Gjykata e Sarandës ka marrë vendim ditën e djeshme për të deklaruar të arratisur 47-vjeçarin Saimir Kushova, një zhytës profesionist i cili prej më shumë se 1 viti e gjysmë ndodhet i burgosur në Norvegji për trafik droge por në Sarandë po hetohet për “shkelje të rregullave të mbrojtjes në punë” pas vdekjes së një 29-vjeçareje angleze gjatë zhytjes me ekspeditën e tij.

  • foto galeri

Saimir Kushova, prind i tre fëmijëve, drejtonte në Sarandë ekspeditën “Saranda Diving Center”, një ekspeditë private zhytësish, e angazhuar edhe në nisma sociale në qytet, kryesisht për pastrimin e detit. Në 19 shtator 2022 në Gjirin e Sarandës, ndërroi jetë teksa zhytej me ekspeditën e Kushovës, 29-vjeçarja britanike Rebecca Gannon. Për ngjarjen Saimir Kushova u arrestua por u la i lirë gjatë seancës për caktimin e masës së sigurisë. Ndaj tij u caktua masa e sigurisë “garancia pasurore në vlerën 1.5 milionë lekë të reja” dhe “detyrimi për t’u paraqitur në policinë gjyqësore, çdo javë, ditën e hënë ora 13:00”. Por disa kohë më pas, 47-vjeçari filloi mos ta zbatonte masën e sigurisë çka detyroi Prokuroren Alba Dhima të kërkonte konfiskimin e shumës 1.5 milionë lekë të reja dhe kalimin e saj në favor të shtetit ndërsa ditën e djeshme gjyqtari Fatmir Ndreu e deklaroi të ikur Saimir Kushovën në një seancë të posaçme.

  • foto galeri

Saimir Kushova rezulton i dënuar me 15 vjet heqje lirie në Norvegji nën akuzën e trafikut të drogës. Ai u arrestua në 13 prill 2023 në Husnes të Norvegjisë së bashkë me 5 polumbarë të tjerë shqiptarë, mes të cilëve një femër. Ata ishin rekrutuar për të nxjerrë katër çanta nga anija “Nordloire” e cila vinte nga Brazili. Në çanta ndodheshin plot 150 kg kokainë të cilat u sekuestruan nga policia. Policia norvegjeze e kishte filmuar grupin e shqiptarëve gjatë lëvizjes së tyre në zonë dhe ndërhyri sapo u nxor kokaina. Pas arrestimit të të dyshuarve, policia gjeti gjithsej 8 telefona të shpërndarë mes gjashtë personave. Të dyshuarit i përdorën këto për komunikim të koduar në aplikacionet “Signal” dhe “Session”.

  • foto galeri
  • foto galeri

Nga 6 të dyshuarit, njëri ndërroi jetë në burg. Në Qershor të këtij viti, 4 meshkuj të moshës nga 26-47 vjeç u dënuan nga 10 vjet e 4 muaj deri në 15 vjet burgim, ndërsa femra 33-vjecare me 4 vjet e 9 muaj. Gjatë procesit Kushova mbajti qëndrim mohues, ndërsa disa të pandehur të tjerë pranuan akuzën. Kishte mes tyre që thanë se mendonin se do të nxirrnin hashash e jo kokainë nga anija. Disa të pandehur pretenduan gjithashtu se kishin pasur kërcënime të familjes dhe se çuditërisht një avokat italian kishte kontaktuar familjet e tyre në Shqipëri për të marrë në ngarkim çështjen duke e quajtur edhe këtë një formë kërcënimi.

  • foto galeri
  • foto galeri

Gjatë inspektimit të qelisë së Saimir Kushovës, policia norvegjeze gjeti këtë tekst të shkruar në mur: “Tel i zi sështë toni. Erdhëm për pushime. Është hera e parë që i shoh se dinim se ku do na conin. Na cuan me zor nuk na kërcënuan po kuptova që nëse do kundërshtonim do na bënin keq. Ne sdonim të zhyteshim natën. Skemi fol për lek asnjëher. Na paguan udhëtimin. U lidhëm me një agjenci biletash. (Pjesa tjeter e paqartë)”. Policia nuk arriti të kuptonte se për kë ishte drejtuar ky mesazh i shkruar në qeli.

  • foto galeri

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb