Ish-ministri i Shëndetësisë Ilir Beqaj ka përfunduar në pranga me urdhër të SPAK. Lajmi konfirmohet për BalkanWeb nga gazetarja Klodiana Lala. Beqaj është prangosur për abuzime me fondet SASPAC ku ishte ngritur një skemë përmes së cilës lëshoheshin fatura fiktive për shërbime të pakryera, të cilat më pas ngarkoheshin si shpenzime. Mësohet se bashkë me Beqajn janë arrestuar edhe dy persona të tjerë. Një nga personat që u prangos sot me ish-ministrin Beqaj është edhe Ermal Kurtulaj. Ky i fundit njihej si financieri i Beqajt. Ish-ministri i Shëndetësisë përdorte dhe automjetin e Kurtulajt për t’u paraqitur në SPAK. Kurtulaj është personi që ka firmosur dokumente në emër të ish-ministrit të Shëndetësisë.

Për Beqajn dhe Kurtulajn GJKKO ka vendosur arrest me burg. E njëjta masë është lënë edhe ndaj Alfred Nikollajt. Arrest shtëpie është vendosur për dy të tjerët, Gazmend Haxhia dhe Elton Marini.

Për abuzimet me fondet e SASPAC, SPAK vendosi ish-ministrin nën akuzë më 18 mars 2024 pas hetimeve intensive që zbuluan skemën abuzimve me fondet e Bashkimit Europian, përmes faturave dhe prokurimeve fiktive.

 

Në 2023 SPAK ka nisur një procedim penal për akuzën Korrupsion pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike; Korrupsion aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike; Refuzimi për deklarimin, mosdeklarimin, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave privatë të personave të zgjedhur dhe nënpunësve publikë ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor. SPAK akuzon Ermal Kurtulaj, me njohje të hershme me Beqajn se ka lëshuar fatura fiktive për shërbime që nuk kanë ndodhur.

Në dosje përfshihen 8 episode me fatura fiktive që shkon rreth 100 mijë euro. Në kuadër të hetimeve janë kontrolluar edhe firmat, ‘Curri Group’, ‘Delta Holding’, ‘Delta Med’, ‘Farmed Antibiotics’, ‘Gzona’ Restaurant’.

Tetë episodet që SPAK përmend vetëm për Kurtulajn lidhen me pagesa që shkojnë gjithsej disa dhjetëra mijëra euro, ku veçohen një faturë 35.200 euro me “Nine Servicec INT” më 8 gusht, apo dy të tjera me nga rreth 1.7 mln lekë të reja më 20 nëntor po nga kjo kompani. Gjithashtu ‘Nine Services’ ka lëshuar edhe disa fatura të tjera. Fatura fiktive sipas SPAK janë lëshuar edhe nga shoqata si ‘Good Health’ dhe FIAA.

SPAK thotë se Ermal Kurtulaj kishte njohje të hershme me Beqajn, që në kohën kur ish-ministri ka qenë ortak i shoqërisë Intech+.

Skema për përfitime të paligjshme nga fondet e SASPAC
SPAK ka paraqitur në gjykatë përgjime telefonike dhe ambientale dhe fatura tatimore. Më datë 16 gusht 2023 drejt projektit EUSAIR është lëshuar një faturë tatimore për ‘Landways International’ me vlerë 149. 809 euro. Në të njëjtën ditë restoranti ‘Gzona’ në Tiranë ka lëshuar drejt ‘Landways International’ një faturë shërbim kateringu me vlerë rreth 40 mijë euro.  Pra, Prokuroria e Posaçme dyshon se Restoranti Gzona është përdorur nga biznese të cilat merrnin para nga projekti i financuar nga Bashkimi Evropian dhe që menaxhohet nga SASPAC dhe më pas kthenin në formën e ryshfetit një pjesë të parave.

SPAK thotë se Kurtulaj dhe Beqaj kishin lidhje me restorantin Gzona. Ky restorant me emrin në QKB ‘Albanian food and hospitality’ ishte krijuar nga bashkëshortja e Beqajt dhe që në fund i ishte shitur Eduard Currajt i cili rezulton edhe pronar i kompanive ‘Curri Group’, ‘Curri SHPK’, ‘Delta Holding’, që nga ana e saj ka në pronësi kompani si ‘Delta Pharma’, Avicena apo farmacitë ‘Ditë e Natë’ që u kontrolluan të enjten.

Nga përgjimet e SPAK dyshon se administratori de fakto i restorant “Gzona” ishte pikërisht Ermal Kurtulaj, vartësi i Ilir Beqajt në SASPAC. SPAK jep në dosje biseda që sipas tyre bëhet mes Ilir Beqajt që përdor telefonin e shoferit të tij dhe Ermal Kurtulaj.

SPAK ka paraqitur si provë të lidhjeve të Ilir Beqajt me ‘Delta Holding’ dhe ‘Delta Pharma’  faktin që Eduard Curraj është pronar 100% i Restorant ‘Gzona’ por thotë se edhe ky restorant ka bërë shitje në drejtim të kompanive ‘Delta Pharma’ me vlerë 105 milionë lekë të vjetra.

Një takim mes Ermal Kurtulajt dhe pronarit tjetër të kompanive ‘Delta Holding’, Dorian Sadiku në Restorant Gzona është përmendur, një takim që sipas SPAK është bërë për të bilancet e fundit të vitit. Për makinën e Dorian Sadikut SPAK thotë se është përdorur nga Beqajt në disa udhëtime jashtë vendit në vitit 2022.

Për të gjitha këto lidhje SPAK kërkoi nga gjykata dhe u mor aprovimi për kontrollin personal të Ilir Beqajt, Arben Danit, Ermal Kurtulajt, Sabjan Kurtulajt, Gazment Prengës, Amarildo Dedës, Eduard Currajt dhe Dorian Sadikut. Gjykata vendosi gjithashtu kontrollin e banesave të Ermal Kurtulajt, Sabjan Kurtulajt, Gazment Prengës, Arben Danit dhe Ilir Beqajt. Të gjithë u janë sekuestruar telefonë, kompjuterë apo dokumente të tjera.

U kontrolluan automjetet e Ermal Kurtulajt, Sabian Kurtulajt dhe Gazment Prengës, ndërkohë që u ushtruan kontrolle në vendin e punës së Ermal Kurtulajt dhe bizneset, ‘Curri Group’, ‘Delta Holding’, ‘Delta Med’, ‘Farmed Antibiotics’, ‘Gzona’ Restaurant’, shoqata ‘Good Health’.

Hetimet për sterilizimin 100 mln euro
Ndërkohë Beqaj është vënë nën akuzën e shpërdorimit të detyrës nga SPAK edhe lidhur me koncensionin prej 100 milionë euro për sterilizimin e pajisjeve kirurgjikale në spitalet shtetërore.

Ish-ministri socialist i shëndetësisë, Ilir Beqaj, ishte prej shumë muajsh me statusin e personit nën hetim dhe paraqitej çdo të premte në SPAK.

Koncensioni afro 100 milionë euro në 10 vjet siguron instrumentat kirurgjikale të personalizuar, mjete njëpërdorimëshe kirurgjikale, trajtimin e mbetjeve biologjike dhe desinfektim të sallave kirurgjikale.

Beqaj ka qenë deputet i Partisë Socialiste për disa legjislatura dhe ishte ministër i Shëndetësisë nga viti 2013 deri në vitin 2017. Në vitin 2021, ai u emërua në krye të SASPAC nga kryeministri Edi Rama, edhe pse ndaj tij po zhvilloheshin hetime për kontratat koncesionare në shëndetësi. Pas vendimit të Gjykatës së Posaçme për ta caktuar atë me masën e sigurimit “detyrim paraqitje” në lidhje me akuzat për sa i përket aferës së sterilizimit, Beqaj dha dorëheqjen nga SASPAC dhe pozicioni si negociator mes Shqipërisë dhe Bashkimit Europian.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb