Kohët e fundit po i kushtohet rëndësi problemeve të shumta që ka Policia e Shtetit dhe me shumë të drejtë duhet ngritur zëri që policia të kthehet në pozitat dhe kushtet që meriton të jetë.

Përpos Policisë së Shtetit, një tjetër institucion i rëndësishëm, i lënë në harresë dhe për të cilin duhet të reagojmë në mënyre të menjëhershme është Garda e Republikës së Shqipërisë.

Po e shtroj këtë problem duke u nisur nga problematikat më të vogla, për të parashtruar më tej, problematikat më të mëdha që ka ky institucion. Së pari, efektivët e Gardës, jo vetëm që nuk vlerësohen aq sa duhet, por edhe diskriminohen me urdhra qesharakë.

Së fundmi, Drejtori i Gardës së Republikës ka nxjerrë një fonogram, ku urdhëron të gjithë shefat e Njësive të Gardës që të mos i lejojnë efektivët me detyrë trupë-shërbimi të mbajnë ngrohëse elektrike në kabina gjatë shërbimit, natën dhe në mëngjes. Arsyeja nuk dihet, mbase kërkojnë të kursejnë energjinë elektrike deri në këtë pikë! Ky problem, sa qesharak në urdhrat që japin, po aq edhe serioz në trajtimin që i bëhet punonjësve nuk është i vetmi në Gardën e Republikës së Shqipërisë.
Pagat e efektivëve të Gardës janë qesharake. Punonjësit e Gardës ruajnë personalitetet e shtetit dhe objektet e rëndësisë së veçantë, qëndrojnë në rrugë, në të ftohtë, në shi, në vapë, por nuk vlerësohen financiarisht aq sa e meritojnë. Një punonjës trup-shërbimi paguhet 50 mijë lekë të reja, shërben në turn të tretë dhe i tatohen paratë e orëve të natës. Sikur të mos mjaftonin këto, tashmë duhet të rrijë edhe pa ngrohje.

Dietat, mirë që janë ulur, por edhe ua japin pas 3 muajsh.
Ligji për trajtimin ushqimor për efektivët e Gardës ka kaluar në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë prej 2 vitesh dhe nuk zbatohet. Momentalisht në Gardën e Republikës janë rreth 400 kërkesa për largim nga puna. Nga 1283 punonjës të Gardës, 30% e tyre duan të japin dorëheqjen.

Një fakt bindës që tregon gjendjen, në të cilën ka rënë Garda e Republikës. Pyetja që shtroj është, pse ndodh, pse po largohen punonjësit e Gardës? Çfarë nuk shkon në këtë institucion? Kush janë përgjegjësit?

Këto fakte tregojnë se institucioni elitë që ruan personalitetet e vendit tonë sot ka rënë në nivelin më të ulët të këtyre 30 viteve, ku përveç mosrritjes së pagave në nivelet e duhura, nuk iu plotësohen as kushtet më minimale për kryerjen e shërbimit, përkundrazi iu hiqen edhe pajisjet për ngrohjen, të cilat ata i blejnë vetë me të ardhurat e tyre. Autoritetet përgjegjëse duhet të vlerësojnë punën e efektivëve të Gardës dhe t’i trajtojnë me dinjitet sipas Kodit të Punës dhe t’iu japin integritetin e duhur.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb