TIRANË-Kryeministri i vendit Edi Rama ka devijuar dhe nuk i është përgjigjur pyetjes së gazetares së Abcnews, Erisa Zykaj në Bruksel. Erisa Zykaj e ka pyetur kryeministrin Rama se presidenti i Bashkimit Europian ka thënë se Shqipëria është më e suksesshme në politikën e jashtme, dhe do donte që të ishte po aq e suksesshme në politikën e brendshme. Pyetjes se pse Shqipëria është gjithmonë e suksesshme në arenën ndërkombëtare dhe problematike në atë të brendshme, Rama i është përgjigjur gazetares se duhet të marrë më shumë leksione anglisht sepse presidenti i BE nuk është shprehur në atë mënyrë. Pas kësaj Zykaj ka drejtuar një tjetër pyetje për shkallën e kriminalitetit në vend, por sërish nuk ka marrë përgjigje nga Rama.
‘’Kryeministri i Shqipërisë më këshillon të marr më shumë leksione anglisht, pasi sipas tij nuk kam kuptuar një fjali të deklaratës së presidentit të Bashkimit Evropian, Donald Tusk i cili tha ” Shqipëria duhet të jetë po aq e arsyeshme dhe konstruktive në politikën e brendshme, sa ç’ është në politikën rajonale”. Unë tentova ta zbusja deklaratën e Tusk në pyetjen time duke thënë ” Shqipëria duhet të jetë po aq e suksesshme në politikën e brendshme sa ç’është në skenën e jashtme”. Por edhe kjo nuk e ka shmangur arrogancën e tij. Në fakt, nuk ka nevojë të jesh shumë i zgjuar dhe as të kesh marrë leksione shtesë anglisht për të ditur, se Shqipëria është vendi që ka një vijueshmëri problematike të politikës së brendshme në kontrast me rolin e saj rajon. Kur i shtrova pyetjen e dytë për përshkallëzimin e kriminalitetit në vend, ktheu kokën nga ana tjetër. Të gjithë kolegëve evropianë që asistuan dhe u vunë në dijeni të qëndrimit të tij u befasuan nga ngjarja. Nuk e imagjinoni dot sa “sa mirë “ndihet një gazetar që trajtohet kështu nga kryeministri i vendit të tij, ndërkohë që respektohet nga përfaqësuesit e institucioneve evropiane dhe organizmave me rëndësi si Shoqata Ndërkombëtare e Medias, në bordin e të cilit bën pjesë apo Klubi i shtypit evropian, ku është zv/president. Një pyetje kam unë : “Pse nuk u ankua kryeministri për anglishten time kur i drejtova pyetjet Maja Koçijançiç për ndeshjen Serbi-Shqipëri?’’- ka shkruar gazetarja Erisa Zykaj në rrjetin social Facebook.

https://www.youtube.com/watch?v=ZEO4Gc6BEU8

(d.d/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb