TIRANE-A do të rritet çmimi i energjisë? Partia Demokratike shprehet se rritja e çmimit do të bëhet në masën 22%, ndaj bën thirrje për protesta masive. Por menjëherë vjen reagimi i kryeministrit Edi Rama që shprehet se, nëse çmimi shkon 22% do të dalë dhe ai në protestë. Kreu i Qeverisë garanton se deklaratat nga selia e PD janë mashtrime. Por, nuk mendon kështu kreu i PD, Lulzim Basha që këshillon kryeministrin që të mos luajë kukafshehti por t’u shpjegojë shqiptarëve, sesa do të rritet realisht çmimi i energjisë elektrike.

PD: Çmimi rritet me 22%
Duke e konsideruar padrejtësi rritjen e çmimit të energjisë PD ftoi sot në protesta qytetarët.
Enno Bozdo tha sot në një deklaratë për mediat nga selia e PD-së se çmimi I energjisë do të rritet me 22 %, por kësaj deklarate kryeministri Rama iu përgjigj duke deklaruar se nëse kjo ndodh dhe ai vetë do të dalë në protesta.

Deklarata e Enno Bozdo
Më në fund, qeveria e pranoi vetë, se dhurata që ajo ka menduar për qytetarët këtë fundviti, është rritja e çmimit të energjisë.
Pasi në fushate premtoi uljen e çmimit të energjisë, Edi Rama u fsheh për muaj të tërë pas përbetimeve të kota për mosrritjen e cmimit. Por e vërteta doli në dritë të diellit. Duke dërguar sinjale të paqarta, në mungesë totale të transparencës, në errësirë të plotë për disa muaj, Edi Rama në fakt gatoi rritjen e cmimit.
Zyrtarisht, qeveria ka kërkuar të rrisë cmimin e energjisë elektrike me 22 përqind. Nga ana tjetër, kompania OSHEE, 100 përqind në pronësi të qeverisë, pra përsëri qeveria, kërkon një rritje cmimi më shumë se 60%. Një tallje masive për shqiptaret, të cilët tashmë e kanë kuptuar se cmimi përfundimisht do të rritet!
Një rritje që prek drejtpërdrejt ata që nuk kanë, pra më shumë se 76 përqind të qytetarëve.
Fillimisht e dha lajmin e keq për shqiptarët nga Uashingtoni, Ministri i Financave.
Edi Rama nxitoi të bënte ato deklaratat e tij se nuk do të kishte rritje cmimi.
Por zyrtarisht, e firmosur nga qeveria është kërkesa për ta cuar tarifën e cdo fundmuaji për pjesën më të madhe të shqiptarëve, të paktën 22 përqind më shumë.
Edi Rama vazhdon të fshihet. Nuk jep asnjë shpjegim. Sic nuk bëri transparencë për një nga aferat më të mëdha në rajon e më gjërë, faljen e 600 milionë eurove ndaj kompanisë CEZ. Eshtë aferë e pastër ku Rama është përfshirë, pasi këto 600 milionë euro ishin fatura të pranuara nga kompania ceke, e cila duhej t’ia shlyente shtetit shqiptar.
Ia dha Edi Rama me një dorë miqve të tij, por po u merr shpirtin qytetarëve të vendit, me fatura abuzive, me kamatvonesa mbi faturat abuzive e tani së fundmi, si qershia mbi tortë, me rritjen e cmimit të energjisë.
Po rrit cmimin e energjisë, teksa vetë ka dhënë shembullin e keqmenaxhimit dhe abuzimit me pasurinë publike, me caktimin e drejtorëve të OSHEE, hajdutë të paskrupullt e persona me probleme me drejtësinë.
Po e rrit cmimin e energjisë, në një kohë kur shqiptarët po vuajnë papunësinë, varfërinë, koston e larte te jetetës.
Rritja e cmimit të energjisë është një padrejtësi, që qytetarët do të dinë ti bëjnë ballë.
Siç e tregoi protesta masive popullore.
Dhe protesta popullore do ta ndalë të keqen.

Edi Rama: Nëse çmimi i energjisë shkon aq, do dal edhe unë në protestë

“Nëse çmimi i energjisë rritet me 22%, do dal dhe unë në protestë”. Kjo ishte deklarata e sotme e kryeministrit Edi Rama lidhur me deklaratat e bëra së fundmi se çmimi i energjisë pritet të rritet për xhepin e konsumatorit.

Me një mesazh të shkurtër në Twitter, Rama jep garanci për mosrritje të çmimit të energjisë elektrike. Mandej, ai shprehet se nëse kjo vërtetohet, do të jetë e vështirë të reagohet nga ana e atyre që akuzojnë për një cmim në rritje të energjisë.

“Nëse çmimi i energjisë ju rritet 22% do dal edhe unë në protestë, po nëse jo ku do shkojnë ata që veç shpifin përditë për t’ju helmuar?!…

As duan tia dinë çfarë thonë, jo vetëm pa asnjë ide e program veç shpifjeve po ultësisht kryelartë në recitimin e gënjeshtrave të përditshme”.

Basha: Mos luaj kukafshehti por përgjigju shqiptarëve, sa do të rritet energjia

 

Por, sipas kryetarit të PD, Lulzim Basha, kryeministri Edi Rama po i bën bisht pyetjes që po mundon shqiptarët; ‘Sa do të rritet çmimi i energjisë elektrike’.
“Kryemashtruesi na bën moral! Ka 2 muaj që luan kukafshehti me ministrin e tij të energjisë dhe nuk i përgjigjet pyetjes së shqiptareve: Sa do rritet çmimi i energjisë?”.
Sipas Bashës, Rama premtoi uljen e çmimit të energjisë elektrike gjatë fushatës elektorale. Kreu i PD tha se përkundër premtimeve të Ramës do të vijë një protestë popullore e përmasave të mëdha.
“Shqiptarët nuk harrojnë se në fushatë premtoi se do ta ulte cmimin e energjisë; Por OSHEE dhe Ministria e Energjitikës, të dyja nën komandën e kryeministrit kanë kërkuar rritje të cmimit. Kryemashtruesi dhe megafonet e tij e quajnë mesatarizim.

Leri lojerat me nervat e sfilitura te njerezve qe po vuajne! Ule cmimin e energjise sic premtove! Mos rrit taksat! Hap vende pune dhe jo plage të reja sociale! Përndryshe mos u lodh te vish ne proteste. Po vjen protesta tek ty! Me e madhe se kurrë më parë!”

 

(d.b/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb