimit. Bëhet fjalë për Ralf Gjonin, i cili bëhet kështu ‘tradhtari’ i radhës që preferon të marrë mandatin parlamentar, pavarësisht vendimit të kësaj force për t’i djegur mandatet.

Ralf Gjoni, ish-këshilltar i Ilir Metës kur drejtonte Kuvendin, kandidat i LSI-së për deputet në zgjedhjet politike të 2017,  dorëzoi formularin në limitet kohore, ndërkohë që siç ka pohuar, shfrytëzoi kohën në dispozicion për tu konsultuar me faktorë ndërkombëtar.

Ai ka dorëzuar formularin e plotësuar në KQZ , nga ku pritet më pas të marrë mandatin e deputetit për qarkun e Tiranës. Kujtojmë se Gjoni ka qenë ish-Sekretari Ndërkombëtar i Lëvizjes Socialiste për Integrim. Po kështu pak ditë më parë, kur delegacioni i PE vizitoi Tiranën, ai zhvilloi një takim me raportuesin për Shqipërinë në BE, Knut Fleckeinstein çka u pa si sinjal i qartë se do të hynte në parlament.

Duke komentuar mundësinë e hyrjes në parlament të Gjonit, kryetarja e LSI-së Monika Kryemadhi tregoi tek emisioni “Të paekspozuarit” mesazhin që kohë më parë ai i kishte nisur deputeteve të reja të LSI.

“Kur hynë ato vajzat deputete që bënë amendamentet e tetë kërkesave të studentëve, i shkroi Kejdi Mehmetajt: Ti duhet të dorëzoje mandatin. Si hyn ti në atë Parlament kriminelësh etj… Tani Ralfi u bë një nga kriminelët që do shkojë atje. Kjo është zgjedhja e Ralfit, por Ralfi nuk përfaqëson opozitën”, tregoi ajo.

(BalkanWeb)

 

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb