Fitorja 3-1 ndaj Elbasanit ishte një konfirmim i ndryshimit tek Egnatia, që pas atij fillimi disi me “frena dore”, tashmë duket se ka ndezur “turbon”. Është e qartë se rrogozhinasit e kanë shtuar ritmin dhe kanë ndryshuar “marsh”, ç’ka reflektohet edhe në tabelën e klasifikimit.
Në 4 ndeshjet e fundit skuadra e drejtuar nga trajneri Edlir Tetova ka marrë 10 pikë nga 12 të mundshme. Një ecuri vërtet e mirë, ku ka ndikuar edhe fakti se 3 herë në këto 4 ndeshje kampionët në fuqi kanë luajtur në fushën e tyre. Ata tashmë janë ngjitur në vend të dytë dhe e shohin Partizanin kryesues vetëm 2 pikë larg. Një pozicionon ky që e bën më motivuese situatën tek Egnatia përpara përballjes pikërisht me rivalin kryesor.
Rrogozhinasit janë më të karikuar për sfidën e së enjtes, ku kanë mundësinë e “hakmarrjes” për humbjen e fazës së parë, që e pësuan në fushën e tyre. Pikët na tabelë janë një garanci për të bërë më mirë në vazhdim nga skuadra që edhe pse nuk ka dominimin e sezonit të shkuar, mbetet favorite për titullin falë pjekurisë që ka fituar tashmë. Nëse vazhdon me këtë ritëm edhe ndaj Partizanit, atëherë Egnatia do të bëhej e frikshme.
GRUPI – Për ndeshjen e radhës me të kuqtë në kryeqytet trajneri Tetova do ta ketë skuadrën të plotë. Rikthehen nga skualifikimi për shkak kartonësh dy mbrojtësit e krahëve, Ndreca dhe Fangaj. Është rikthyer po ashtu nga dëmtimi Kasa, i cili ndaj Elbasanit u fut në fushë në pjesën e dytë dhe ndryshoi ritmin e lojës. Me Partizanin pritet të marrë më shumë minuta.