Kryetarja e Kuvendit Elisa Spiropali ka prezantuar kandidatët e PS për zgjedhjet e 11 majit në Kavajë, Rrogozhinë dhe Kamëz.
Në Kavajë dhe Rrogozhinë, Spiropali u shpreh se garon një ekip fantastik, ndërsa prezantoi kandidtatët Pandeli Majko, Ilva Gjuzi Daci, Antonela Dedej dhe Eldi Çepeli.
Ajo u shpreh se Partia Demokratike e ka përdorur Kavajën si hambar votash, pa i kthyer kurrë gjë mbrapsht.
“Kavaja dhe Rrogozhina kandidojnë ekip fantastik. Pandeli Majko, ish-Kryeministër, deputet e njeri që nuk ka nevojë për prezantim.
Ilva Gjuzi Daci, Nënkryetare e Asamblesë Kombëtare të PS, Zëvendësministre e Turizmit dhe Mjedisit, nënë e tre fëmijëve, me përkushtim për t’u shërbyer qytetarëve e komuniteteve.
Antonela Dedej, Zëvendëskryetare e Bashkisë Rrogozhinë, e diplomuar në Shkenca Politike dhe Marrëdhënie Ndërkombëtare, grua vullnetmirë, energjike dhe me kontribut në komunitetin e saj.
Eldi Çepeli, profesionist e sipërmarrës, familje me vlera qytetare e kontribut në qytetin e Kavajës.
Partia Demokratike e ka përdorur Kavajën si hambar votash, pa i kthyer kurrë gjë mbrapsht. Bëni hesap: Kandidatin më të votuar në primare e spostoi, duke i lënë vendet e sigurta për tribunën VIP të kënetës.
Përgjigjen do e marrin në 11 maj me fitoren tonë të madhe për Shqipërinë Europiane”, u shpreh Spiropali.
Ndërsa në Kamëz Spiropali prezantoi kandidatët Lindita Nikolla, Sofika Lleshi, Kejsi Elezi dhe Halil Koloshi.
“Kamza kandidon Lindita Nikollën, zonjllëku i së cilës nuk ka nevojë për prezantim.
Sofika Lleshi, piktore dhe mësuese e dashur e fëmijëve të Kamzës.
Kejsi Elezi, studente e Ekonomisë, lindur e rritur në Babrru, Paskuqan.
Halil Koloshi, mjeku i kudogjendur i Bathores, me origjinë nga Kukësi, i vetmi përfaqësues i gjinisë tjetër në listën e Kamzës, sot në Londër në takim me komunitetin shqiptar të zonës.
Më 11 maj për Kamzën që ka rilindur, është transformuar e ka ndryshuar rrënjësisht.”, u shpreh Spiropali.