Nga: FATOS ÇOÇOLI*
Në vitin 2004, qeveria shqiptare nënshkroi një kontratë koncesionare me një kompani gjermane të njohur për ndërtime aeroportesh, për menaxhimin dhe modernizimin e aeroportit të vetëm ndërkombëtar të vendit, atij të Rinasit. Në entuziazmin e gjetjes së një investuesi të rëndësishëm për fluturimet civile të Shqipërisë, qeveria jonë pranoi një kusht të rëndë, atë që askush për 20 vjet të dhënies me koncesion të Rinasit, nuk do të mund të bënte veprues ndonjë aeroport tjetër për qëllime tregtare. Ky kusht sot po na kushton shumë. Po pse? Sepse kompanisë gjermane nuk i intereson të lejojë hapjen e aeroporteve të rinj në Shqipëri për fluturime tregtare dhe kësisoj i mban biletat e fluturimeve monopol për dhe nga Shqipëria në nivelet më të shtrenjta të kontinentit!. Një fluturim Londër-Tiranë në këtë kohë të vitit kushton 400 euro, ndërsa Londër-Podgoricë vetëm 125 euro! Kjo kompani nuk lejon konkurrencën dhe licencimin e fluturimeve të reja të linjave kryesisht me çmime të lira, që ndryshe njihen si linjat “low-cost” (nga anglishtja, me kosto të ulët). Këto linja praktikisht lëvizin në ajër sot në ditët e turizmit masiv të verës dhe në festat e Krishtlindjeve, 90 për qind të pasagjerëve që fluturojnë nëpër Evropë dhe në botë, por jo në Shqipëri. Me mijëra shqiptarë që janë në Britaninë e Madhe, por edhe në Francë, Suedi e vende të tjera të Evropës, do të donin të vinin më shpesh në atdheun e tyre në rastet e pushimeve verore apo festive, por nuk munden, për shkak të çmimeve të shtrenjta të udhëtimit ajror për në Rinas. E njëjta gjë mund të thuhet edhe për qindra e mijëra turistë perëndimorë, që stopohen nga biletat me herë më të shtrenjta për të ardhur në Shqipëri dhe këtë e bëjnë vetëm si pjesë e ndonjë pakete turistike për në ishullin e Korfuzit apo për në Mal të Zi. Si përfundim, mund të thuhet se në 10- vjetorin e parë të veprimit të koncesionit ajror me kompaninë gjermane, pasagjerët që udhëtojnë nëpërmjet Rinasit vërtet u shtuan me një milion (në vitin 2005 kishim 700 mijë pasagjerë, në vitin 2014 ishin 1.7 milionë), por në këto vitet e fundit koncesioni ajror po i bllokon Shqipërisë çdo vit me dhjetëra mijëra turistë shqiptarë (si emigrantë që vizitojnë atdheun) dhe turistë perëndimorë. Ky monopol po i shkakton ekonomisë shqiptare një humbje të paktën 20-30 milionë eurosh në vit, pse ata 15-20 mijë shqiptarë dhe të huaj që nuk vijnë çdo vit nga tarifat e papranueshme të fluturimeve për dhe nga Rinasi, i privojnë ekonomisë sonë të paktën mesatarisht nga 1 mijë e pesëqind euro shpenzime për udhëtues. Duke konsideruar që ky monopol do të vazhdojë deri në prill të vitit 2025, dëmi për ekonominë tonë shndërrohet në kolosal. Këtë dëm qeveria jonë nuk duhet kurrsesi që ta lejojë të vijojë, duke bërë spektatoren. Kompania gjermane “Hochtief Aktiengesellschaft”, zotëruesja e koncesionit ajror të Shqipërisë, me qendër në qytetin Essen në Landin e North Rhine-Vestfalia, është kompania më e madhe ndërtuese aeroportesh në Gjermani, me një xhiro punësh mbi 23 miliardë euro në vit. 80 për qind të biznesit të saj, ajo e ka jashtë Gjermanisë. Është mësuar të zbatojë koncesione dhe të ribisedojë kushtet e tyre. Kjo ndodh rëndom me koncesionet në vendet e tjera edhe evropiane dhe s’ka asgjë të keqe që edhe qeveria jonë të përpiqet për këtë ribisedim. Madje, edhe duke përdorur diplomacinë ekonomike pranë qeverisë në Berlin. Një delegacion qeveritar i yni i nivelit të lartë, ndoshta dhe i kryesuar nga ministri i Transporteve, duhet të shkojë urgjentisht në Essen të takojë drejtuesit e kompanisë. Këtu në Tiranë drejtuesit e saj lokalë të tundin vetëm kontratën koncesionare të vitit 2004, krejtësisht të padrejtë për Shqipërinë dhe ekonominë e saj. Me pak mirëdashje dhe mirëkuptim edhe nga Berlini, kontrata mund të ribisedohet dhe ekonomisë sonë të mos i humbin 20-30 milionë euro çdo vit (këto humbje janë në rritje) nga mosardhjet e emigrantëve dhe turistëve perëndimorë. Kjo është ekonomia e ajrit shqiptar, për të cilin kërkojmë nga qeveria që ta drejtojë si duhet. Dhe t’i japë fund absurdit që duhet të presim vitin 2025 për të parë një aeroport në Sarandë, Vlorë apo Shkodër.

(g.b/GSH/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: