Egjipti prezantoi sot sarkofagun e artë të Tutankhamonit, në restaurim, për herë të parë që prej zbulimit, në vitin 1922.

Puna për restaurimin filloi në mes të muajit korrik, pasi sarkofagu u transferua nga Lugina e Mbretërve në muzeun e madh të Egjiptit në Kajro.

“Ne do të tregojmë një objekt historik unik, jo vetëm për Egjiptin, por për të gjithë botën”, deklaroi ministri i Antikiteteve, Khaled al-Enany, në një konferencë shtypi në Muzeun e Madh të Egjiptit.

Sarkofagu i faraonit të ri do të ekspozohet me objekte të tjera që lidhen me Tutankhamonin në fund të vitit 2020, kur muzeu i ri gjigant do të hapet për publikun.

Për restaurimin do të duhen tetë muaj.

“Sarkofagu prej druri, i artë nga jashtë, me përmasa prej 2,23 metrash është i dekoruar me portretin e mbretit të ri duke mbajtur simbolet faraonike, skeptrin dhe kamxhikun”, sipas Ministrisë së Antikiteteve.

Ngjitur në fron në vitin 1333 para Krishtit është padyshim faraoni më i njohur i historisë për shkak të zbulimit të jashtëzakonshëm të varrit të tij, të paprekur, në Luginën e Mbretërve në 1922 nga arkeologu britanik, Howard Carter.

(Atsh)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb