Në emisionin “Open” në News24 është diskutuar mbi një nga këngëtaret e suksesshme të skenës shqiptare, të mbi 30 viteve më parë, Parashqevi Simakun.

E konsideruar si ikonë e muzikës shqiptare, Simaku u largua në vitin 1991 drejt SHBA dhe prej atëherë ishte zhdukur nga sytë e publikut shqiptar.

Kompozitori Edmond Zhulali tha se nuk ka pasur bashkëpunime me Parashqevinë, por në 1989 ka realizuar një koncert recital në Peshkopi. “Kam kujtime relativisht të mira, ishte një artiste e vërtetë, një vajzë e mrekullueshme. Mbetet një ikonë që ka thënë një fjalë shumë të madhe në muzikën e lehtë shqiptare. Ajo solli shumë elementë të rinj në atë kohë, kur kishte kufizime shumë të mëdha. Solli diçka të re, kishte një ndjesi të madhe të këngës.

Kishte tentativa shumë të vogla në atë kohë, por Parashqevia solli një lirshmëri të madhe në këndimin e këngës. Ishte shumë e intonuar, kishte një aftësi shumë të madhe, një ndjesi që përçonte emocionin e saj të publiku me shumë klas e finesë”, tha Zhulali.

Ai tha se deri në 1997, Simaku ishte aktive me komunitetin shqiptar në SHBA, më pas ajo vendosi që të integrohej në muzikën amerikane. “Ishte pothuajse e pamundur kjo dëshirë e saj, është një industri që s’mund të çahet”, tha Zhulali. Ai theksoi se nuk e dinte që Parashqevia të ishte në një gjendje të tillë, sikundër u paraqit në media.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb