Nga Mauro Geraci

Edhe pse merr gjithë vërtetësinë dhe simbolikën e së shkuarës, Profeti i kokoshkave nuk është një përrallë dhe nuk duhet të kuptohet në termat imagjinarë të na ishte dikur… Shkruar gjatë mbylljes së Covid, botuar në vitin 2021 në Tiranë dhe tani, për herë të parë, i botuar këtu në përkthimin italisht, ky monolog teatror i Edmond Budinës dramaturg – i njohur, aktor dhe regjisor filmi Shqiptar, i cili prej vitesh jeton dhe punon gjithashtu edhe në Itali – të kujton realitete ende ekzistuese: ato të një vendi ose, më mirë, të vendeve në të cilat ushtrimi i pushtetit publik mbetet në duart e profetëve të cilët, si prometeanët e rinj, përfundojnë duke e formësuar atë sipas imazhit dhe gjashmërisë së tyre mendore, kritike, reflektuese, kundërshtuese, deri tek ndjesitë dhe ëndërrat e zgjedhësve të tyre, duke e katandisur kështu në një popull me koka të deformuara dhe të djegura, pikërisht ashtu si kokoshkat. Karakteri satirik me të cilin Budina heton kompromiset e një shoqërie imagjinare buburrecash, nuk e ul fuqinë psikologjike, historike, antropologjike të tekstit që gërmon, në një mënyrë të ndërsjelltë, arsyet biografike, psikosociale, politike që vendosin sot në krye ngjitjen e Profetëve të rinj dhe dëshirën e tyre të ethëshme të mendimit të vetëm.

Me këto pritshmëri tematike dhe njohëse, Profeti i kokoshkave hyn kështu në letërsinë e gjerë që, në Shqipëri dhe në Ballkan, të paktën që nga shekulli i nëntëmbëdhjetë, po përqendrohet në formimin, midis ngritjeve dhe rënieve, të autoriteteve, në vazhdimësinë e pushtetit dhe mbi tranzicionet, mbi shfaqjen e etnicizmave, imperializmave dhe nacionalizmave, mbi proceset e legjitimimit dhe mosnjohjes së pushtetit, sa për të kujtuar Pierre Bourdieu. Nga ky reflektim letrar shumë i vlerësuar që nga Ivo Andriq të çon te Milan Kundera si, në Shqipëri, autorët si Ismail Kadare, Dritëro Agolli, Visar Zhiti, Robert Prifti, Profeti i Budinës paraqet një mundësi shumë interesante të përditësimit, atje ku për t’i analizuar në brendësi dhe për t’i çuar në skenë janë kontradiktat, pasiguritë, trazirat, pandershmëria, marrëzitë e profetëve të cilët, duke trashëguar modelin autokratik të totalitarizmave të perënduara, e gjejnë veten, në klimën e re demokratike, për ta ripërkëdhelur atë, por njëkohësisht duhet edhe të rinojnë, rifreskojnë termat, metodat, mënyrën e të komunikuarit.

Shkurt, në këtë monolog Budina vë në skenë dramën e një profeti, i cili, në dëshirën e tij për sundim, është i detyruar të eksperimentojë mënyra të reja bindëse, propagandistike, të kontrollit ideologjik dhe teknologjik, në një mirëkuptim më të gjerë evropian dhe perëndimor e cila, të paktën në teori, ka braktisur përfundimisht stinët e shkuara diktatoriale. Kështu, sa për të dhënë një shembull, shpjegohen ushtrimet e sofistikuara mediatike, telematike dhe virtuale të imponuara në emër të shkencave natyrore dhe politike; ushtrime përmes të cilave profetët e sotëm e gjejnë veten që duhet t’i përgjigjen publikisht kërkesave të reja të transparencës, elasticitetit, efikasitetit, tregut, qëndrueshmërisë, sigurisë, green (energjisë së gjelbër); të njëjtat që tashmë i madhi sociolog Jean Baudrillard, në vitin 1990, në mënyrë të jashtëzakonshme i theksoi me largpamësi, në esenë emblematike La trasparence du mal. Essai sur le phénomènes extrêmes.

Shkruar, aktruar, regjistruar nga shtëpia në Youtube dhe më pas interpretuar më 29 shtator 2020 në Tiranë në Presidencën e Republikës së Shqipërisë përballë ish-kreut të shtetit, Ilir Meta, Profeti i kokoshkave demaskon kështu deliranten, paradoksalen, vuajtjen e palumtur të diktatorit të vogël. Këtë na e shpjegon vetë dramaturgu në një intervistë të fundit:

“Ideja më lindi gjatë izolimit: isha në shtëpi dhe mendova, ndërsa shikoja karriget dhe një tavolinë, se do të ishte bukur të vihej një dritë poshtë saj. Kështu bëra. Vetëm me një elektrik dore u krijua atmosferë e bukur; Isha fort i bindur se duhej të bëja diçka për shtypjen e pushtetit që tjetërson dhe kështu fillova të shkruaj. Në realitet, të vepruarit nën një tryezë ishte e vështirë dhe për këtë arsye vendosa të bëja teatër dhome, duke e krijuar në shtëpi. Unë kam një shtëpi shumë të vogël në Tiranë, ku tavolina e përmbysur ka marrë pamjen e një foltoreje nga ato të përdorura nga të gjithë diktatorët. Duke interpretuar Kryebuburecin përzieva të gjitha simbolet politike, nga ato naziste në ato komuniste, anarkiste, masonike, duke u veshur me të gjitha pushtetet, të identifikuara në rrobat prej letre. […] Personazhi është brenda një bunkeri të bërë me letër higjienike sikundër dhe veshja nga beli e poshtë, ndërsa ato që mbulojnë bustin, janë prej gazetash. Në fund të shfaqjes burri hyn në një “superxhiro”, në një spirale të çmendur ku ajo që thotë nuk ka më rëndësi, por mënyra se si e thotë. Për të gjithë diktatorët vjen momenti në të cilin fjalët dhe konceptet humbasin çdo kuptim, ndërkaq shpëlarja e trurit është kryer».

Fakti që mundimet tragjike, shkatërruese dhe vetëdëmtuese të Profetit të kokoshkave janë shpërfaqur dhe përfaqësuar për herë të parë në teatrin shtëpiak të aktorit, dramaturgut shqiptar, nuk është aspak i rastësishëm. Vendimi për të shndërruar shtëpinë e vet në Teatër, kuptohet vetëm nëse kujtojmë rolin e kolonës intelektuale që, nga viti 2018 e deri më sot Edmond Budina ka kryer në Aleancën për Mbrojtjen e Teatrit, pra në atë Aleancë për Mbrojtjen e Teatrit që, fatkeqësisht, pas më shumë se dy vite betejash intensive të përditshme, nuk arriti dot t’i kundërvihet sulmit ushtarak i cili, natën e 17 majit 2020, çoi në shkatërrimin e kompleksit arkitektonik prestigjioz, shumë të rafinuar së Teatrit Kombëtar të Tiranës, ndërtuar në 1938 nga Giulio Bertè dhe i frymëzuar nga racionalizmi dhe perspektivat metafizike të Giorgio De Chirico-s. Sulm i urdhëruar nga qeveria shqiptare dhe i kryer nga policia me veshje luftarake, pa numura identifikimi, në një qendër qyteti ku lidhjet telefonike ishin shkëputur dhe në mbyllje të plotë prej urgjecës së pandemisë covid. Sulm në të cilin u shkatërruan ndërtesat e Teatrit të çmuar pavarësisht mendimit të kundërt të Presidentit të atëhershëm të Republikës, të partive të opozitës dhe në kundërshtim të plotë me të gjithë legjislacionin kombëtar dhe ndërkombëtar për mbrojtjen e trashëgimisë artistike-arkitekturore (autoritetet qeveritare nuk denjuan as të shpëtonin arkivin historik të Teatrit, gjithashtu i humbur për gjithmonë në rrënoja).

Një ndërhyrje shkatërruese që sigurisht është rezultat i deregulation të shkaktuar nga ekonomia e tregut ndërkombëtar dhe nga hone (gremina)spiralesh të pangopura spekulative dhe mafioze që ushqehen me ndërtime të egra, në beton, xham dhe alumin, në xhungla rrokaqiejsh me fasada të ajrosura, që po përbaltin përgjithmonë fytyrën e mëparshme bizantine, turke, shqipare, italiane të Tiranës si dhe të qyteteve të tjera të vendit të Shqiponjave. Me të tilla, “tranzicione” prometeike, riciklimi shkatërrues i të cilave alternohet me ato rindërtuese, kam filluar të merrem qysh më 2014 dhe më pas në 2018, pikërisht në Dialoghi Mediterranei, duke vazhduar edhe sot të ndjek zhvillimet politiko-ekonomike dhe, njëkohësisht, narrative. Në një pikë të caktuar të monologut, profeti Kryebuburrec i krijuar nga Budina i referohet dukshëm shkatërrimit të Teatrit antik:
“E patë se si ua bëra hi e pluhur atë gërdallë karakatinë në qendër të Kryevathës, ku zbaviteshin ca biçimsëzë gaztorë? Ju lashë ca kohë të livadhisnit, por planet e mia nuk i dinte askush… Ju zura në befasi. Tempulli im i xhamtë, i hekurt, i betontë, i lartë, me fytyrën time, do të ngrihet atje! Atje! Këtë siguri ma japin ata që janë majmur së bashkë me mua. Fakt është, që edhe kur kam dashur të tërhiqem nga ndonjë vendim, ata nuk më kanë lejuar. Pushteti i tyre jam unë. Kemi mbajtur njëri-tjetrin. Kështu që ata nuk do të më lënë të bie nga froni. Bota e tillë është ndërtuar, ca udhëheqin, ca udhëhiqen. Njëri udhëheq, të tjerët binden. Ca fluturojnë e ca zvarriten. Mua më ka rënë për hise të fluturoj e t’u drejtoj prej së larti”.

Profeti i kokoshkave ndiqet, në këtë kuptim, nga romani i radhës i Edmond Budinës i cili, tashmë qysh në titull, tradhëton ende Shqipërinë e zjarrtë dhe profetike prometeniane: Nata e zjarrit të bardhë, botuar gjithmonë nga botimet Barleti në Tiranë më 2023. Këtu Budina i jep zë vetë Teatrit Kombëtar që, pak si Protagora me Prometeun, rrëfen fundin e jetës së tij: «do ta çaj barkun tim me thonj, do të shkul mëlçinë dhe do ta shqyej me dhëmbë nëse na thajnë pellgaqkën [ aludon për pishinën e bukur e cila, mes pishave, ishte pjesë e kompleksit arkitektonik të Teatrit të shkatërruar]». Deri në momentet e fundit kur «bishat e hekurta, makinozaurët më shqyejnë ballinën. Rënia është e pashmangshme. Duke rënë dëgjoj zërat e tyre që bërtasin: jashtë, jashtë! Do t’u vrasim, do t’u varrosim këtu”. Në makthin e atij që zhytet në frikë, teatri,në një numërim mbrapsht, tregon në vetën e parë natën kur u rrafshua për tokë pa pritur vendimin e Gjykatës Kushtetuese. Titulli dhe vetë kopertina e librit, ku teatri lëkundet duke ulëritur si piktura e famshme e Munch dhe duke thirrur më kot zërat e poetëve, të kujtojnë universet prometeane qiellore, tokësore dhe nëntokësore (Underground e Kusturicës dhe Kadaresë). Botë që qëndrojnë dhe në të njëjtën kohë fundosen.

Duhet thënë që në këto vepra letrare me një karakter thellësisht “ballkanik”, Budina arrin përmes një formimi të konsiderueshëm dramaturgjik, që është e nevojshme të përmendet këtu, veçanërisht për lexuesit italianë dhe që e sheh, tashmë shumë të ri, në teatrin profesionist të Korçës, në vitet shtatëdhjetë në Universitetin e Arteve, ku interpreton tek Morsa e Pirandelos(1972) dhe, si aktor, pikërisht në Teatrin Kombëtar të Tiranës tashmë i shkatërruar, ku merr pjesë në shumë shfaqje kryesisht si protagonist: ndër këto Orët e Kremlinit nga Nikolaj Fëdorovič Pogodin (1977), Luisa Miller nga Friedrich Schiller (1979), Monserat nga Rabelais, Vdekja e një komisioneri nga Arthur Miller (1986), Borkman i Henrik Ibsen (1989). Në vitet tetëdhjetë është autor i disa përshtatjeve teatrale të veprave të Ismail Kadaresë – Kush e solli Doruntinën (1980), Dimri i madh (1984), Nata me hënë (1990) – si dhe regjisor teatri tek Nënshkrimi i stuhisë (1981), Nata me hënë (1990), Zgjimi i Kostandino Marcos (1992). I dendur është angazhimi i tij didaktik me laboratorë të ndryshëm në shkollat e mesme nga viti 1976 deri në vitin 1987 dhe, si pedagog i mjeshtërisë së aktorit, fjalës artistike dhe regjisë në Universitetin e Arteve të Tiranës nga viti 1982 deri në 1992. Nga viti 1997 deri në vitin 1992 ka qenë edhe anëtar i këshilit artistik të Teatrit Kombëtar të Tiranës. Budina është gjithashtu autor tramatizimesh radiofonike, duke marrë pjesë edhe në filma artistikë e televizivë. Ndër themeluesit e Partisë Demokratike Shqiptare e cila, në vitin 1990, ishte vendimtare për fundin e regjimit komunist dhe ndryshimin pluralist, në vitin 1992 u transferua në Itali duke punuar në fabrikë si punëtor, për rreth njëzet vjet. Përveç master class-ve në universitetet italiane dhe të huaja – Rome La Sapienza, Ca’ Foscari Venecia, Padova dhe Verona, pastaj Oxford (MB), Brawn e Universiteti Richmond (SHBA) – në të njëjtat vite Budina merr pjesë në shkollën Ipotesi Cinema të Ermanno Olmit, si ndihmës regjisor i Toni de Gregorio dhe vë në skenë shfaqjen Tabir Sarai. Poezi dhe proza nga Ismail Kadare për llogari të Teatrit Fantaghirò të Padovës (1995). Në vitin 1996 ai luan rolin e Uliksit tek Migranti, një shfaqje e drejtuar nga Marco Baliani, e vlerësuar nga Presidenca e Republikës Italiane dhe e shfaqur në disa nga teatrot prestigjioze si Valle në Romë, La Pergola në Firence, Piccolo Teatro në Milano, Mercadante Napoli etj. Janë të shumta edhe punët televizive dhe, mbi të gjitha, kinematografike si aktor, skenarist dhe regjisor: mes tyre Duke parë rikthimin, prezantuar në MedFilm Festival ’96 dhe i shfaqur në shkollat dhe universitetet italiane; E diela e palmave, film i shkurtër i vitit 2002 i prodhuar dhe transmetuar nga Tele+ njëkohësisht në njëzet e tre shtete evropiane dhe pjesëmarrëse në Festivalin e Filmit të Torinos; Letra ere (2003) fitues i disa festivaleve si filmi dhe skenari më i mirë dhe çmimi i cilësisë për kinemanë italiane nga Ministria Italiane e Kulturës; Ballkan pazar (2011) Edicioni DVD i të cilit u shpërnda nga Cecchi Gori grup; Të thyer në vitin 2018 fitoi Çmimin Celuloid i Artë në Festivalin e Salernos. Si aktor Budina merr pjesë edhe në disa filma, midis të cilëve Tickets me regji të Ken Loach. Së fundmi e gjejmë ndër protagonistët e dokumentarit Flisni me zë të ulët nga Esmeralda Calabria (2023) kushtuar të shkuarës dhe të ardhmes së Shqipërisë.

Kaq përvoja të rëndësishme në të shkuarën, njëkohësisht politike, qytetare dhe artistike, janë pikërisht ato që sot i lejojnë Budinës, qoftë edhe në hapësirën e shkurtër të një monologu, të nxjerrë lakuriq profetin e ri i cili, kështu, mohon haptas në skenë metodat e sundimit të tij, teknikat e konsensusit dhe ngrehinën e tij mashtruese, praktikat e fshehta të kontrollit, kërcënimit, sanksionimit dhe dënimit. Nëpërmjet petkave të profetit, të gjitha të bëra prej gazetash, letre higjienike dhe kartoni, Budina arrin të verë në pah një lloj katalogu të formave bashkëkohore të absolutizmit, të cilat ushqehen në mënyrë të përhershme tek rezervuari i pashtershëm dhe i paarritshëm i “modernitetit”, në të gjitha mënyrat e tij të mundshme përmes biznesit. Një “modernitet” i menduar si një ortek, i cili, hamendësohet se nuk duhet të gjejë pengesa të asnjë lloji, veçanërisht të llojit etik; një ortek të cilit i duhet hipur sipër verbërisht, në vrapime të papërmbajtshme që mbështesin gjithnjë e më shumë forca të depersonalizuara dhe depersonalizuese, përllogaritëse, të paarësyeshme, fiziologjike, të pashmangshme,absolute.

Nga këtu përmbledhja e dukshme e frikërave të reja dhe formave të ankthit, që, në fund zbulohet nga monologu i Budinës: kështu profeti drithërohet deri në çmenduri nga idea e të mbeturit pas, të mos qenit në një hap me kohët, të përballjes së ideve të tija me ato të të tjerëve, nga idea e përbaltjes nga pushtimi etnik ashtu si dhe, për arsye të tjera, asaj të të mbeturit vetëm, pa ndjekës dhe të nënshtruar. Frika dhe ankthe që profetët e sotëm, nëpërmjet mjeteve të komunikimit arrijnë t’i përcjellin popullit të tyre i cili, në pamundësi fjalësh e mendimi, pa pasur më asgjë, pa Shesh dhe, mbi të gjitha pa një Teatër, tërrhiqet dhe detyrohet të mbijetojë në skenarët gjithmonë e më misteriozë të Fundit të Botës.

Mauro Geraci, profesor i Antropologjisë kulturore pranë Universitetit të Mesinës, është autor i volumit Arsyet e rapsodëve (Cantastorie). Poezia dhe realiteti në kulturën popullore të jugut(1997), studimi i parë sistematik mbi perspektivën poetike njohëse të poetëve – rapsodë siçilianë. Prej shumë vitesh njihet edhe si interpretues i kujdesshëm e vazhdues i rapsodëve siçilianë dhe, si i tillë, protagonist i një aktiviteti të pasur skenik. Prej vitesh ka drejtuar interesin e tij antropologjik tek Shqipëria, ku letërsia luan një rol qendror në rivlerësimin e kujtesës historike të vendit. Prej këtu studimi i tij Prometeu në Shqipëri. Pjesë letrare dhe politike të një vendi ballkanik(2014) redaktuar, së bashku me arkivisten Simonetta Ceglie, e autobiografisë të së parës shkrimtare të madhe shqiptare, Musine Kokalari, Jeta ime universitare. Kujtime të një shkrimtareje shqiptare në Romën fashiste. 1937-1941 (2016). Aktualisht është duke u marrë me studimin e jetës dhe veprë së shkrimtarit dhe poetit Robert Prifti.

*”Profeti i kokoshkave” botohet italisht në revistën “Dialoghi Mediterraneo” ?

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb