KOSOVE

“Nëse Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, pajtohet që me Serbinë dialogu të mbyllet me këmbim territoresh, do t’i bënte favor Sllobodan Millosheviçit, Aleksandar Vuçiçit e Vladimir Putinit.” – deklarata vjen nga ish kryenegociatorja në dialogun me Serbinë Edita Tahiri, e cila thekson se nëse Serbia do të merrte veriun, do të plotësohej do të krijohej Serbia e Madhe.

“Kosova lindi si shtet pas 100 vitesh. 100 vjet kemi luftuar. Ne s’u bashkuam me Shqipërinë që ishte e drejtë e jonë e natyrshme. Pavarësia ishte kompromisi që zgjodhëm. Tani kur Kosova është realitet, Gjykata Ndërkombëtare për Drejtësi e njohi si të ligjshme. Mbi 100 vende na kanë njohur. Çdo cënim i territorit është për t’i dhënë fitore Millosheviçit. Vënia në pikëpyetje e kësaj arritje është dështim gjeopolitik dhe hapje e rrugës për të kthyer ndikimin rus në Ballkan. Serbia e madhe bëhet duke marrë veriun e Kosovës, sepse ka tashmë Bosnjën. Përsëri do të kthehej hegjemonia serbe dhe destabilizim i ri. Çdo këmbim territori, i bën favor Millosheviçit, Putinit e dëmton interesat e shqiptarëve”, është shprehur Tahiri.

Tahiri thekson ndër të tjera se platforma në dialogun me Serbinë duhet të jetë e qartë se kufijtë nuk preken dhe se shtetet duhet të njohin njëra-tjetrën me kufijtë aktualë.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb