Kryeministri Edi Rama në një intervistë për Zërin e Amerikës, për gazetarin Armand Mero, duke folur për avancimin e Shqipërisë në rrugëtimin e saj drejt BE-së, shprehu bindjen se mbyllja e negociatave do të bëhet në fund të 2027-ës.
Rama tha se ky është plani i përbashkët strategjik i shkruar dhe i dakordësuar së bashku me Komisionin Europian për mbylljen e negociatave në 2027.
“Është një plan shumë ambicioz dhe ne jemi të angazhuar ta realizojmë pikë për pikë. Detyrat për mbylljen e negociatave ti mbyllim brenda vitit që kemi përcaktuar”, tha Rama.
Kryeministri duke folur për korrupsionin, tha se ishte një temë shumë e debatuar për gati dy vjet në zgjedhjet në SHBA, madje ishte një debat në të dyja kahet.
“Kur flitet për korrupsionin ka shumë të vërteta që ne nuk mund t’i mohojmë, sikundër ka edhe shumë të pavërteta që bëhen atraktive.
Korrupsioni është problem në Shqipëri, por jo aq i madh sa të mertitojë ccdo natë vëmendjen në të gjitha tamtamet dhe frëngjitë”, tha Rama.
Zëri i Amerikës: Zoti kryeministër, së pari, faleminderit për këtë intervistë në fund të vitit me Zërin e Amerikës. Do të doja ta nisja me një ngjarje të rëndësishme për Shqipërinë gjatë këtij viti, përparimin e saj në integrimin drejt Bashkimit Europian. Brenda dy muajsh, Shqipëria arriti të hapë dy grupe kapitujsh. Megjithatë ambicia juaj është që bisedimet të mbyllen brenda vitit 2027. Sa realiste është kjo, duke patur parasysh që fqinjët tanë kanë kaluar vite të tëra e ende janë larg?
Kryeministri Rama: Kjo nuk është ambicia ime tanimë, por është plani i përbashkët strategjik i shkruar dhe i dakordësuar së bashku me Komisionin Europian. Është një plan konkret, me hapa konkrete, me data konkrete dhe është shumë ambicioz, por ne jemi të angazhuar që ta realizojmë pikë për pikë dhe që, përsa na takon, detyrat për mbylljen e negociatave t’i kemi kryer brenda vitit, që kemi përcaktuar.
Zëri i Amerikës: A është e përgatitur administrata shqiptare për ta përballuar këtë proces? Sepse po i referohem këtu raportit të fundit të Komisionit Europian, dhe më lejoni të citoj, ku thuhet se qeveria, për shembull, “vazhdoi të miratonte politikat dhe ligjet, duke ngritur shqetësime në lidhje me respektimin e standardeve të BE-së”, apo se “një pjesë e mirë e rekomandimeve të Komisionit Europian ose ishin zbatuar pjesërisht, ose nuk ishin zbatuar fare”.
Kryeministri Rama: Këto nuk kanë asnjë lidhje me pyetjen apo me përmbajtjen e pyetjes për administratën, sepse sa e përgatitur është administrata jonë kjo natyrisht nuk duket, nëse ndjek lumenjtë e lajmeve, ku gjysmë të vërtetat që janë edhe gënjeshtrat më të mëdha, po edhe gënjeshtrat safi janë material sundues. Por kjo duket nga faktet dhe fakti më kuptimplotë për përgatitjen e administratës sonë është fakti që administrata jonë përballoi jo vetëm me sukses, por edhe nën sytë e befasuar të Komisionit Europian të gjithë procesin e përgatitjes së negociatave, që është një proces jashtëzakonisht i vështirë.
Nga ana tjetër, administratën tonë e gjykojnë institucione prestigjioze, të cilat funksionojnë si institucione të Bashkimit Europian, ku kam parasysh në këtë rast SIGMA-n, që e cilëson administratën tonë, në mos gabohem, në 4 nga 5 fusha të hulumtimit të kapaciteteve të administratës, si më të mirën në rajon.
Zëri i Amerikës: Zoti kryeministër, korrupsioni mbetet një temë gjerësisht e debatuar edhe ndër vite. Ju shpesh keni deklaruar një seri masash, ndërhyrjesh, reformash që janë marrë, megjithatë në vlerësimet ndërkombëtare, edhe në raportin e fundit të Komisionit Europian vazhdon të konsiderohet si një shqetësim serioz, madje thuhet edhe se “përpjekjet parandaluese kanë patur një ndikim të kufizuar”.
Kryeministri Rama: Korrupsioni ishte një temë shumë e debatuar për gati dy vjet në zgjedhjet e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe nuk ishte një temë e debatuar me një kahje, por ishte një temë e debatuar me të dyja kahjet, që do të thotë se në këtë debat për korrupsionin ka shumë; ka natyrisht të vërteta, që në rastin e Shqipërisë ne nuk mund t’i mohojmë, ka shumë të pavërteta që janë atraktive në arenën politike dhe mediatike, ka shumë analiza, që mbështeten mbi shumë spekulime, por, për t’u kthyer dhe për të mbyllur përgjigjen: korrupsioni në Shqipëri është një problem, asnjëherë aq i madh sa të meritojë tamtamet e përnatshme në të gjitha llojet e frëngjive dhe në të gjitha llojet e platformave, por një problem, që pikërisht pse është real, jemi duke e përballur qoftë me reforma, qoftë me modernizimin e shërbimeve dhe me modernizimin e proceseve brenda administratës, duke shfrytëzuar teknologjinë, qoftë nëpërmjet institucioneve të reja të drejtësisë dhe patjetër, qoftë falë mbështetjes publike, që në këtë luftë kundër kësaj të keqeje është një mbështetje e gjerë.