TIRANË- Eduard Ndocaj një emër jo i panjohur për median pas akuzave që ka hedhur në drejtim të lidershipit të PS-së, reagon pas lënies së mandatit nga deputeti i PS-së Arben Ndoka. Ndocaj shprehet se i takon atij posti i deputetit, sipas radhës. Ai shprehet se në Parlament do përfaqësojë zërin e emigrantëve.

“Komunikimi im me qytetarët do të jetë i vazhdueshëm siç ka qenë deri tani. Prandaj, pashë të arsyeshme të sqarohem me ju. Respektoj vendimin e Arben Ndokës që heq dorë nga imuniteti. Ai është një vendim personal i tij ku ka dhënë edhe arsyet. Sipas radhës e sipas Kodit Zgjedhor më takon mua të jem deputeti i ri e përfaqësuesi e lezhjanëve deri në fund të kësaj legjislature. Pres në ditët në vazhdim të më bëjë kërkesë Komisioni i Imuniteteve për të bërë betimin. Nuk ka më kohë për të humbur. Lezhjanët meritojnë të jenë të përfaqësuar në Parlament. Jam i pari deputet që pas 100 vitesh vij e përfaqësoj zërin e emigrantëve. Kam ikur 14 vjeç nga Shqipëria drejt Europës e sot pas shumë vitesh rikthehem për tu ulur në Parlament. Do të jem një zë i fuqishëm për ta. Do të loboj për votën e emigrantëve. Respektimi i ligjit dhe i rregullores së Parlamentit do të jenë një prioritet për mua. Unë, do të jem zëri i njerëzve të thjeshtë. Zëri i qytetarëve të ndershëm. Zëri i personave në nevojë. Për më shumë do të prononcohem në seancën e parë të prezantimit tim, që do të mbaj edhe fjalën time të parë në foltoren e Parlamentit. Falenderoj votuesit e mi, miqtë e mi që kanë besuar tek unë e më kanë qendruar pranë”,- thotë Ndocaj.

Më herët kur kandidonte për PS-në, Ndocaj ka pasur disa përplasje me kryeministrin Edi Rama dhe kryetarin e Kuvendit Ilir Meta. Ai e ka akuzuar Ramën si bukëshkalë, ndërsa për Metën ka thënë se partia e tij, ka financuar para të pista gjatë fushatës në Lezhë. Ish-¬kandidati i PS¬së për qarkun e Lezhës në zgjedhjet e 23 qershorit, Eduart Ndocaj, ka botuar disa foto te shkrepura gjatë një dreke me kryeministrin Rama, ministra të kabinetit dhe deputetë të PS-¬së, gjatë një vizite në Milano, në Itali, për të cilën thotë se kjo drekë i ka kushtuar atij dhe vëllezërve u ka kushtuar 8 mijë euro.

Me arrestimin e Armando Prengës dhe pas dorëzimit të mandatit nga Arben Ndoka, në Parlamentin e Shqipërisë pritet të hyjnë dy deputetë të rinj për Partinë Socialiste, që janë Eduart Ndocaj dhe Kastriot Piroli.

(ma.ar/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: