SHKODËR
Partia Demokratike dega Shkodër akuzon kryeministrin Edi Rama se po përdhosh qytetin dhe ka turpëruar socialistët e Shkodrës duke kandiduar për kryetar partie një të dënuar.

Në një deklaratë për mediat, PD Shkodër thotë se “Rama ka rreth 2 muaj që ka lënë Shkodrën pa drejtorë rajonal, sepse pret që bandat të bien në ujdi për të ndarë pushtetin”.

Më tej i bën thirrje qytetarëve të Shkodrës, të përbuzin këtë model qeverisjeje, ta refuzojnë fuqimisht tentativën e Edi Ramës për të veshur me pushtet krimin në Shkodrën e kulturës dhe dijes.

DEKLARATA E PLOTË
Është e turpshme dhe e dënueshme përdhosja që po i bën Edi Rama qytetit të Shkodrës.

Pasi i turpëroi socialistët e Shkodrës duke i kandiduar për Kryetar Bashkie, pa i pyetur, një trafikant droge të dënuar në Itali, Edi Rama ka rreth 2 muaj që ka lënë Shkodrën pa drejtorë rajonal, sepse pret që bandat të bien në ujdi për të ndarë pushtetin.

Nuk ka rëndësi për Edi Ramën se çfarë mendojnë qytetarët e Shkodrës.
Nuk ka rëndësi për Edi Ramën se çfarë mendojnë socialistët e ndershëm të Shkodrës.
Nuk ka rëndësi për Edi Ramën që Shkodra ka djem dhe vajza të talentuar, të arsimuar mirë dhe të aftë për të drejtuar administratën publike lokale.

Për të ruajtur pushtetin e tij personal, për Edi Ramën ka rëndësi vetëm vazhdimi i marrëveshjes së bashkëqeverisjes me krimin e organizuar në Shkodër.

Shkodra nuk ka për t’ia falur këtë! Edi Rama duhet të mësojë se me Shkodrën as nuk mund të tallet dhe as nuk mund të luajë!

Partia Demokratike Dega Shkodër i bën thirrje qytetarëve të Shkodrës, pa asnjë dallim politik, të përbuzin këtë model qeverisjeje, ta refuzojnë fuqimisht tentativën e Edi Ramës për të veshur me pushtet krimin në Shkodrën e kulturës dhe dijes.

Shqipëria dhe Shkodra ka vetëm një rrugë!
Të ndahen nga krimi, të refuzojnë të keqen, dhe të punojmë bashkarisht për Shqipërinë si gjithë Europa!

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: