Një vit më parë, do të ishte një ftesë zyrtare nga ana e kancelares gjermane Angela Merkel për kryeministrin shqiptar Edi Rama, që do të shënonte një marrëdhënie të re mes Shqipërisë dhe Gjermanisë. Rama do të udhëtonte drejt kryeqytetit gjerman, për tu takuar më 1 prill. Ai u prit përmes një ceremonie zyrtare në Kancelarinë gjermane nga Kancelarja Merkel. Pas takimit dypalësh mes zotit Rama dhe zonjës Merkel, u organizua një drekë pune mes dy delegacioneve dhe me pas u zhvillua konferenca e përbashkët për shtyp.

Në vizitën e tij të parë në Gjermani, më 1 prill, me postin e Kryeministrit shqiptar, Edi Rama mori mbështetjen nga Kancelarja Angela Merkel për marrjen e statusit të vendit kandidat për Shqipërinë në Bashkimin Europian. Deri në ato momente shteti gjerman ishte skeptik për mbështetjen që i duhej dhënë vendit tonë në mbledhjen e Këshillit Europian për dhënien e statusit.

“Marrëdhëniet bilaterale, vitet e fundit janë zhvilluar shumë mirë. Edhe marrëdhëniet ekonomike janë zhvilluar shumë mirë. Gjermania është prej vitesh partnere e Shqipërisë. Ne duam që Shqipëria të marrë një zhvillim të mbarë”, ka qenë kjo nisja e fjalimit të Kancelares Merkel me Kryeministrin Rama. Në këtë takim ajo iu përgjigj edhe ftesës së Kryeministrit për një vizitë në Tiranë. “Kryeministri, mua më ftoi për vizitë dhe unë i thashë se do ta respektoj këtë ftesë. Po të më pyesni pas një viti, unë do të kem qenë në Shqipëri”, ka thënë Merkeli.

“Një takim të paharrueshëm” e ka cilësuar kryeministri Edi Rama takimin e zhvilluar me kancelaren gjermane Angela Merkel. Duke postuar foto nga takimi dhe pritja që i është rezervuar në Berlin, Rama shkruan në Facebook se në fokus të bisedimeve me kancelaren gjermane ishin projektet e mëdha të modernizmit dhe europianizmit të Shqipërisë si dhe për rritjen e bashkëpunimit ekonomik e të investitorëve gjermanë në vendin tonë.

Por Kancelarja Merkel shpjegoi se për të tërhequr investimet gjermane, thelbësore është siguria juridike që vjen vetëm përmes reformës në drejtësi. Përballë kërkesës gjermane për të vazhduar luftën ndaj krimit të organizuar dhe korrupsionit, Kryeministri Rama garantoi vullnetin e tij për të vazhduar rrugën e modernizimit.

Pas vizitës së parë më 1 prill në Berlin, kryeministri shqiptar do të udhëtonte sërish drejt Gjermanisë, për në marrë pjesë në Konferencën për Ballkanin të drejtuar nga Merkel, ku ishin të pranishëm përfaqësuesit dhe krerët e qeverive të Ballkanit perëndimor. Më 28 gusht, sytë e vendeve të Ballkanit Perëndimor ishin të gjitha në drejtim të Berlinit. Kryeministrat dhe ministrat e Jashtëm e të Ekonomisë të Shqipërisë, Bosnje-Hercegovinës, Kosovës, Kroacisë, Maqedonisë, Malit të Zi, Serbisë dhe Sllovenisë kishin gati dokumentin me kërkesat kryesore që do të paraqiteshin në tryezën e kancelares Angela Merkel.

Shqipëria në këtë konference, kishte dhe një rol të veçantë, ku kreu i qeverisë shqiptare Edi Rama, ishte edhe përfaqësuesi i vetëm i vendeve te Ballkanit që doli në konferencë në krah të kancelares gjermane, gjë që ngjalli xhelozi dhe nuk u prit mirë nga homologë të disa prej vendeve të Ballkanit Perëndimor. Rama e vlerësoi si historik këtë takim  duke theksuar se Kancelarja shprehu në mënyrë të dukshme garancinë për vazhdimin e kësaj nisme. Ky është vetëm fillimi i ristrukturimit mes BE-së dhe Ballkanit, tha Rama në konferencë. Rama nuk la pa përmendur edhe projektet e përbashkëta mes vendeve të Ballkanit.

Ndërsa në fjalën e saj Kancelarja theksoi se në vendet e Ballkanit ka pasur zhvillime, por me çështjen e integrimit duhet të ecej edhe pak më shpejt. Kancelarja nuk e përcaktoi konferencën si një ngjarje të ditës, por si një fillim ku ka shumë punë për të bërë.

Mesazhet ishin të qarta. Ballkani duhet të ketë projekte të përbashkëta, për të përfituar nga Europa. Turizmi, infrastruktura dhe energjia ishin bazat kryesore të një dokumenti që kryeministri Rama i dorëzoi kancelares Merkel në emër të liderëve të Ballkanit.

Në kuadër të samitit të Berlinit dhe para samitit të Vjenës që pritet të mblidhet në muajin gusht të këtij viti, më 28 maj u organizua në Tiranë samiti ekonomik, ku morën pjesë gjashtë kryeministra të rajonit, për të biseduar rreth projekteve me karakter strategjik, posaçërisht për infrastrukturën. Qartë dhe prerë, krerët e qeverive të Ballkanit i dhanë këtë mesazh Bashkimit Evropian:

Takimi i parë më 1 prill mes Merkel dhe Ramës ka qenë më shumë se sa një shkëmbim i zakonshëm kortezish, ku biseda përfundoi me përgjigjen pozitive të Kancelares për të vizituar Tiranën brenda një viti. Një premtim i mbajtur nga Merkel.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: