Nga: Matilda ARAPI

TIRANE- Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë të gatshme të ofrojnë prokurorë të FBI-së për hetimin e çështjeve të korrupsionit të nivelit të lartë, siç cilësohet ajo ku është i përfshirë edhe ish-ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri.

Deklarata e fortë është bërë sot nga ambasadori i SHBA-ve, Donald Lu i pyetur nga “BalkanWeb”, në përfundim të një takimi me ministrin e Brendshëm, Fatmir Xhafaj në prani edhe të ambasadores së BE-së, Romana Vlahutin.

Ndërsa bëhej fjalë për një takim që zgjati rreth 1 orë e 30 minuta, “BalkanWeb” u interesua për temat për të cilat kishin diskutuar ambasadorët në zyrën e ministrit dhe zoti Lu u tregua i gatshëm të ndajë opinionin e tij.

Sipas kreut të diplomacisë amerikane, çështja e zotit Tahiri kërkon një hetim të plotë dhe proces të paanshëm ligjor, e në këtë pikë SHBA-të janë të gatshme të ofrojnë edhe prokurorë të FBI-së, për ta hetuar.

Lu nuk ka nguruar të komentojë se ambasada vijon të ndjekë nga afër edhe çështje të tjera sensitive, si ato Emiljano Shullazit, Lul Berishës dhe tre gjykatësve të apelit në Durrës.

Ambasadori Lu, gjatë takimit tuaj me Ministrin Xhafaj, a biseduat çështje korrupsioni të nivelit të lartë, si ajo e Saimir Tahirit?

Ambasadori Lu: Çështja e Z. Tahiri kërkon një hetim të plotë dhe proces të paanshëm ligjor. Ashtu si vetë Z. Tahiri dhe shumë udhëheqës të tjerë shqiptarë e kanë thënë, kjo çështje duhet zgjidhur në gjykatë, duke shqyrtuar të gjitha faktet. Bota, përfshirë edhe Shtetet e Bashkuara, po e ndjek nga shumë afër këtë çështje dhe çështje të tjera sensitive, si ato të Emiljano Shullazit, Lul Berishës dhe tre gjykatësve të apelit në Durrës. Ne kemi ofruar mbështetjen e prokurorëve federalë amerikanë dhe agjenci të zbatimit të ligjit të Shteteve të Bashkuara për t’i ofruar ndihmë teknike Prokurorisë në kryerjen e një hetimi të plotë, i cili ka për qëllim zbulimin e të vërtetës. Ne do donim të shihnim një hetim më aktiv nga prokurorët dhe policia gjyqësore, dhe e kemi përcjellë këtë mesazh. Në një demokraci të vërtetë, askush nuk është mbi ligjin.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb