Në 3 dekada demokraci, ky vend ka kaluar shumë, por kurrë më parë, nuk ka njohur një konflikt politik e institucional, që ka nxitje për t’u thelluar. Puçi kushtetues që ka inicuar kryeministri ilegjitim, reflekton makthin e një njeriu, të cilit subkoshienca ia ka bërë të qartë prej kohësh, se nuk e ka vendin në zyrën e kryeministrit. Kjo e bën atë agresiv e të rrezikshëm. Vetëm një njeriu të paqëndrueshëm mund t’ia rrokë mendja, të shkelë me këmbë botërisht çdo normë kushtetuese e ligjore, në një vend që e ka fituar prej 30 vitesh pluralizmin, e është një nga 29 anëtarët e Aleancës së Atlantikut të Veriut.

Në gjashtë vjet në detyrë, ky kryeministër nuk ka kuptuar, se zbatimi i ligjeve është garancia për paqen sociale, e se shkelja e tyre çon pashmangshmërisht në konflikt.

Kryeministri që e ka arritur tashmë famën botërore, si individi që e ka kthyer një vend në NATO-s në narkoshtet, që pushtetin e ka siguruar duke blerë vota me kriminelë, tani guxon t’i ofrojë një vendi që pret hapjen e negociatave në BE, votime moniste, ku vetë është kandidat, mbikëqyrës i procesit, numërues votash e fitues, ndërsa të fortët e kriminelet i ka sërish aty, për ta garantuar se fitoren me veten e ka të sigurtë.

Po cili, edhe rilindisti më i bindur, nuk e ka të qartë se ajo që Edi po bën prej tre muajsh, është rikthim në diktaturë, me opozitë të emëruar, si dikur Bashkimet Profesionale e Fronti Demokratik?

E nëse Presidenti i Republikës, si garanti i unitetit të popullit vendos t’i thotë stop, një farse të pashembullt zgjedhore, që do ta çonte Shqipërinë e vitit 2019 në konflikt civil, kryeministri me ekulibër të rënduar, shpërfytyrohet se si dikush mund ta ndalë në rrugën e tij të askundit.

A ka shqiptar a ndërkombëtar, që nuk e ka kuptuar se si i zhvillon zgjedhjet Edi Rama, pasi ka dëgjuar se si një administrator ujësjellësi në një bashki të vogël, listën e punonjësve që votojnë PD-në, ia kishte bërë gati një narkotrafikanti, që i pohonte se do t’i “shkundte“ që ose të votonin PS, ose të humbisnin vendin e punës? Pse, Partia Demokratike i realizoi ato përgjime që publikoi tabloidi gjerman Bild apo janë dokumente të prokurorisë, të asaj prokurorie që prej tre vitesh me atë dosje në sirtar nuk guxon as të marrë në pyetje individët me lidhje me pushtetin, të kapur në përgjime, ndërsa njeriun e afërt të Edi Ramës kryebashkiakun e Durrësit, e thërret tinëz e krejt formalisht? Kush është ai që e beson se kjo është vetëm rastësi?

Cila opozitë, në cilën demokraci, të madhe apo të vogël në BE, apo në botë, do hynte në zgjedhje në ato kushte të dekonspiruara tashmë? Si duhet të sillet një opozitë e tillë, kur i kërkohet që në emër të stabilitetit të futet në zgjedhje? Në cilin vend të botës, edhe jo demokratik, një opozitë do hynte në zgjedhje për t’u vjedhur? A mos opozita duhet të përdorë të njëjtin model të Edi Ramës, pra të përpiqet të gjejë e rekrutojë kriminelë në treg, për t’u futur në kushte të barabarta në zgjedhje? A do konsiderohej ky standard e stabilitet demokratik, apo plotësim i kriterit bazik për të qenë pjesë e BE, atij të Kopenhagenit?

Kush e beson me ndërgjegje përrallën e Edi Ramës, se opozita pa imunitet parlamentar, paska frikë nga reforma në drejtësi, të cilën ai vetë e ka kapur, kurse Edi Rama me skandalet që i dalin ditë pas dite, edhe në mediat e huaja nuk e paska fare problem, se një ditë do përballet me drejtësinë? Ku i buron kjo siguri kryeministrit ilegjitim, të cilit tashmë të gjithë ia njohin delirin pa fre, për të nënshtruar çdo pushtet?

As Ramiz Alia nuk guxoi në vitin 1992, të mos pranonte zgjedhjet e parakohshme, pasi vullneti i qytetarëve ishte deformuar nga frika e regjimit komunist në zgjedhjet e para pluraliste në Shqipëri. Por Edi Rama e ka tejkaluar tashmë edhe atë model të fundit zyrtar komunist.

Përse zgjedhjet e parakohshme, në një krizë të thellë edhe institucionale tashmë, qenkan hata për Shqipërinë, por janë standard demokratik për të paktën dy vende të BE si Greqia e Austria, për të tjera vende si Izraeli, Moldavia e Ukraina, e më herët edhe për vetë fqinjin tonë Maqedoninë?

Kujt i shërben thellimi i krizës politike e institucionale në Shqipëri, përveçse një njeriu të vetëm, lobimi luksoz i të cilit tashmë, ka rënë në sy edhe të atyre, që deri dje, i besonin përbetimeve prej gënjeshtari patologjik, se po bënte reforma europiane, teksa kapte një nga një, çdo institucion në vend, në mënyrën më flagrante?

Në cilin vend demokratik do quhej normalitet, një kryeministër që largon dy ministra të brendshëm, pasi iu zbuluan lidhjet me trafikun e drogës? Cili kryeministër i çdo vendi demokratik do fuste kriminelët në parlament, në krye të bashkive, e në poste të tjera publike, e do vazhdonte jo vetëm të qëndronte në karrigen e kryeministrit, por edhe të shtonte radhët e narkotrafikantëve krah tij? A nuk është kjo një panoramë e provuar tashmë, e jo akuza verbale të opozitës?

Në cilin vend demokratik, një kryeministër me rekorde të tilla do guxonte të mendonte, e jo më të thurte një puç kushtetues ndaj kryetarit të shtetit, vetëm pse ky i fundit vendosi të ndalonte votimet moniste, për t’i dhënë një shans zgjidhjes së krizës së thellë politike në vend?

Në cilin vend demokratik, një institucion jo kushtetues si KQZ, që vihet në lëvizje për përgatitjen e zgjedhjeve, vetëm me dekret presidencial, do guxonte të injoronte zbatimin e një dekreti kushtetues?

Në cilin vend demokratik, parlamenti merret zvarrë për delirin e një individi, për të shkelur ligjet që vetë ka miratuar, sipas të cilave, vetëm Gjykata Kushtetuese mund të vlerësojë një dekret presidencial, njëlloj si kushtetuetshmërinë e akteve të kreut të shtetit?

Në cilin vend demokratik, ky hall politik i kryeministrit u zgjidhka në çdo institucion ku ka militantët e vet, duke anashkaluar Gjykatën Kushtetuese, ndryshe nga ç’ndodh me këdo në këtë vend, që ka punë me të apo Gjykatën e Lartë, njëlloj jofunksionale? A është ky një standard demokratik europian?

Nëse të gjitha këto, vetëm një pjesë e zullumeve të këtij kryeministri janë në rregull, me standarde e konsiderohen stabilitet, atëherë përse BE vazhdon ta mbajë derën e mbyllur për ne, e një vend themelues si Holanda kërkon edhe rikthimin e vizave, një arritje e qeverisjes së demokratëve, që ky kryeministër ende nuk e ka kuptuar se mund ta shkatërrojë?

Miqtë ndërkombëtarë i kemi tejet të nevojshëm në rrugëtimin tonë aspak të lehtë, për ndërtimin e një demokracie funksionale, por ka ardhur koha që ata te qartësojnë pozicionin e tyre: nëse kjo është Shqipëria në rrugën e duhur, por që paragjykohet prej tyre, kur vjen puna për t’i hapur derën e BE, apo është narkoshteti që po e denoncojnë edhe mediat e vendeve të tyre. Të dyja bashkë nuk rrinë, sepse këtë nuk e pranon as mendja e paekuilibruar e kryeministrit tonë. Sot Shqipëria ka nevojë më fort se kurrë për miq realistë e jo konformistë. Shkelja flagrante e çdo ligji e nënshtrimi me fuqinë e pushtetit i çdo institucioni, po rrezikon paqen sociale në vend. Të paktën Partia Demokratike, ajo që solli pluralizmin në këtë vend pas 46 vitesh diktaturë, nuk ka për të pranuar kurrë, që vendi t’i kthehet më atij modeli, që ndoqi çmendurinë e një individi, që pasi izoloi vendin, përmes gjyqeve politike vrau mbi 6 mijë shqiptarë, mbi 34 mijë i burgosi politikisht, e internoi në kampe përqendrimi mbi 59 mijë të tjerë.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: