NGA OLA MITRE*

TIRANË- Përfshirja e ndihmësfarmacistëve në programin e edukimit në vazhdim, përcaktimi i një niveli maksimal vjetor kreditesh, që një farmacist mund të përfitojë për efekt përllogaritje gjatë një cikli dhe ndryshimi i raportit të krediteve, që farmacistët përfitojnë nga zhvillimi i aktiviteteve të edukimit në vazhdim në favor të aktiviteteve që kanë lidhje me profesionin e farmacistit”. Këto janë disa nga ndryshimet e propozuara nga Urdhri i Farmacistëve të Shqipërisë, që duhet të përfshihen në ciklin e dytë të ricertifikimit të profesionistëve të shëndetësisë. Ndërkaq, përmes kësaj interviste dhënë për “Gazeta Shqiptare”, presidentja e Urdhrit, Diana Toma bën me dije edhe ndryshimet e tjera që duhen bërë, në mënyrë që të shmangen problemet e krijuara në përfundim të programit të parë të ricertifikimit.
Znj. Toma, jemi në fazën e diskutimeve për ndryshimet që do të pësojë cikli i dytë i programit të ricertifikimit për profesionistët e shëndetësisë. A do të ketë ndryshime ky 5-vjeçar për farmacistët?
Ashtu siç e thatë edhe ju, ne jemi në fazën e diskutimeve, por Urdhri i Farmacistëve të Shqipërisë ka dërguar pranë Qendrës Kombëtare të Edukimit në Vazhdim një sërë propozimesh, që sipas nesh duhet të merren parasysh.
Cilat janë disa prej këtyre propozimeve?
Fillimisht, ne kemi kërkuar që edhe ndihmësfarmacistët të përfshihen në programin e edukimit në vazhdim, pra, edhe ata të kenë detyrimin për të mbledhur kredite gjatë ciklit 5-vjeçar. Po ashtu, kemi kërkuar që të rritet numri i krediteve që përfitojnë drejtuesit e praktikës mësimore profesionale.
Pse duhet të rritet ky numër?
Aktualisht rreth 90% e sistemit farmaceutik në vendin tonë është privat. Kjo do të thotë që edhe praktika e farmacistëve të rinj kryhet pranë farmacive private. Në mënyrë që të rrisim stimulin e drejtuesve të praktikës, ne kemi propozuar që numri i krediteve që marrin në tre muaj nga ky “shërbim” të 2-fishohet. Pra, nga 5 kredite që marrin deri më tani për 3 muaj, të bëhet 10 kredite. Po ashtu, ne kemi propozuar që cikli i edukimit në vazhdim të përfundojë në fund të 6-mujorit të parë të vitit të fundit të ciklit, në mënyrë që pjesa e mbetur e vitit të shërbejë për zbardhjen e rezultatit dhe pajisjen e farmacistëve me certifikatat e reja.
Kjo do të evitonte edhe situatën e krijuar aktualisht…
Pikërisht. Për shkak se cikli i parë u mbyll në qershor, ne u detyruam të shtynim afatin e vlefshmërisë së certifikatave dhe dërguam një sërë shkresash nëpër institucione. Gjithë kjo procedurë do të ishte evituar në rast se cikli do të ishte mbyllur në qershor të vitit të kaluar.
Në ciklin e parë, detyrimi i farmacistëve ishte të mblidhnin 100 kredite për 5 vjet. A do të ndryshojë ky numër për ciklin e dytë?
Ne kemi propozuar që numri të mbetet 100. Por, kemi kërkuar ndryshimin e raportit të krediteve. Aktualisht, punonjësi i shëndetësisë në sistemin farmaceutik, nga 100 kredite që duhet të marrë, 50 kredite duhet t’i ketë brenda sferës së vet dhe 50 kredite jashtë saj. Mendojmë që, nëse vërtet duhet të mbledhim kredite që na shërbejnë për profesionin, raporti të ndryshojë në favor të profesionit, dhe konkretisht: punonjësi i shëndetësisë në sistemin farmaceutik, 80% të krediteve t’i ketë brenda sistemit farmaceutik dhe 20% jashtë sistemit. Gjithmonë duke propozuar ngritjen profesionale të ngushtë. Dua të vë në dukje dhe një tjetër propozim që lidhet me farmacistët që e ushtrojnë profesionin në industrinë farmaceutike. Ne kërkojmë të gjendet mundësia që për aktivitetet jashtë vendit, ku ata janë pjesëmarrës, por që nuk janë vlerësuar me kredite, të ngrihet një grup vlerësimi i brendshëm pranë QKEV-së për njohjen e krediteve të tyre.
Ju keni propozuar dhe një rakordim të krediteve mes UFSH-së dhe QKEV-së çdo fundvit. Çfarë do të sjellë kjo masë?
Kjo ka dalë si kërkesë për dy arsye: shumë farmacistë e dinin që ishin të regjistruar në Urdhër, ndiqnin leksione në Urdhër dhe dërgesa e krediteve në QKEV merrej e mirëqenë. Problemi i dytë që na doli ishte se emra të caktuar, që nuk figuronin fare si anëtarë të Urdhrit të Farmacistëve e që rrjedhimisht nuk kishin të drejtë të ushtronin profesionin e farmacistit, pranë QKEV-së shkonin dhe regjistroheshin si të tillë. Që të kemi një përputhshmëri maksimale, jo vetëm midis të dhënave që ne dërgojmë e që të jenë të pasqyruara në faqen e QKEV-së, por që edhe të merret kategori e mirëqenë ajo çka kemi ne të regjistruar si farmacistë, ne bëjmë këtë propozim. Pra është një propozim që vjen thjesht në favor të identifikimit të personit që është farmacist si dhe të numrit të krediteve që ky person disponon.
Ju thatë që shumë prej aktiviteteve organizoheshin nga Urdhri. A do të vijojë kjo praktikë?
Sigurisht që po! Në këtë kuadër, ne kemi ndryshuar edhe godinën e vjetër ku ishin vendosur zyrat tona. Në zyrat e reja, ku ne jemi aktualisht, është projektuar një sallë, që do të shërbejë pikërisht për këto aktivitete si dhe për të ofruar cilësi më të lartë e kushte më të mira për farmacistët.

Në ciklin e parë të edukimit në vazhdim, numri total i krediteve mund të merrej edhe në vitin e fundit të 5-vjeçarit. Ndërkohë që, ju propozoni që të ketë një numër maksimal të krediteve që duhet të merren në një vit. Pse?

Mendojmë që duhet të ketë një numër maksimal, për shembull, 20 ose 25 kredite në vit. Qëllimi është që të përligjim dhe të përmbushim konceptin e edukimit në vazhdim. Fjala “në vazhdim” nuk do të thotë që bëhet në një vit. Deri më tani mund të shkoje, t’i jepje forca vitin e fundit ose, ashtu siç kemi hasur edhe fenomene si blerja e krediteve në fund të ciklit. Që këtë person ta kemi në edukim të vazhdueshëm dhe t’i shpëtojmë efektivitetit, duhet të ketë një numër të caktuar që duhet të përmbushet në një vit. Bën përjashtim, për shembull, ai që mbron një gradë shkencore, dhe ajo konvertohet në një numër të caktuar kreditesh, nëse ke qenë në një konferencë jashtë shtetit dhe ajo konvertohet në një numër të caktuar kreditesh etj. Por, propozimi ynë bëhet për rastet kur punonjësi i shëndetësisë në sektorin farmaceutik ka qenë brenda territorit të Shqipërisë dhe i ka marrë këtu kreditet.
Propozimi i fundit lidhet me njehsimin e numrit të krediteve të lektorëve dhe organizatorëve. Ku konsiston ky ndryshim dhe pse duhet bërë?
Aktualisht jemi në këto kushte: Auditorit, një orë dëgjim i leksionit i konvertohet në një kredit. Lektorit një orë mbajtje leksioni i konvertohet me 1.5 kredite dhe organizatorit 1 orë i konvertohet me 2 kredite. Propozimi i Urdhrit të Farmacistëve është të njehsohet numri i krediteve midis lektorit dhe organizatorit, sepse, vërtet organizatori ka ngarkesë më të madhe për sa i përket pjesës së menaxhimit dhe organizimit, por një rol shumë të rëndësishëm ka lektori. Kjo pasi, gjithë këto organizime bëhen në bazë të asaj çka lektori do ofrojë. Po ashtu, diferencimi mes tij dhe auditorit duhet të jetë më i madh, sepse nuk ka kuptim të jetë vetëm 0.5 kredite për atë që i mëson të tjerët. Kjo bëhet edhe për faktin që lektori të ketë një stimul dhe një vlerësim më të madh, duke marrë 2 kredite për orë.

(m.k/BalkanWeb)

 

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: