Ekonomia shqiptare shënoi rritje të fortë me 4,09% në tremujorin e tretë të vitit 2024, kundrejt tremujorit të tretë të vitit 2023.
INSTAT publikoi sot raportin mbi Prodhimin e Brendshëm Bruto (PBB), ku njoftoi se sektorët kryesore që udhëhoqën rritjen ekonomike në vend ishin turizmi, ndërtimi, rritja e pagave dhe punësimi.
Sipas INSTAT, “Tregti, Transport, Akomodim dhe Shërbim ushqimor” u rrit me 1,30 %, “Administrata publike, Arsimi dhe Shëndetësia” me 0,91%, “Aktivitete profesionale dhe Shërbime administrative” me 0,81%, “Ndërtimi” u rrit 0,58%, “Aktivitete të pasurive të paluajtshme” me 0,20%, “Aktivitete Financiare dhe të Sigurimit” me 0,10%, “Arte, argëtim dhe çlodhje; aktivitete të tjera shërbimi” me 0,07% dhe “Taksat Neto mbi produktet” kontribuan pozitivisht me 1,06%.
Ndërkohë negativisht kontribuan grupet: “Industri, Energji dhe Uji” me rënie 0,43%, “Bujqësi, Pyje dhe Peshkim” 0,41% dhe “Informacioni dhe Komunikacioni” 0,12%.
Sa i përket ndryshimeve në krahasim me tremujorin paraardhës, treguesi i Produktit të Brendshëm Bruto i përshtatur sezonalisht vlerësohet me rritje prej 2,76%.
Konsumi final i popullatës, i cili përbën peshën kryesore të shpenzimeve në ekonomi u rrit me 0,83%. Konsumi final i qeverisë u shfaq me një rritje prej 6,80%. Komponenti i formimit bruto të kapitalit fiks (investimet) u rrit me 4,52%.
Eksportet e mallrave dhe shërbimeve u rritën me 2,32%, ndërsa Importet e mallrave dhe shërbimeve u ulën me 6,82%.
INSTAT bën të ditur se për të gjithë 9-mujorin ekonomia shënoi një rritje me 4,02%.