NGA ENIDA HIMAJ*

Ajo është e bukur, seksi, por mbi të gjitha e zonja. Einxhel është moderatorja e “MAD TV” që ka joshur të gjithë publikun. Në këtë intervistë ajo flet për fillimet e saj si dhe për të gjithë ata që ishin skeptikë. Megjithatë ajo premton se ky është vetëm fillimi në karrierën e saj. Bukuroshja do të vijojë me programin që prej një viti ka, duke shuar kështu zërat për një transferim të sajin te “Procesi Sportiv”. E sa i përket marrëdhënies së saj me Bekim Balajn, Einxhel thotë se nuk ka mbetur gjë për t’u treguar. Për të gjithë fansat e bukuroshes, njihni se cili është mashkulli ideal në sytë e saj.

Einxhel, vajza e hip-hopit apo vajza ‘hot’ e ekraneve shqiptare?
Einxhel është më shumë sesa këto dy variante, por mendoj se me kohën do ketë një përcaktim më të saktë nga publiku se kush jam unë. Por një gjë është e sigurt: do kenë shumë për të parë prej meje.

Si po ecën puna në “MAD”, mendoni se ia keni dalë mbanë, a keni pasur skeptikë fillimisht?
Pavarësisht se ka kaluar më shumë se një vit e gjysmë në “MAD” dhe sigurisht çdo puntatë vij në përmirësim, unë kërkoj më shumë nga vetja, nga bashkëpunëtorët apo dhe drejtuesit e mi. Mund të dukem si një femër me vetëbesim të lartë, ama unë jam gjatë gjithë kohës në autokritikë. Shumë njerëz këtu më duan të mirën dhe shumë të tjerë s’më duan fare, madje ka pasur raste që kjo është kthyer në një dëshirë për të më penguar të punoj apo të eci më lart, por kjo s’më ka mërzitur aspak. E kam marrë në xhep dhe e kam kthyer në motivim. Doja t’u tregoja të gjithëve që dija ta bëja këtë punë, madje ta bëja shumë mirë, t’u tregoja atyre që më donin e besonin tek unë, por më shumë atyre që s’besonin apo nuk donin të besonin. Tashmë duhet ta dinë mirë që ky ishte “vetëm fillimi!”.

Përse zgjodhët një emision hip-hopi, mendoni se është ende një rrymë në modë?
Zgjodhëm njëra-tjetrën, në fakt, dhe bashkëjetuam perfekt për më shumë se një vit. Në modë ose jo, hip-hop-i ka qenë, është dhe do të mbetet një ndër rrymat më të preferuara. E për të qenë më të saktë, s’është thjesht një rrymë muzikore, por një kulturë në tërësi, e përbërë nga elementë të ndryshëm artistikë te të cilët unë e gjej shpesh veten.

A jeni një hip-hopiste edhe jashtë kamerave, me të njëjtin stil veshjeje apo edhe të folure?
Hip-hopiste s’mund të quhem, pasi nuk është se bëj hip-hop, por është e vërtetë që, edhe përtej kamerave mua më sheh me t-shirt apo xhinse të gjera meshkujsh. Në të folur mbase s’e kam aq të theksuar, por duhet ta pranoj që jam disi gangsta në sjellje, ose “gocë garipe”, e thënë në shqip.

Sa ju ka ndihmuar bukuria në profesionin tuaj?
Në “MAD TV” ky nuk ka qenë një kriter i domosdoshëm. As unë vetë nuk e marr për kapital bukurinë, pasi mendoj që ndihmesën më të madhe në këtë profesion ma ka dhënë absolutisht karakteri im i hedhur dhe shumë spontan.

A është ekrani vetëm për imazhet e bukura?
Patjetër që ekrani dhe publiku e do të bukurën, por jo domosdoshmërisht. Kjo varet nga formati e, mbi të gjitha, varet nga zotësia që ky imazh i bukur ka për t’iu qasur publikut. Pasi për ta, mendoj se nuk është e thënë të jesh super e talentuar, super e bukur apo me një inteligjencë supreme, por mjafton të dish të jesh sa më e thjeshtë me ata dhe shumë reale.

Kush është Einxhel krahas emisionit që të gjithë shikojmë, e përditshmja juaj?
Jam i njëjti person në fakt, bëj një jetë modeste dhe normale si gjithë të tjerët, një studente Arkitekture; më gjen në rrugët e Tiranës duke ecur me kufje në vesh, më takon në autobus, më ke në tavolinën ngjitur, më sheh në ‘club’ duke kërcyer. Bëj gjithçka që më bën të ndihem vetvetja dhe përpiqem çdo ditë që televizioni të mos më kushtëzojë, ta shijoj përditshmërinë time ashtu siç dua unë.

Pak kohë më parë u përfol se do të ishit imazhi i ri i “Procesit Sportiv”; mbeti në kuadrin e një thashethemi apo ka diçka të re?
“Procesi sportiv” nuk është një ndër ambiciet e mia televizive dhe, për aq kohë sa vazhdoj të shfaqem në studion e emisionit tim, do të thotë që akoma s’ka diçka të re, konkrete.

Mos të kushtëzoi miqësinë me Marinën shfaqja juaj te “Procesi”?
Nuk kemi pasur miqësi më parë, por kjo që ndodhi s’ka pse kushtëzon asgjë. E ndjek dhe e përgëzoj për punën që bën, ajo e ka emisionin e saj atë dhe e drejton mjaft mirë.

Një marrëdhënie të ngushtë duket se keni edhe me sportin; shikoni shumë futboll?
Ndoshta e ka sporti me mua. Më pëlqen të shoh futboll, por normalisht ndjek vetëm ndeshjet që kanë interes dhe rëndësi të madhe, ose skuadrat e mëdha, të cilat, përveç futbollit ofrojnë dhe spektakël.

Kush është skuadra juaj e zemrës?
Nuk kam një skuadër zemre pas së cilës të jem e fiksuar, por një ekip e kam për zemër, dhe është ai që ka çdo shqiptar besoj: Kombëtarja Shqiptare.

Krahas lajmeve të ndryshme, kurrë nuk keni pranuar të rrëfeni për marrëdhënien tuaj me Bekim Balajn; përse kjo zgjedhje?
Sepse s’kam pasur asnjëherë diçka për të rrëfyer! Mbase ju mund të më rrëfeni mua ndonjë gjë.

Si është jeta private e Einxhel?
Momentalisht jam shumë komode me jetën time private, kam hapësirat e mia për gjithçka dua, por sidomos për punën, e cila tani është primare për mua dhe kërkon një dedikim total.

Çfarë duhet të ketë një mashkull që t’ju joshë?
Të jetë më i mirë se unë, por mbi të gjitha të dijë të jetë mashkull dhe të mos i ngatërrojë rolet me mua pa dashje.

(m.k/Bluetooth/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: