Bëri bujë ditën e shtunë lajmi i shitjes së portierit Alen Sherri në Itali, në Serinë A. “Sky Sport” fillimisht bëri të ditur se portieri i Egnatias do të kalojë te Kaljari dhe më pas gjithçka u konfirmua nga klubi rrogozhinas.
Sherri, kampion në fuqi me fanellën e Egnatias, do të firmosë një kontratë 3-vjeçare me ekipin ishullor, me të drejtë zgjatjeje edhe për një vit tjetër. Te Kaljari, shkodrani do të jetë zëvendësuesi i Skufet. Sipas drejtuesve të klubit rrogozhinas, shitja e Sherrit ka sjellë në arkat e Egnatias 500 mijë euro, ndërsa shtypi sportiv italian evidenton faktin se portieri është blerë për 300 mijë euro dhe kampionët e Shqipërisë ndërkohë ruajnë edhe 10% të vlerës së kartonit.
Drejtuesit e Egnatias menjëherë janë vënë në lëvizje për të gjetur zëvendësuesin e shkodranit, aq më tepër që vetëm pak ditë më pas luhet ndeshja e parë në Ligën e Konferencës me Vikingurin. “Panorama Sport” mëson se alternativat janë një portier italian ose Mario Dajsinani i Laçit.
MARKEXHANI – Gazeta mëson ekskluzivisht se drejtuesit e klubit rrogozhinas janë në negociata të avancuara me portierin italian Gabriele Markexhiani. Bëhet fjalë për një 28-vjeçar, që aktualisht është pa skuadër, ndërsa fillimet e karrierës së tij i ka pasur te Roma.
“Gardiani” italian do të vinte me parametra 0 te kampionët e Shqipërisë dhe shihet si njeriu ideal për të mbrojtur katërkëndëshin e portës bardhejeshile
DAJSINANI – – Ndërkohë Egnatia ka si synim që në gjirin e saj të afrojë edhe Mario Dajsinanin. Portieri i Laçit është i gatshëm për të zbarkuar te kampionët e Shqipërisë, por pengesë për transferimin e kavajasit është bërë Laçi. Presidenti i këtij ekipi, Pashk Laska, ka vendosur “veton” dhe nuk lejon largimin portierit.
Presidenti i Egnatias, Agim Demrozi, sipas burimeve të gazetës, është i gatshëm të ofrojë deri në 100 mijë euro për kartonin e Dajsinanit, por deri tani negociatat kanë mbetur pezull. Për momentin rrogozhinasit kanë të gatshëm për portën Dabjanin, i cili mund ta shohë veten titullar të enjten në mbrëmje ndaj Vikingurit, nëse nuk do të ketë ndonjë përforcim për portën.