Kryeministri Edi Rama në një intervistë për mediat serbe ka thënë se shqiptarët e Shqipërisë dhe të Kosovës edhe pse jetojnë në dy shtete të ndryshme, tani ka ardhur koha që të bashkohen.

Ai këtë bashkim të shqiptarëve e sheh si pjesë e rrugës së BE-së. “Shqiptarët në Shqipëri dhe Kosovë janë vëllezër që tani jetojnë në dy vende të ndryshme dhe duhet të bashkohen”-tha Rama në TV Pink. Shefi i qeverisë shqiptare thekson se është për një rajon të hapur, i cili të mos mbetet i izoluar për shkak të kufijve me vendet e Ballkanit Perëndimor.

“Nuk e dua kufirin me Kosovën, Malin e Zi, Maqedoninë, Serbinë. Duhet të punojmë për ta bërë atë të ndodhë”,-shtoi ai.

Kryeministri i vendit foli edhe për pikën e nxehtë atë të njohjes  së pavarësisë së Kosovës. Sipas tij, shteti serb duhet të pranojë realitetin dhe të njohë sa më parë pavarësinë e Kosovës.

“Nevoja për pajtim është e pashmangshme, dhe sa më shumë Serbia vazhdon të besojë në këtë ëndërr se kjo nuk ka ndodhur ose se ajo mund ta parandalojë atë, do të jetë më e dhimbshme për të gjithë”-theksoi ai.

Kryeministri Rama u ndal edhe tek termi i ashtuquajtur “Shqipëri e Madhe”, ndërsa shtoi se ky term është hartuar për t’u përdorur kundër qytetarëve shqiptarë. Shefi i ekzekutivit pohoi se shqiptarët dhe serbët duhet të kishin bërë më shumë për Ballkanin Perëndimor ashtu siç ka bërë Franca dhe Gjermania për Europën.

Nuk kishte se si të mungonte komenti për simbolin e shqiponjës dykrenare. Ai i tha medias serbe se ky është simboli i shqiptarëve dhe në thelb nuk përcjellë asgjë të keqe për të tjerët.

(n.m/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb