Edhe Shkrimet “Flasin” ishte ekspozita e përbashkët e çelur ditën e sotme në Muzeun Historik Fier, një bashkëpunim i këtij institucioni kulturor dhe Parkut Arkeologjik Kombëtar të Apolonisë.

Gjatë këtij aktiviteti të zhvilluar në kuadër të 29 shtatorit – Ditës Kombëtare të Trashëgimisë Kulturore, u publikuan një sërë shënimesh të vjetra shkëputur prej librave  të dikurshëm të përshtypjeve të muzeut arkeologjik të Apolonisë.

Sipas drejtoreshës se Parkut  Kombëtar Arkeologjik të Apolonisë , Ornela Durmishaj, të ruajtura dhe të arkivuara me kujdes që prej viteve ‘70  të shekullit të kaluar, ato sollën para publikut disa nga shënimet autentike të lëna prej disa nga emrat më të spikatur të kulturës shqiptare dhe më gjerë.

Midis tyre bien në sy emrat e Dritëro Agollit, Fatos Arapit, Moikom Zeqos, Visar Zhitit, studiuesit arbëresh Françesko Altimari, shkruesit të deklaratës së pavarësisë së Kosovës Shyqri Nimani, arkeologut francez Pierr Kaban, etj.

E konsideruar si një qasje ndryshe në fushën e muzeologjisë, ekspozita kishte si qëllim afrimin gjithnjë e më shumë të publikut edhe muzeve vendorë si institucione të ruajtjes së kujtesës kolektive, ka thënë ndër të tjera historiani Ilirjan Gjika.

Një tjetër drejtim i këtij aktiviteti ishte edhe mini-ekspozita kushtuar 100-vjetorit të gërmimeve arkeologjike në Apoloni të drejtuara nga Leon Rei.

(balkanweb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: